
Hamasi mund të refuzojë planin me 20 pika të propozuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump për armëpushim në Gaza.
Izz al-Din al-Haddad, kreu i krahut ushtarak të Hamasit në Gaza ka lënë të kuptohet se është kundër kësaj nisme.
Sipas raportimeve të “BBC”, al-Haddad beson se plani 20-pikësh amerikan synon çarmatosjen dhe shkatërrimin e Hamasit, pavarësisht nëse grupi e pranon apo jo, duke e konsideruar atë si një kurth politik dhe ushtarak. Për këtë arsye, ai mbetet i vendosur të vazhdojë luftën kundër Izraelit.
Plani, i cili është pranuar tashmë nga Izraeli, parashikon që Hamasi të dorëzojë të gjithë pengjet brenda 72 orëve të para të armëpushimit, si dhe të çarmatosej dhe të përjashtohej nga çdo rol në qeverisjen e ardhshme të Gazës. Pikërisht këto kushte janë cilësuar të papranueshme nga krahu ushtarak i Hamasit, i cili aktualisht besohet se mban ende 48 pengje në Gaza, vetëm 20 prej të cilëve mendohet se janë gjallë.
Ndërkohë, burime diplomatike bëjnë të ditur se një pjesë e lidershipit politik të Hamasit në Katar mund të jenë të gatshëm ta pranojnë planin me disa ndryshime. Megjithatë, ndikimi i tyre është i kufizuar, pasi nuk kontrollojnë as pengjet dhe as terrenin në Gaza.
Disa udhëheqës të Hamasit kanë kundërshtuar vendosjen nga SHBA-të dhe shtetet arabe të “një Forcë e Përkohshme Ndërkombëtare e Stabilizimit” në Gaza, pasi e shohin si një formë të re pushtimi.
Lini një Përgjigje