
Ish-drejtor i CIA-s, Amerikani David Petraeus, i cili ka qene edhe gjeneral kryesor në luftërat në Irak dhe Afganistan hapi letrat e tij për ambiciet e luftës të Putinit, në një intervistë për gazetën The Sun.
Duke i bërë thirrje Perëndimit të "zgjohet" dhe të jetë vigjilent pasi Vladimir Putin nuk do të ngurrojë t'i shpallë luftë NATO-s, gjenerali Petraeus tha: "Unë kam qenë drejtori i CIA-s dhe e di. Putini do të hyjë në luftë me NATO-n nëse mposht Ukrainën dhe unë e di qëllimin e tij të parë”.
Gjenerali David Petraeus gjithashtu sqaroi se Putin ishte dhe është shumë i qartë me qëllimet e tij. Ai pretendon se e di, që pas luftës në Ukrainë, njeriu i fuqishëm i Kremlinit ka vënë syrin edhe në vende të tjera.
Petraeus thotë se objektivi i ardhshëm i presidentit rus do të jetë Moldavia.
"Atëherë ai do të përpiqet të vendosë një çizme në Lituani. Aleatët perëndimorë të Ukrainës duhet të bëjnë më shumë për ta ndihmuar atë të fitojë luftën", shprehet ai.
Rikujtojmë se këtë javë, udhëheqësi rus paralajmëroi se ai do t'u dërgonte aleatëve perëndimorë të Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi në shenjë hakmarrjeje nëse ata do të përforconin ushtarakisht vendin e shkatërruar nga lufta.
Gjenerali Petraeus theksoi gjithashtu se presidenti rus ishte "shumë i qartë" për fillimin e një lufte të re në Evropë. “Bota duhet të dëgjojë Putinin teksa na tregon atë që mendon”, paralajmëroi ish-shefi i CIA-s.
"Lufta e Ukrainës mund të zgjerohet në rajon nëse Putini fiton. Ai nuk do të mjaftohej të ndalej me kaq. Moldavia do të ishte padyshim objektivi i tij i radhës… Pas kësaj mund të jetë Lituania ose një nga shtetet e tjera baltike. Ai na tregon se çfarë mendon dhe, për të mposhtur Putinin, Perëndimi duhet të bëjë çdo gjë të mundshme njerëzore për të ndihmuar Ukrainën, theksoi ish-drejtori i CIA-s”, thotë ndër të tjera ai.
Megjithatë sipas Petraeus, "çelësi" për të fituar luftën ruse që ka ndezur gjatë 27 muajve të fundit është që Ukraina të ndërtojë shpejt fuqinë e saj njerëzore dhe fuqinë ushtarake, me ndihmën e aleatëve të saj perëndimorë.
"Rusia ka shumë më shumë ushtarë dhe pajisje, ka më shumë se trefishin e popullsisë së Ukrainës, ekonomia e saj është dhjetë herë më e fortë dhe ka disa avantazhe të tjera... Realiteti është i vështirë, dhe kjo është një arsye tjetër për të cilën ne duhet të bëjmë gjithçka. ne mund të ndihmojmë Ukrainën në çdo mënyrë të mundshme”, shtoi gjenerali amerikan.
Lini një Përgjigje