
Silivri, ku mbahet i ndaluar rivali i presidentit Ekrem İmamoğlu, është dëshmi se sa larg është i gatshëm të shkojë presidenti i Turqisë për të qëndruar në pushtet.
Silivria nuk është më thjesht një qytet bregdetar i qetë. Dikur ishte një vendpushim i preferuar, një orë rrugë nga Stambolli, i njohur për livandën, kosin dhe shtëpitë verore përgjatë detit Marmara. Por për shumicën e qytetarëve të Turqisë sot, fjala “Silivri” nuk sjell më ndër mend pushime dhe aroma të freskëta. Tani simbolizon diçka tjetër: një super-burg në periferi të qytetit, vendi ku prej marsit mbahet kryetari i Bashkisë së Stambollit dhe rivali politik i presidentit Recep Tayyip Erdoğan, Ekrem İmamoğlu.
Ai ndodhet atje në pritje të një gjykimi për korrupsion, ndërsa së fundmi është dënuar me njëzet muaj burg për akuzën e fyerjes dhe “kërcënimit” të një zyrtari publik, një ndër një varg akuzash që vazhdojnë të ngrihen kundër tij.
Burgu i Silivrisë nisi të pranonte të burgosur në vitin 2008. Mediat turke asokohe e përshkruan me habi përmasën e tij: një “kampus” me nëntë burgje të veçanta, që shtrihej në një sipërfaqe prej pothuajse një milion metrash katrorë, me një kapacitet zyrtar prej 11,000 personash. Brenda kompleksit ndodheshin 500 apartamente për personelin, një xhami, treg, restorant dhe madje edhe një shkollë fillore për fëmijët e stafit. Siç do shkruante më vonë një i burgosur, ai dëgjonte nga qelia fëmijët që këndonin himnin kombëtar në oborrin e shkollës.

Silivri u ndërtua për të zëvendësuar burgjet e vjetra dhe të amortizuara të qytetit. U prezantua me madhështi si simbol i modernitetit: çdo qeli kishte televizor dhe radio, mbi 2,000 kamera sigurie, skaner për retina për hyrje-dalje dhe qendra sportive, përfshirë fusha të futbollit.
Por shumë shpejt, burgu do të shndërrohej në një arenë politike të thellë. Para se të përfundonte ndërtimi, aty u mbajtën gjyqe të bujshme ndaj gjeneralëve, shefave të policisë, gazetarëve dhe avokatëve të lidhur me establishmentin laik të Turqisë, të cilët u akuzuan se komplotonin për të rrëzuar qeverinë islamiste të zgjedhur me votë. Qindra u gjykuan në një palestër të kthyer në sallë gjyqi, nën mbikëqyrjen e fortë të xhandarmërisë. Për shumëkënd, Silivri u kthye në vendin ku Turqia përballej me të shkuarën e saj autoritare.
Por në vitin 2012, kur nisën të shpallen dënimet, dyshimet zunë vend: aktakuzat kishin gabime, dokumente të manipuluara, prova të dyshimta. Në retrospektivë, ato gjyqe shënuan fillimin e përdorimit të gjyqësorit dhe policisë si mjete për goditjen e kundërshtarëve të pushtetit.

Në dekadën e dytë të sundimit të Erdoğanit, me grushtin e shtetit të dështuar, gjendjen e jashtëzakonshme dhe miratimin e një kushtetute të re, shtypja politike u thellua. Qindra aktivistë, gazetarë, avokatë dhe qytetarë të zakonshëm u arrestuan. Ndërkohë, një histeri morale për kriminalitetin urban çoi në dënime më të rënda edhe për shkelje të vogla. Numri i të burgosurve në Turqi u rrit ndjeshëm.
Në vitin 2002, kur partia e Erdoğanit erdhi në pushtet, në burgje kishte rreth 60,000 persona. Sot, ky numër është afro 350,000. Sipas raportit më të fundit të Këshillit të Evropës, Turqia ka pothuajse po aq të burgosur sa 45 vendet e tjera anëtare të marra së bashku. Silivri, që u ndërtua për 11,000 vetë, sot strehon rreth 22,000, duke u renditur ndër burgjet më të mëdha në botë.
Kushtet në burg kanë qenë gjithnjë të vështira. Autori Ahmet Altan, gjatë kohës që ishte i burgosur pas grushtit të shtetit të dështuar, tregonte se ndonjëherë në pranverë, zogjtë lëshonin degë lulesh në oborrin e vogël pa dritë të qelisë së tij. Një ditë, ai mori një lule dhe e vendosi në një shishe plastike. Të nesërmen, oficerët ia morën.
Avokatë, roje, ish-të burgosur dhe familjarë të tyre tregojnë për një sistem të tejmbushur: qeli për 21 persona që mbajnë gati 50, porcione ushqimi që pakësohen, dyshekë që ndahen me turne, dhe lojëra futbolli me 40 vetë në një fushë gjatë orëve të stërvitjes.
Kanë pasur gjithashtu akuza për rrahje sistematike dhe poshtërime nga ana e rojeve, të cilat autoritetet e burgut i mohojnë. Tre vite më parë, një i burgosur vdiq në Silivri; burgu deklaroi se shkaku ishte arrest kardiak, por familja nuk e besoi, duke deklaruar se trupi i tij kishte shenja të rënda dhune.
Ndërkohë, për të burgosurit politikë si İmamoğlu, trajtimi është ndryshe. Ata mbahen në izolim, në njësitë e posaçme për të arrestuar të profilit të lartë. Nuk raportohen keqtrajtime fizike, por dënimi i vërtetë është vetë procesi gjyqësor turk: paraburgime që zgjasin me vite, gjyqtarë dhe prokurorë nën presion të madh politik, dhe madje, siç ka ndodhur në rastin e İmamoğlu, rreziku që edhe avokati i tij të arrestohet.
Sot, Silivri është kthyer në simbolin më të qartë të asaj që Erdoğan është i gatshëm të bëjë për të mbajtur pushtetin. Aq shumë, sa që emri i burgut është futur edhe në zhargonin popullor: “Silivri është ftohtë”, thuhet me gjysmë shakaje dhe gjysmë frike, kur dikush bën apo thotë diçka që tejkalon kufijtë e toleruar politik në Turqi. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”
Lini një Përgjigje