TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Mars 2026, 16:35

Kur shteti përfundon në listëpagesat e karteleve të drogës

Shkruar nga Ciara Nugent
Kur shteti përfundon në listëpagesat e karteleve të
Autoritetet zunë pritë dhe vranë Nemesio Oseguera, i njohur si 'El Mencho', më 22 shkurt

Në librin e listëpagesave rezultojnë pagesa për forcat e sigurisë së shtetit dhe për prokurorët federalë, si dhe 35 mijë dollarë për një ekip hakerësh...

Një grup dokumentesh që pretendohet se i përkasin ish-kreut të ndjerë të Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco (CJNG) sugjeron se ai paguante mijëra dollarë ryshfete për policinë dhe autoritete të tjera, duke rritur presionin ndaj qeverisë së Claudia Sheinbaum për të zgjeruar luftën kundër këtij grupi të fuqishëm kriminal.

Një “libër listëpagesash i narkotrafikut”, i përbërë nga dokumente të shkruara me dorë dhe të shtypura, u gjet nga gazeta meksikane El Universal në klubin e vendit në Tapalpa, në shtetin Jalisco, ku autoritetet i ngritën pritë dhe vranë Nemesio Oseguera, i njohur si “El Mencho”, më 22 shkurt.

Operacioni kundër Osegueras, i kryer në koordinim me SHBA-në, pasoi muaj presioni nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj Sheinbaum për të goditur krerët e kartelit.

Pjesë nga dokumentet e publikuara nga El Universal përshkruajnë shumat e mëdha të parave që Oseguera qarkullonte vetëm në një zonë shumë të vogël të shtetit Jalisco në Meksikën perëndimore dhe u kanë dhënë meksikanëve një pamje jashtëzakonisht të qartë të bashkëpunimit të zyrtarëve me kartelin, një nga më të mëdhenjtë në vend.

Sipas këtyre pjesëve të dokumenteve, Oseguera, i cili u varros në një arkivol të artë në kryeqytetin e shtetit Guadalajara të dielën, gjeneroi të ardhura prej pothuajse 500 mijë dollarësh vetëm në muajin dhjetor nga shitjet e marijuanës, kokainës, metamfetaminës dhe fentanilit, si dhe nga makinat e lojërave të fatit në Tapalpa, një nga 125 komunat e Jalisco-s.

Ai dyshohet se shpenzoi 8 mijë dollarë për ryshfete për policinë dhe 70 mijë dollarë për paga për 26 persona të armatosur, 30 roje sigurie dhe shpenzime të tjera në Tapalpa gjatë dhjetorit, raportoi El Universal.

Gazeta tha gjithashtu se në librin e listëpagesave rezultojnë pagesa për forcat e sigurisë së shtetit dhe për prokurorët federalë, si dhe 35 mijë dollarë për një ekip hakerësh.

“Është shumë e pazakontë që të shohim këto lloj regjistrash. Nëse janë autentike, ato do të tregonin qartë se si grupet kriminale mbështeten tek zyrtarët për të operuar. Qeveria do të duhet të hetojë”, tha Cecilia Farfán-Méndez, drejtuese në Global Initiative against Transnational Organized Crime, duke vënë në dukje se librat e llogarive të karteleve zakonisht kanë mbetur në duart e autoriteteve.

Megjithëse dokumenti përqendrohet kryesisht në Tapalpa dhe komunat përreth, ekspertët e sigurisë besojnë se CJNG ka prani në shumicën e 32 shteteve të Meksikës, me qeliza rajonale që veprojnë në mënyrë autonome dhe ndoshta mbajnë edhe regjistrat e tyre.

“Askush nuk do ta besonte se situata që paraqet dokumenti është unike vetëm për këtë zonë të Jalisco-s. Do të shpresohej të shihnim një vijim të hetimeve. Do të jetë shumë negative për besimin ndaj qeverisë dhe ndaj forcave të rendit nëse shohim këtë lloj materiali dhe nuk ka një shpjegim dhe nuk ndërmerren hapa të mëtejshëm” tha Steve Woodman, analist i sigurisë me bazë në Guadalajara.

Ministri i sigurisë i Meksikës, Omar García Harfuch, tha në një konferencë për shtyp të premten se prokurorët federalë po analizojnë dokumentin e dyshuar dhe do të “informojnë për çdo hetim që mund të nisë”. Financial Times nuk ishte në gjendje të aksesonte dokumentet në mënyrë të pavarur për të verifikuar pretendimet e El Universal.

Sheinbaum shtoi se arrestimet e dy kryetarëve të bashkive në Jalisco gjatë muajve të fundit tregojnë se aty ku zyrtarët publikë rezultojnë të kenë lidhje me krimin e organizuar … vizioni ynë është zero pandëshkueshmëri.

El Universal tha se në dokument përmenden pagesa prej 36,600 dollarësh, 4,000 dollarësh, 1,100 dollarësh dhe 850 dollarësh për entitete që gazeta beson se mund të jenë dy degë të Gardës Kombëtare, forca policore dhe zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Meksikës. Asnjë nga këto institucione nuk ka komentuar publikisht mbi këto pretendime.

Gati 8 mijë dollarët e listuar si ryshfet për policinë lokale në Tapalpa përbëjnë rreth 20 për qind të buxhetit të vogël të pagave për sigurinë në këtë komunë, sipas El Universal. Guvernatori i shtetit Jalisco, Pablo Lemus, u ka bërë thirrje prokurorëve federalë të hetojnë këto pretendime.

Guvernatori Eduardo Ramírez Aguilar i shtetit jugor Chiapas, ku krimi i organizuar është zgjeruar me shpejtësi, ka urdhëruar një hetim shtetëror pasi disa anëtarë të forcës elitare të policisë së rajonit u shfaqën në pjesët e publikuara të dokumentit.

Pagesat e vogla javore të listuara për disa anëtarë të kartelit, përfshirë 225 dollarë për personat e armatosur dhe 113 dollarë për rojet, theksojnë sfidën me të cilën përballet Meksika për të bindur qytetarët më të varfër që të mos i bashkohen grupeve kriminale/Përshtati “Pamfleti” nga “Financial Times”

shteti listËpages kartele

Lini një Përgjigje