TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Korrik 2025, 21:35

Dosja “Epstein”, Trump sulmon mbështetësit e tij: Të dobët dhe naivë që ranë në grackën e majtistëve!

Shkruar nga Pamfleti
Dosja “Epstein”, Trump sulmon mbështetësit e tij: Të
Donald Trump

Trump kritikon ashpër republikanët: Njerëz budallenj!

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërthyer kundër një pjese të mbështetësve të tij më besnikë, duke i quajtur “të dobët” dhe “të mashtruar” për shkak të dyshimeve që ata kanë ngritur mbi transparencën e hetimeve të fshehta qeveritare lidhur me rastin e ndjerë të Jeffrey Epstein, socialitit të profilit të lartë dhe abuzuesit seksual.

Trump po përballet me një krizë të pazakontë politike brenda bazës së tij të lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), pasi shumë konservatorë kanë filluar të dyshojnë se administrata është duke fshehur detaje të krimeve të Epstein për të mbrojtur elitën e pasur me të cilën ai ishte i lidhur, mes tyre, vetë Trump.

Në një postim të gjatë në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump i akuzoi votuesit e tij të mëparshëm se kanë rënë pre e asaj që ai e cilësoi si një “mashtrim i majtë radikal” për ta diskredituar.

Mashtrimi i tyre i ri është ajo që përjetësisht do ta quajmë ‘Gënjeshtra Epstein’, dhe mbështetësit e mi TË MËPARSHËM e kanë blerë këtë marrëzi, pa asnjë dyshim. Nuk kanë mësuar asgjë dhe ndoshta nuk do mësojnë kurrë, edhe pasi janë mashtruar për 8 vite nga e Majta e Çmendur”, shkroi Trump.

Le të vazhdojnë këta të dobët dhe të bëjnë punën e Demokratëve, mos guxoni të përmendni sukseset tona të jashtëzakonshme, sepse nuk dua më mbështetjen e tyre”, tha ai.

Një nga teoritë më të përhapura mes mbështetësve të Trump është se Epstein, i cili u gjet i vdekur në vitin 2019 në një qeli federale, nuk ka kryer vetëvrasje, por është vrarë nga njerëz të fuqishëm për të mbuluar rolin e tyre në rrjetin e tij të krimeve seksuale ndaj të miturve.

Votues dhe politikanë republikanë po e shtyjnë Trump-in të deklasifikojë të ashtuquajturat “dosjet Epstein”. Në Truth Social, përdorues të shumtë i kanë kërkuar që të japë më shumë informacion.

Po humb besnikët e tu më të mëdhenj, zoti President,” shkruante një koment. Një tjetër pyeste: “Pse po mbron pedofilët?”.

Në vend që të japë përgjigje, Trump u hakërrye me një ton të pazakontë për të, duke u larguar nga përpjekjet e mëparshme për të qetësuar ndjekësit. Një ditë më parë, ai kishte tentuar të shpërqendronte opinionin publik, duke e quajtur hetimin si “të mërzitshëm”, por njëkohësisht kishte thënë se ishte në favor të publikimit të çdo “informacioni të besueshëm”, pa sqaruar se çfarë e bënte diçka të tillë.

Nuk kuptoj pse çështja Epstein duhet të jetë me interes për ndokënd. Është e ndyrë, por e mërzitshme. Nuk kuptoj pse ende flitet për të. Vetëm njerëzit e këqij, përfshirë mediat fake news, duan ta mbajnë këtë temë gjallë. Por, nëse ka ndonjë informacion të besueshëm, le ta japin. Çfarëdo që është e besueshme, unë jam pro që të publikohet”, deklaroi Trump të martën në mbrëmje.

Gjatë fushatave të tij, Trump ka nxitur shumë teori konspirative përmes lëvizjes MAGA, përfshirë idenë se vendi kontrollohet nga një “deep state” (shtet i fshehtë) i përbërë nga elita në hije. Kjo retorikë ka ndikuar në rritjen e paranojës mes ndjekësve të tij, të cilët tani, ndryshe nga më parë, kanë filluar të vënë në dyshim vetë udhëheqësin e tyre mbi çështjen Epstein.

Javën e kaluar, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI njoftuan se rishikimi i dosjeve të çështjes konfirmoi se Epstein kishte kryer vetëvrasje dhe se nuk ekziston ndonjë listë klientësh për t’u bërë publike.

Zemërimi i bazës konservatore është fokusuar te prokurorja e përgjithshme Pam Bondi, e cila udhëhiqte hetimin dhe më herët kishte thënë se “lista e klientëve të Epstein ndodhet në tavolinën time për shqyrtim”.

Zëra të tjerë të fuqishëm në të djathtën amerikane kanë kërkuar që Trump të zbardhë çdo informacion në lidhje me rastin. Madje edhe nusja e djalit të tij, Lara Trump, e cila është moderatore në Fox News, ka thënë: “Mendoj se duhet të ketë më shumë transparencë mbi këtë çështje.”

Të martën, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson i bëri thirrje Departamentit të Drejtësisë që të bëjë publike dokumentet, një distancim i rrallë nga qëndrimet e Trump. /Përshtatur nga “The Guardian”

Lini një Përgjigje