TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Qershor 2025, 18:39

“Duam dorëzim pa kushte”, Trump mesazh Khameneit: E dimë ku fshihet, por nuk do ta vrasim... për momentin!

Shkruar nga Pamfleti

“Duam dorëzim pa kushte”, Trump mesazh Khameneit: E dimë

Lufta Izrael-Iran, Trump trazon ujërat...

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar jehonë në arenën ndërkombëtare me një seri postimesh të drejtpërdrejta në platformën e tij Truth Social, ku paralajmëron haptazi udhëheqësin suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei.

Trump deklaron se Shtetet e Bashkuara “e dinë saktësisht se ku ndodhet” Khamenei, duke e quajtur një “shënjestër të lehtë”, por thekson se për momentin nuk do të urdhërohet vrasja e tij. “Ai është i sigurt atje, nuk do ta vrasim… të paktën jo tani”, shkruan Trump.

Postimet e tij vijnë në një moment tensioni të lartë mes Izraelit dhe Iranit, pas një vale goditjesh ajrore dhe operacioneve të inteligjencës që kanë tronditur strukturat ushtarake dhe bërthamore iraniane. Në këtë kontekst, Trump përforcon idenë e epërsisë teknologjike dhe strategjike të SHBA-së mbi regjimin iranian, duke deklaruar se “tashmë kemi kontroll të plotë të qiellit iranian”. Ai pranon se Irani zotëron sisteme të avancuara gjurmimi ajror dhe mjete mbrojtëse, por sipas tij ato nuk krahasohen me arsenalin dhe kapacitetin teknologjik amerikan. 

"Ne e dimë saktësisht se ku fshihet i ashtuquajturi “Udhëheqës Suprem”. Ai është një shënjestër e lehtë, por është i sigurt atje - Nuk do ta vrasim! Të paktën jo për momentin. Por nuk duam që raketat të qëllohen drejt civilëve apo ushtarëve amerikanë. Durimi ynë po mbaron. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje", shkruan ai.

Trump e mbyll serinë e mesazheve me një frazë të shkurtër, por të ngarkuar politikisht dhe psikologjikisht: “Dorëzim pa kushte!”. Kjo përbën një ultimatum të qartë ndaj Teheranit, duke vendosur qartazi se nëse regjimi iranian nuk tërhiqet, atëherë opsionet ushtarake nuk do të mbeten më në nivel retorike.

Tanimë kemi kontroll të plotë të qiellit mbi Iranin. Irani kishte sisteme gjurmimi qiellor e pajisje të tjera mbrojtëse shumë të mira, e me shumicë, por ato nuk krahasohen me gjërat e prodhurara, të konceptuara nga Amerika. Askush nuk e bën këtë më mirë se SHBA e vjetër dhe e mirë”, shkruan ai në Truth Social.

Ndërkohë, reagimi zyrtar i Iranit mungon, por burime afër strukturave të sigurisë në Teheran kanë deklaruar për mediat vendase se janë “në gatishmëri maksimale” dhe se çdo tentativë për goditje ndaj udhëheqësit suprem do të përbënte “kalimin e vijës së kuqe”.

Kjo deklaratë e paprecedentë nga Trump nuk është thjesht provokim, por një sinjal se përplasja mes SHBA dhe Iranit mund të hyjë në një fazë të re, më personale, më e egër dhe më e paparashikueshme. /Pamfleti

Lini një Përgjigje