TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Shtator 2024, 10:33

Ç’do të ndodhë me Evropën pas luftës në Ukrainë? Tre skenarët e mundshëm

Shkruar nga Pamfleti

Ç’do të ndodhë me Evropën pas luftës në

Ndërsa vazhdon kriza në Lindjen e Mesme, lufta do të zgjerohet më tej në mënyrë të pashmangshme, me sulmin e Izraelit ndaj Libanit.

Me një front të ri të zgjeruar, do të përballemi me dy kriza të mëdha. Njëra e përqëndruar në Lindjen e Mesme dhe tjetra në Evropë. Ndikimi i të dyjave do të jetë thelbësor në panoramën e rendeve të reja rajonale.

Duke e lënë mënjanë Lindjen e Mesme, le të shohim se si rezultati i luftës së vazhdueshme në Ukrainë, do të ndikojë mbi sigurinë e Evropës në të ardhmen. Tre mund të jenë skenarët: bashkëpunim, konkurrencë dhe hegjemoni. Unë do t’i shtjelloj këta skenarë bazuar në 3 parametra bazë:autonominë strategjike të Evropës, ndikimin e SHBA-së mbi Evropën, dhe pozicionimin e Rusisë në këtë panoramë.

Një bashkëpunim i frytshëm

Në këtë skenar, do të kemi një rritje të bashkëpunimit midis qeverive evropiane. Pas Brexit, Britania e ka forcuar më tej bashkëpunimin me BE-në në fushën e mbrojtjes, por edhe nevojën e pajtimit me Rusinë dhe ri-integrimit të saj në Evropë. Shenjë e kësaj klime pozitive, do të ishte rritja e numrit dhe e shtrirjes së projekteve të përbashkëta të mbrojtjes dhe aktiviteteve prodhuese, por dhe një qasje më pajtuese midis anëtarëve të unionit.

Më herët, janë krijuar struktura si Fondi Evropian i Mbrojtjes (EDF) dhe Bashkëpunimi i Përhershëm i Strukturuar (PESCO) për të rritur bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes. EDF ndryshon nga PESCO, sepse përfiton më shumë nga fondet e BE-së dhe inkurajon bashkëpunimin përmes krijimit të kompanive të përbashkëta në vend të negociatave ndërshtetërore, duke reduktuar rolin e institucioneve shtetërore siç janë Ministritë e Mbrojtjes.

Ai bazohet tek një qasje mbi-kombëtare, dhe synon bashkëpunim më të thellë se PESCO. Ka disa tregues të mundshëm të këtij rendi bashkëpunues të sigurisë në Evropë, siç është rritja e autonomisë strategjike të kontinentit. Problemi kronik i paaftësisë për të shkuar tek siguria dhe mbrojtja mbi-kombëtare, do të tejkalohej përmes mekanizmave të tillë si EDF.

Rritja e efektivitetit të NATO-s, por zvogëlimi i dominimit të SHBA-së, do të ishte një tjetër rezultat. Shtylla evropiane e NATO-s do të forcohej, dhe ajo do të bëhej më e vetë-mjaftueshme dhe e pavarur nga Uashingtoni. Po ashtu, përmes rritjes së kostove, sanksioneve të përbashkëta dhe mbështetjes më të madhe për Ukrainën, do të frenoheshin orekset perandorake të Rusisë.  Madje në një kohë të dytë, kjo e fundit mund të ri-integrohet në sistem.

Konkurrencë dhe ndarje

E ardhmja e dytë e mundshme për mjedisin e sigurisë së Evropës, mund të përkufizohet si konkurruese, dhe kjo ka të ngjarë të jetë në fakt një Luftë e dytë e Ftohtë me Rusinë. Ky skenar, mund të bëhet realitet nëse dallimet midis qeverive evropiane dhe masave që marrin ato, çojnë në një papajtueshmëri dhe skepticizëm midis tyre dhe marrëdhënieve të tyre me aktorët e jashtëm gjatë gjithë luftës Rusi-Ukrainë.

Sipas këtij skenari, fuqitë e mëdha në kontinent, si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, ndjekin politika që kanë si prioritet interesin e tyre kombëtar. Nisma Evropiane e Mburojës  Qiellore, shkaktoi jo pak debate brenda BE-së, sidomos midis Gjermanisë dhe Francës, duke përfshirë kritika të hapura në media.

Në kushtet e konkurrencës, qeveritë evropiane do të dështonin të gjenin gjuhën e përbashkët se si ta trajtojnë kërcënimin që vjen nga Rusia, me përdorimin e madh nga Moska të raketave dhe dronëve kamikazë, dhe shqetësimet shoqëruese mbi mbrojtjes ajrore dhe raketore.

