TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Shkurt 2026, 08:31

Dosjet Epstein, skandal seksual apo mekanizëm pushteti? Si dështuan shërbimet sekrete

Shkruar nga Pamfleti
Dosjet Epstein, skandal seksual apo mekanizëm pushteti? Si dështuan
Epstein dhe Maxwell

Përtej thashethemeve dhe detajeve sensacionale, rasti Epstein mund të zbulojë se si seksi është përdorur historikisht si mjet ndikimi, shantazhi dhe kontrolli mes elitave globale…

Dosjet e publikuara së fundmi për Jeffrey Epstein janë paraqitur kryesisht si një skandal i botës së lartë: emra, fluturime, një ishull, politikanë, miliarderë, anëtarë familjesh mbretërore dhe detaje të errëta që qarkullojnë si thashetheme. Ky trajtim voyeurist është i kuptueshëm, por humbet thelbin. Ai e kornizon çështjen Epstein si devijim seksual tronditës dhe pedofili, kur në fakt mund të zbulojë mënyrën se si pushteti funksionon në politikën globale dhe brenda elitave.

Po sikur rasti Epstein të mos kishte të bënte vetëm me abuzim seksual kriminal, por me diçka shumë më të vjetër dhe më të ftohtë: përdorimin e seksit si infrastrukturë për shantazh, heshtje, ndikim, informacion dhe kontroll?

Historia ofron shumë precedentë. Seksi nuk ka qenë kurrë thjesht privat; ai ka qenë gjithmonë politik. Gjatë shekullit XX, shërbimet e inteligjencës e kthyen këtë njohuri në metodë operative, duke zhvilluar teknika që e shndërruan intimitetin në armë. Kjo praktikë ka një emër: seks spiunazh, shpesh i realizuar përmes operacioneve të quajtura “honeypot”, ku “qasja seksuale” përdoret për të komprometuar objektiva, për të nxjerrë informacion, për t’i detyruar ata të bashkëpunojnë ose për të siguruar besnikëri apo heshtje.

Gjatë Luftës së Ftohtë, shërbimi sekret i Gjermanisë Lindore, Stasi, i përsosi të ashtuquajturat “operacione Romeo”, duke dërguar agjentë tërheqës për të joshur sekretare dhe zyrtarë të Gjermanisë Perëndimore. KGB-ja sovjetike mbështetej gjerësisht te komprometimi seksual, duke përdorur dhoma hotelesh të përgjuara dhe takime të inskenuara për të kontrolluar objektivat. Në një rast të njohur, ish-agjenti i KGB-së Yuri Bezmenov përshkroi se si agjente femra joshin diplomatë dhe gazetarë të huaj, ndërsa kamera të fshehta regjistronin materiale komprometuese që më pas përdoreshin për shantazh.

As MI 6 e Britanisë së Madhe nuk ishte e pafajshme. Skandali Profumo i vitit 1963 zbuloi se ministri britanik i Luftës, John Profumo, ndante të njëjtën të dashur, Christine Keeler, me atasheun detar sovjetik Yevgeny Ivanov, duke ekspozuar dobësi serioze të sigurisë në nivelet më të larta. Skandali tregoi se seks spiunazhi vepronte në të dyja anët e Luftës së Ftohtë, ndërsa rrethet elitare shërbenin si terren gjuetie për objektivat.

Edhe Mossad-i izraelit është përballur me akuza të vazhdueshme për përdorimin e kurtheve seksuale. Rasti më famëkeq përfshin Mordechai Vanunu-n, teknik bërthamor izraelit, i cili u josh nga Londra në Romë nga një agjente e Mossad-it që u paraqit si turiste amerikane me emrin “Cindy”.

Ajo e joshi dhe ai u rrëmbye më pas në Izrael, ku u burgos për 18 vjet. Më vonë, kanë dalë edhe pretendime se Mossad-i ka përdorur materiale komprometuese të mbledhura në pronat e Epstein-it.

Ndërkohë, edhe Ministria e Sigurisë së Shtetit në Kinë ka përdorur agjentë të njohur si “swallows” (agjente femra) dhe “ravens” (agjentë meshkuj) për të synuar zyrtarë të huaj. Në vitin 2020, kongresmeni amerikan Eric Swalwell u vu nën vëzhgim për marrëdhënien e tij me Christine Fang, e dyshuar si agjente kineze, e cila kishte ndërtuar lidhje me disa politikanë amerikanë përmes mbledhjes fondesh, marrëdhënieve romantike dhe aksesit shoqëror.

Pika kyçe nuk është se cili shërbim inteligjent bëri çfarë. Ajo që ka rëndësi është të pranohet se komprometimi seksual ka qenë prej kohësh një “monedhë” e besueshme në botën e pushtetit, spiunazhit dhe politikës.

