TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Nëntor 2024, 15:13

Si Donald Trump mund të zbusë tensionet në Lindjen e Mesme

Shkruar nga Paul Wood

Ai ka folur shpesh muajt e fundit mbi dëshirën e tij për t’i dhënë fund dhe njëherë e përgjithmonë konflikteve të shumta në Lindjen e Mesme, dhe jo për t’u rikthyer atje çdo 5 apo 10 vjet. Kjo do të ishte “marrëveshja e shekullit”, dhe nëse kjo nënkupton krijimin zyrtar të një shteti të njohur palestinez, atëherë Netanyahu do të zbulojë të vërtetën e thënies së dikurshme të Palmerston se kombet nuk kanë aleatë të përjetshëm, por vetëm interesa...

Si Donald Trump mund të zbusë tensionet në Lindjen e Mesme
Benjamin Netanjahu dhe Donald Trump /

Një nga reklamat e fushatës së Donald Trump për zgjedhjet e këtij viti, synonte votuesit hebrenj. Tre banorë tipikë të Nju Jorkut, shfaqen duke biseduar mbi situatën në botë. “Izraeli gjendet nën sulm. Ka një antisemitizëm kaq të madh, sa që nuk e kisha menduar se do ta shihja ndonjëherë”.

Tjetri përgjigjet: ”Oh, po... Ti e di që Trump nuk më ka pëlqyer ndonjëherë si politikan, por të paktën ai do të na mbajë të sigurt”. Ishte një spot i çuditshëm, duke pranuar se shumë hebrenj amerikanë janë tradicionalisht demokratë, dhe do të ishte shumë e vështirë të mendonin të votonin për Trump.

Por Trump ka qenë - siç e thotë edhe vetë - “mbrojtësi” i Izraelit. Dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ishte udhëheqësi i parë i huaj që e përgëzoi për fitoren: ”Urime për rikthimin në pushtet më madhështor në histori!”. Netanyahu i premtoi Trumpit “një miqësi të vërtetë”.

Në fakt të dy kanë një histori të vështirë. Nuk folën për 4 katër vjet, pasi Netanyahu e njohu fitoren e Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020. Në prill të këtij viti, Trump bëri disa akuza ndaj Bibit në një intervistë që dha për revistën “Time”.

Ai e fajësoi atë për masakrën e 7 tetorit 2023, dhe tha se udhëheqësi izraelit ishte tërhequr nga ai që supozohej të ishte një operacion i përbashkët për të vrarë gjeneralin iranian Qasem Soleimani (Kjo ishte diçka që nuk e harrova asnjëherë, do të deklaronte Trump). Pra sipas tij Bibi, është një lider jo i qëndrueshëm dhe jo ​​besnik.

Ata i rregulluan marrëdhëniet gjatë verës, kur Bibi vizitoi rezidencën e Trump Mar-a-Lago. Ishte një takim gjithë buzëqeshje dhe përqafime pranë pishinës. Më vonë Trump deklaroi në një nga tubimet e tij, se Netanyahu e telefononte thuajse çdo ditë për të marrë këshilla.

Ai tha se Izraeli duhet t’i “japë fund problemit” në luftën kundër Hamasit. Ai u gëzua me sulmin izraelit ndaj Hezbollahut përmes sabotimit të mijëra radiomarrëseve. E gjitha kjo është një kujtesë se si Trump, ishte presidenti amerikan që njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, që e zhvendosi ambasadën amerikane atje, dhe i dha fund marrëveshjes bërthamore të Iranit.

Por Trump është gjithashtu transaksional, dhe mbështetja ushtarake amerikane për Izraelin raportohet se ka kushtuar 23 miliardë dollarë vetëm vitin e kaluar. Po ashtu ai është izolacionist, dhe këtë herë mund të marrë në qeveri njerëz shumë besnikë, për t’u përballur me sfidat që do të hasë në lidhje me politikën e jashtme të Amerikës.

Mbi të gjitha, ai është një marrëveshje-bërës, dhe pikërisht këtu qëndron rreziku për Netanyahun. Një nga fitoret diplomatike më të mëdha dhe më të papritura të presidencës së Trump ishte Marrëveshja Abrahamike. Trump përdori si të dërguar special dhëndrin e tij, Jared Kushner, që shkoi në Lindjen e Mesme për të arritur paqen.

Për habinë e të gjithëve, Kushner u kthye në SHBA me marrëveshjen, sipas së cilës Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini e njihnin shtetin e Izraelit. (Në këtë sukses mund të ketë ndihmuar fakti që Kushner kishte marrë shumë këshilla nga i ndjeri Henry Kissinger).

Hapi tjetër logjik, është që edhe Arabia Saudite të bënte zyrtarisht paqe me Izraelin. Ata po shkonin drejt një marrëveshjeje të ngjashme, pak përpara sulmit të 7 tetorit 2023 në Izrael nga Hamasi. Por sot, çmimi që kërkojnë sauditët për një marrëveshje të tillë, është krijimi i një shteti palestinez, skenar për të cilin Netanyahu e ka shpenzuar gjithë karrierën e tij në përpjekje për ta penguar.

Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, kanë deklaruar se nuk do të rikthehen në Shtëpinë e Bardhë, sepse janë shumë të zënë duke u bërë miliarderë, teksa fondi i investimeve të Kushnerit është plot me para. Por ndërsa Kushner nuk kishte asnjë rol zyrtar në fushatën zgjedhore të vjehrrit të tij, thuhet se ishte shumë aktiv në prapaskenë.

