
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u shpreh se uron që presidenti i SHBA Donald Trump do t`i kërkojë Izraelit të “ndalë” luftën.
Një fillim i mbarë, sipas Erdoganit, do të ishte ndërprerja e furnizimit të Izraelit me armë nga SHBA-ja.
“Trump ka premtuar t`i japë fund konflikteve… Ne duam që ai t’i mbajë këto premtime dhe që t’i thotë Izraelit ‘ndalu’. Si fillim, mund ta nisë duke ndërprerë mbështetjen me armë për Izraelin, në mënyrë që të ndalet agresioni i tij në tokat palestineze dhe libaneze”, u shpreh Erdogan.
Turqia i ka kritikuar ashpër ofensivat ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës dhe në Liban, si dhe e ka ndërprerë tregtinë me Izraelin. Ankaraja po kështu i është bashkuar një rasti për gjenocid kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Erdogani insistoi se presidenca e Trumpit do të ketë ndikim të madh ndaj balancave politike dhe ushtarake në Lindjen e Mesme. Ai tha gjithashtu se ruajtja e qëndrimit të tanishëm amerikane vetëm sa do të thellonte edhe më shumë konfliktin, që pas Gazës u shtri me bombardimet izraelite edhe në Liban, ku shteti hebre dërgoi dhe trupa tokësore përtej kufirit.
Erdogan shpreson të përmirësojë marrëdhëniet e tensionuara me Shtetet e Bashkuara, duke ftuar Trump për një vizitë në Turqi.
Presidenti në largim i SHBA Joe Biden nuk e vizitoi Turqinë gjatë mandatit të tij dhe vizita e planifikuar e Erdoğan në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij viti nuk u bë kurrë, duke lënë të kuptohet kështu për marrëdhëniet e ftohta mes dy vendeve. Dy presidentët së fundmi kanë pasur përplasje edhe për raportet me Izraelin pas nisjes së sulmeve në Gaza.
Fitorja e Trump është pritur pozitivisht në Turqi. Lira turke preku nivelin më të lartë ketë javë, ndërsa aksionet e Stambollit janë rritur më shumë se 5%.
Lini një Përgjigje