Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në union.
Në një fjalim para Parlamentit Europian në Ditën e Europës, që shënohet më 9 maj, Scholz bëri thirrje edhe për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Europa duhet të hapet edhe ndaj të tjerëve. Vendime kyçe për Europën ishin ato të vitit të kaluar, kur vendosëm të punojmë për një Europë të zgjeruar. U kemi thënë vendeve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe Ukrainës, Moldavisë e ndoshta edhe Gjeorgjisë, se e kanë vendin në Europë.“, tha Scholz.
“Europa gjeopolitike duhet t’i mbajë premtimet e veta. Premtimet duhet të mbahen ndaj vendeve të Ballkanit, të cilave po u premtojmë anëtarësim tash e 20 vjet. Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë. Duhet të vazhdojnë reformat për integrim. Duhet të avancohet edhe procesi i negociatave me Maqedoninë e Veriut. Zgjerimi nuk duhet të jetë i vetmi motiv për reforma, por duhet të kihet parasysh“, tha kancelari gjerman.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë më shumë përparim në negociatat e anëtarësimit në BE, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur vitin e kaluar këto negociata.
Bosnje e Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, dhjetorin e kaluar.
Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është premtuar qysh në vitin 2003, kur përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, të mbledhur në një samit në Selanik të Greqisë, kanë miratuar një deklaratë të përbashkët për këtë qëllim.
Scholz tha se “sa më e bashkuar që është Europa, aq më lehtë do të përballet me sfida”.
“Ne duhet të jemi edhe më të hapur ndaj tjerëve. Na duhet një BE e zgjeruar dhe e reformuar, një BE gjeostrategjike. Rrallëherë kemi qenë më të bashkuar sesa tash në përballje me agresionin e Rusisë [në Ukrainë]”, tha Scholz.
Kancelari gjerman tha, po ashtu, se Bashkimi Europian po punon për të përmirësuar regjimin e sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Lini një Përgjigje