A mund ta thërrasë Trump që të punojë sërish në një mënyrë joformale, si një kanal i pasmë për t’u marrë vesh me udhëheqësin saudit? Ky rol jozyrtar, mund t’i përshtatet shumë Kushnerit. Kur Trump u largua nga detyra, Mohammed bin Salman (MBS) i dha plot 2 miliardë dollarë fondit të themeluar prej tij.

Qënia jashtë një posti zyrtar, e bën shumë më të lehtë pranimin e këtyre pagesave. Kushner dhe MBS kanë pasur gjithmonë një raport të ngrohtë midis tyre. Por ta bindësh këtë të fundit të tërhiqet nga kërkesa për një shtet palestinez do të jetë e vështirë.

Në shtator, Princi saudit i Kurorës u duk se po e forconte qasjen e tij, duke thënë se një shtet palestinez, është kushti i çdo lloj marrëveshje për paqe. Kjo është një retorikë e nevojshme për një sundimtar autoritar sunit, që mëton të jetë udhëheqës i botës arabe, e cila është shumë e tronditur nga imazhet e kufomave të fëmijëve në Gaza dhe Liban.

Por familja mbretërore saudite, është e pamëshirshme në ndjekjen e interesave të veta dhe Kushner - apo ndonjë i dërguar tjetër - do të kenë në dispozicion kartën më të fortë të mundshme për ta luajtur: premtimin për një pakt të ri mbrojtjeje me SHBA-në.

Një marrëveshje e tillë, është ndoshta e mundur vetëm si pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve saudio-izraelite. Përndryshe, edhe një senat me shumicë republikane, do ta kishte të vështirë që të ratifikonte një tjetër angazhim ushtarak të SHBA-së. Sauditët mund të binden të bien dakord për një lloj kompromisi: një udhërrëfyes për një shtet sovran palestinez, dhe jo për krijimin e tij. Dhe kjo sepse Lindja e Mesme është në pragun e një lufte katastrofike, e cila mund të përfshijë të gjithë rajonin. Rruga drejt një lufte më të gjerë është më se e qartë.

Irani dhe Izraeli janë të mbërthyer në një cikël përshkallëzues. Një muaj më parë, Irani lëshoi ​​180 raketa balistike në drejtim të Izraelit. Izraeli u kundërpërgjigj me goditje të sakta dhe efektive në instalimet ushtarake, duke shkatërruar thuajse plotësisht mbrojtjen ajrore iraniane. Reagimi i ri nga Irani nuk ka ndodhur ende, por zyrtarë të lartë iranianë janë cituar të kenë thënë se ai do të jetë “i ashpër” dhe “i paimagjinueshëm”. Kjo është një retorikë standarde, por Udhëheqësi më i Lartë i Iranit, Ali Khamenei, mund të ndjejë se duhet të urdhërojë një sulm disi më të besueshëm, në mënyrë që të shmangë pranimin e humbjes.

Më pas Izraeli mund ta zgjerojë luftën për të goditur rafineritë dhe depozitat e naftës, si dhe programin bërthamor të Iranit. Deri sa Trump të marrë detyrën, lufta mund të jetë përhapur më tej në Lindjen e Mesme. Ai mund të mendojë se SHBA-ja duhet që të ndërhyjë në konflikt në anën e Izraelit (kjo mund të ndodhë edhe para ai të ketë bërë betimin).

Nëse është i vërtetë pretendimi se Irani drejtoi një operacion të fshehtë ndikimi për ta dëmtuar Trumpin në zgjedhje, atëherë kjo ka qenë një lëvizje aspak e zgjuar e Teheranit. Por Trump do të donte që të largohej krejtësisht nga rajoni në aspektin ushtarak. Ai deklaroi dikur se “vendimi i vetëm më i keq që ka marrë ndonjëherë vendi ynë”, ishte të ndërhynte ushtarakisht në Lindjen e Mesme.

Trump është i zhgënjyer nga kjo gjë, dhe është e vështirë të thuhet se çfarë do të bëjë më pas. Katër vitet e ardhshme, do të jenë jo të lehta për udhëheqësit në Lindjen e Mesme dhe kudo tjetër. Por nëse Trump është koherent mbi diçka, kjo ka të bëjë me faktin që ai nuk është një luftënxitës.

Ai ka folur shpesh muajt e fundit mbi dëshirën e tij për t’i dhënë fund dhe njëherë e përgjithmonë konflikteve të shumta në Lindjen e Mesme, dhe jo për t’u rikthyer atje çdo 5 apo 10 vjet. Kjo do të ishte “marrëveshja e shekullit”, dhe nëse kjo nënkupton krijimin zyrtar të një shteti të njohur palestinez, atëherë Netanyahu do të zbulojë të vërtetën e thënies së dikurshme të Palmerston se kombet nuk kanë aleatë të përjetshëm, por vetëm interesa./Përshtati Pamfleti nga “The Spectator”

Shënim: Paul Wood, korrespondent i BBC-së për mbi 25 vjet, në Beograd, Athinë, Kajro, Jerusalem, Kabul dhe Uashington.

donald trump tensionet në lindjen e mesme

Lini një Përgjigje