Ish-kryeministri i Francës, Dominique de Villepin, ka kritikuar ashpër politikën e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se veprimet e tyre mund të kenë pasoja serioze për rendin ndërkombëtar.
Në një intervistë të fundit, de Villepin deklaroi se SHBA-të janë aktualisht në duart e “njerëzve krejtësisht të papërgjegjshëm”, të cilët, sipas tij, po rrezikojnë fatin e popujve të botës duke imponuar një logjikë force që ai e përshkroi si “ligji i xhunglës”.
Politikani francez, i cili në vitin 2003 si ministër i Jashtëm tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare duke kundërshtuar ndërhyrjen amerikane në Irak në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tha se ndërhyrja aktuale kundër Iranit është edhe më problematike nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare.
Sipas tij, ajo që po ndodh sot përbën një precedent të rrezikshëm për rendin global.
“Ne po rrokullisim në baltën e historisë,” u shpreh ai, duke theksuar se “lufta nuk është lojë” dhe se veprimet e ndërmarra nga Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu nuk mund të mbeten pa pasoja.
De Villepin theksoi gjithashtu se lufta nuk është shpallur për të “çliruar Iranin”, duke shtuar se vendet demokratike duhet të reagojnë me vendosmëri përballë asaj që e cilësoi si një “katastrofë të paralajmëruar”.
Lini një Përgjigje