Njerëzit e fuqishëm bëhen të kontrollueshëm në heshtje

Më e rëndësishmja, seks spiunazhi nuk ka nevojë për flamuj, uniforma apo burokraci formale të inteligjencës. Ai mund të nënkontraktohet, të privatizohet dhe të integrohet në rrjete shoqërore elitare. Oligarkë, ndërmjetës, financierë dhe aktorë pranë shërbimeve të inteligjencës kryejnë të njëjtin funksion: krijojnë situata ku njerëzit e fuqishëm bëhen të kontrollueshëm në heshtje. Ndikimi politik nuk ecën gjithmonë përmes kanaleve zyrtare; ai kalon përmes darkave, festave, dhuratave, favoreve dhe seksit.

Në këtë këndvështrim, Jeffrey Epstein duket më pak si një përbindësh i vetëm dhe më shumë si një lehtësues brenda një ekosistemi më të gjerë. Kjo nuk e zbeh përgjegjësinë e tij si abuzues serial. Rëndësia e Epstein-it nuk qëndronte vetëm në atë që bënte, por në atë që kontrollonte. Ai kishte akses të jashtëzakonshëm te presidentë, kryeministra, princër, miliarderë dhe akademikë. Ai operonte avionë privatë, rezidenca të izoluara dhe një ishull përtej mbikëqyrjes së lehtë ligjore. Veprimtaria e tij tregonte modele të qarta: përsëritje, orare, rekrutim dhe lëvizje ndërkufitare. Kjo sugjeron organizim dhe planifikim.

Ndërkohë, paratë qarkullonin në kanale të errëta. Autoritetet hezitonin. Ndëshkimet ligjore mbetën çuditërisht të lehta. Kjo sinjalizon ose mbrojtje, ose frikë nga ekspozimi, ndoshta të dyja.

Pyetja thelbësore nuk është vetëm çfarë ndodhi, por kush përfitoi. Kush fitoi nga afërsia me rrjetin e Epstein-it? Kush u komprometua, u mbrojt apo u bë i bindur? Dhe pse sistemi i sigurisë, inteligjencës dhe drejtësisë dështoi kaq vazhdimisht, për kaq gjatë, të ndërhynte në diçka që shumë brenda elitës së Nju Jorkut e dinin dhe e përmendnin si thashethem?

Këto nuk janë pyetje konspirative. Ato janë analiza strukturore të një rrjeti ndërkombëtar seks spiunazhi. Kur pushteti implikon shumë aktorë, ai priret të mbrojë veten.

Por çdo diskutim mbi seks spiunazhin duhet të përballet me thelbin moral të tij. Këto operacione nuk janë lojëra inteligjence mes të barabartëve. Ato janë të dhunshme dhe shfrytëzuese. Ato mbështeten në pabarazi të thella: gjinore, ekonomike, moshore dhe ligjore. Shumë nga viktimat e Epstein-it ishin të reja, të varfra dhe vulnerabël, në kërkim të mundësive në një botë me pak mbrojtje. Trupat e tyre u kthyen në hapësira ku pushteti elitar ushtrohej dhe përforcohej.

Viktimat nuk ishin mjete. Ato ishin objektiva. “Pëlqimi” i tyre u prodhua përmes presionit, mashtrimit dhe pabarazisë. Sexpionazhi funksionon pikërisht sepse e shndërron cenueshmërinë njerëzore në mjet leverage. Kjo logjikë është thellësisht patriarkale, por edhe perandorake. Ajo mbështetet në jetë të konsideruara të konsumueshme, kufij të përshkueshëm dhe në supozimin se vuajtja e disa njerëzve nuk do të ketë pasoja.

Dosjet Epstein detyrojnë një përballje të pakëndshme me mënyrën se si funksionon pushteti modern. Ato sugjerojnë se llogaridhënia shembet kur komprometimi bëhet i përhapur mes elitave. Nëse shumë figura me ndikim janë të implikuara, ekspozimi nuk kërcënon vetëm individë, por rrjete të tëra pushteti dhe interesash. Prandaj, heshtja kthehet në interes kolektiv. Gjykatat zvarriten. Mediat tregohen të kujdesshme. Shërbimet e inteligjencës thërrasin sigurinë kombëtare.

Kjo nuk kërkon pretendime që nuk mund të provohen. Kërkon pranimin e asaj që historia tashmë e ka treguar: seksi, sekreti dhe pushteti janë thellësisht të ndërlidhur.

Ta quash një seks spiunazh global “teori konspirative” do të thotë të injorosh dekada praktikash të dokumentuara të shërbimeve inteligjente në nxjerrjen e informacionit.

Rasti Epstein nuk duhet të mbahet mend vetëm si një skandal grotesk. Ai duhet të shërbejë si paralajmërim. Kur shfrytëzimi seksual bëhet formë qeverisjeje, formale apo informale, demokracia dhe rendi ndërkombëtar komprometohen. Transparenca, hetimet e pavarura dhe drejtësia e përqendruar te të mbijetuarit nuk janë gjeste morale opsionale. Ato janë garanci kundër një politike të sunduar nga shantazhi dhe heshtja. /Përshtatur nga PoliticToday/

 

 

 

epstein skandali pushteti sherbimet sekrete

1 Komente

  1. p
    poshte komunizmi

    hordhite serbo-ruse ne veprin, por do thyejn koken perpara popullit shqiptar

    Lini një Përgjigje