Ky skenar mund të prodhojë edhe disa rezultate të mundshme. Nacionalizmi dhe proteksionizmi do të vazhdonin të zgjeroheshin, në kushtet kur industria vendase e mbrojtjes do të kishte përparësi, diçka që preferohet sidomos nga Franca. Po ashtu do të zbehej efektiviteti i NATO-s, sepse shtetet evropiane nuk do të arrinin të shpenzonin sa duhet për mbrojtjen për shkak të përçarjeve të brendshme.

Ndërkaq mungesa e mbështetjes nga SHBA-së, do të çonte Evropën Lindore, Baltikun dhe Ballkanin drejt militarizimit të shpejtë, gjë që do të krijonte dilema të reja në fushën e sigurisë. Rusia do ta ruante pozicionin e saj si një fuqi ushtarake, për shkak të paaftësisë së Evropës për t’u bashkuar si dhe mungesës së efektivitetit.

Nga ana tjetër, kjo  do t’i jepte mundësi Moskës të shpeshtonte fushatat e saj keq-informuese dhe praktikat e luftës kibernetike dhe hibride brenda Evropës. Rezultati përfundimtar i këtij skenari, do të ishte rritja e ndikimit të SHBA-së mbi Evropën.

E kufizuar, e ndërvarur

Mjedisi i fundit i mundshëm i sigurisë mund të përkufizohet si hegjemonist dhe kufizues, duke përfshirë një Luftë të Ftohtë ndaj Kinës. Ky skenar, do të ishte rezultat i paaftësisë për të ndërtuar një autonomi strategjike në kontinent, duke ndërtuar baza ushtarake të përbashkëta dhe hartuar shumë projekte brenda kuadrit të strukturave EDF dhe PESCO.

Kjo do të forconte  ndikimin e SHBA-së në mbrojtjen dhe sigurinë e Evropës. Që nga fillimi i luftës në Ukrainës, pavarësisht deklaratave kundërthënëse të vendeve evropiane, gjithnjë e më shumë blerjet e armëve prej tyre janë bërë nga jashtë unionit, me SHBA-në që është deri më sot burimi më i madh i furnizimit.

Shumë vende në kontinent, kishin porositur që para luftës avionët luftarakë amerikane F-35.  Por duket se janë bërë porosi shtesë nga vende si Çekia, Gjermania, Zvicra dhe Rumania. Vendet me buxhete mbrojtjeje më modeste, si Bullgaria dhe Sllovakia, kanë porositur gjithashtu avionë luftarakë F-16 Block-70 nga SHBA-ja.

Për shumë prej tyre, blerjet e armatimeve nga Amerika shihen si garanci e sigurisë amerikane dhe vazhdimësi e pranisë ushtarake të saj në Evropë. Në rast se analizohen dokumentet strategjike të vendeve të Baltikut, Evropës Lindore dhe Ballkanit, atëherë do të kuptohet se ruajtja dhe forcimi i pranisë amerikane në territoret e tyre është një prioritet strategjik.

Pasoja e mundshme e një rendi hegjemonist të sigurisë, do të ishin shfaqja e një bote bipolare.

Me dominimin e SHBA-së, do të merrte fund pretendimi i BE-së për të qenë një aktore e fortë dhe e pavarur në rendin global. Dhe një BE e dobësuar, do të adoptonte politikën e të qenit një aktor anësor i SHBA-së, ndërsa një Rusi e dobësuar e pasluftës do të mbetej në anën e Kinës. Bipolariteti do të bëhet më i dukshëm dhe më i mprehtë. Kjo do ta ngushtonte jo pak fushën e veprimit. Për shkak të dominimit amerikan dhe tipareve të strukturave bipolare, shtetet e vogla do të bëheshin edhe më të varura nga SHBA. Kjo do të çonte edhe në rritjen e imunitetit të SHBA-së ndaj dezertimeve nga aleatët.

Një pasojë tjetër e këtij skenari, do të ishte dobësimi dhe përjashtimi i Rusisë nga sistemi. Meqë SHBA-ja do të ishte e fuqizuar dhe dominuese, ajo do të siguronte vazhdimin e luftës, e cila mund të përfundojë me një ndryshim të qeverisë në Moskë. Ky do të ishte një skenar poshtërues për Rusinë.

Nga ana tjetër, nëse Rusia e fiton luftën ndaj Ukrainës, ajo do të përjashtohet tërësisht nga mjedisi i sigurisë evropiane i dominuar nga SHBA, dhe do të thellohej më tej ndarja Lindje-Perëndim. Që të gjithë këto skenarë, ka të ngjarë të varen nga rezultati i luftës në Ukrainë./ Përshtati "Pamfleti", marrë nga “Daily Sabah”

Lini një Përgjigje