TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Dhjetor 2024, 22:20

“Diplomacia raketore” e Rusisë dhe e ardhmja e paparashikueshme e Evropës

Shkruar nga Ahmet Turan

“Diplomacia raketore” e Rusisë dhe e ardhmja e paparashikueshme

Me qasjen aktuale Perëndimi mund të na çojë drejt një luftë globale, teksa po shtyhet për më vonë çështja e negociatave me Rusinë në tryezat diplomatike.

Në literaturën e marrëdhënieve ndërkombëtare, kombinimi i fjalëve Rusi dhe Perëndim, shoqërohet gjithmonë me një fjalë të tretë: rivalitet. Ishte koha e kolapsit të Bashkimit Sovjetik, kur komuniteti ndërkombëtar kishte shpresat më të mëdha se ky koncept do të bëhej pjesë e historisë.

Ata që e përgatitën krijimin e Federatës Ruse, paraardhësen e BRSS-së, duhet të kenë pasur një besim të ngjashëm, pasi Georgy Arbatov, një nga këshilltarët politikë të Gorbachev në atë kohë, e shpalli kështu para Perëndimit shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik: ”Ne do t’iu bëjmë diçka shumë të keqe. Do t’ju privojmë nga një armik!”.

Në shekullin XXI-të, politika e famshme e kontrollit e Shteteve të Bashkuara është kthyer në sinonimin e “ngërçit”. Megjithëse pa një emër doktrinar, objektivi kryesor i politikës amerikane të ngërçit, ka qenë tërheqja e Rusisë në një luftë me mjete dhe metoda të ndryshme, dhe mbajtja e saj e zënë.

Kjo sepse SHBA-ja e ka parë që kjo taktikë ishte e suksesshme disa dekada më parë, kur e tërhoqi BRSS në moçalin e Afganistanit. Edhe pse asgjë nuk ka ndryshuar shumë, sa i përket logjikës së Perëndimit, në kampin rus ka ndryshuar diçka: “faktori Putin”.

Duke hyrë në shekullin XXI-të me presidentin rus Vladimir Putin, Rusia është futur në një proces të shpejtë rimëkëmbje, megjithatë SHBA-ja nuk e ka ndryshuar taktikën që e mendonte ende si fituese, duke e tërhequr Rusinë e Putinit në aventurën e Gjeorgjisë dhe Ukrainës.

Sot, vdekja e mbi 500.000 njerëzve në një luftë konvencionale në zemër të Evropës, të kujton Evropën e shekullit XVII-të. Ideja që Putini është përgjegjës për këtë situatë është e saktë, por e paplotë. Mund të vihet në pikëpyetje edhe racionaliteti i reagimeve të Rusisë.

Në një intervistë që dha disa vite më parë për dokumentarin me të njëjtin titull, dhe me regji të Andrey Kondrashov, Putin shpjegoi se nuk e ka për karakter të struket në një qoshe. “Kur isha fëmijë, një ditë isha duke zbritur shkallët kur pashë një mi. Fillova ta ndjek. E ndoqa derisa e futa në një qoshe. Por pastaj ai u kthye nga unë dhe filloi të më ndiqte. Po hidhej nga një shkallë në tjetrën, duke u përpjekur të më vërsulej!”- tregoi ai.

Reagimi i Rusisë ndaj agresionit në Abkhazi në vitin 2008, dhe në Ukrainë në 2014-ën, mund të konsiderohen si revanshi e atij miu ndaj të riut Putin. Megjithatë, kur flitet për procesin aktual, në dallim nga reagimi tradicional i Putinit, mund të flasim për një “shtyrje të përballjes”.

Propaganda disamujore e mediave perëndimore se “Rusia do ta pushtojë Ukrainën” i dha frytet e saj në shkurt të vitit 2022, dhe trupat ruse u nisën për në Ukrainë me njoftimin e Moskës për një “operacion special ushtarak”. Kjo luftë do të hyjë shumë shpejt në vitin e saj të katërt, dhe po e kërcënon seriozisht paqen botërore.

Rreziqet e mbështetjes së pakushtëzuar të presidentit amerikan Joe Biden për Ukrainën dhe shumicës së qeverive evropiane, nuk janë kuptuar ende plotësisht. Tre vitet e fundit, lufta midis dy prodhuesve kryesorë të drithërave në botë, ka shkaktuar një presion të madh mbi zinxhirin global të furnizimit.

Një kontradiktë tjetër morale e kësaj lufte, është morali me dy 2 standarte në shfaqjen e solidaritetit të Perëndimit në mbështetje të Ukrainës, të cilën nuk e tregoi gjatë pushtimit të Gazës nga Izraeli. Megjithatë, tani ka nisur numërimi mbrapsht drejt humnerës.

Mjerisht, fjalët e Ministrit të Jashtëm turk Hakan Fidan “ose një luftë e madhe, ose një paqe e madhe” në lidhje me gjenocidin e Izraelit në Gaza, janë po aq të vlefshme edhe për vijën e frontit ruso-ukrainas. Lufta Rusi-Ukrainë, i është nënshtruar qëndrimeve të paarsyeshme të aktorëve perëndimorë, si në fillimin e saj, ashtu edhe më vonë.

Në këtë drejtim, Turqia ka qenë nga aktorët që mbajti një qëndrim të arsyeshëm ndaj këtij konflikti. Shenja e parë e qëndrimit të ekuilibruar të Ankarasë në fillim të luftës, ishte njoftimi se do të zbatonte plotësisht Konventën e Montrosë për të dyja vendet, që lagen nga Deti i Zi.

Nga ana tjetër, lufta mes dy vendeve, shkaktoi një krizë të furnizimit me ushqime. Në këtë drejtim, Ankaraja ka marrë iniciativën si një aktore ndërmjetësuese dhe balancuese. Përmes nismës mbi eksportet e drithrave në Detit të Zi dhe në koordinim me Kombet e Bashkuara, Turqia ka bërë të mundur dërgimin e shumë se 33 milionë tonëve drithë në pjesët e botës që kanë shumë nevojë për to.

Ankaraja po bën edhe sot përpjekje të veçanta për të parandaluar një përshkallëzim të luftës. Diplomatët turq, po i paralajmërojnë çdo ditë homologët e tyre perëndimorë mbi rreziqet e Doktrinës Bërthamore të Putinit. Shefi i diplomacisë Hakan Fidan përsëriti paralajmërimin e tij se ky përshkallëzim, i cili autorizon përdorimin e armëve bërthamore, duhet marrë seriozisht.

Me qasjen aktuale Perëndimi mund të na çojë drejt një luftë globale, teksa po shtyhet për më vonë çështja e negociatave me Rusinë në tryezat diplomatike.

Megjithatë, perëndimorët duhet t’i kushtojnë vëmendje thënies së famshme të Benjamin Franklin, njërit prej baballarëve themelues, fytyrën e të cilit politikanët amerikanë e shohin çdo ditë të stampuar në kartmonedhat e tyre: “Ju mund të vonoheni, por koha jo!”./ Përshtati "Pamfleti" nga “Daily Sabah”.

Lini një Përgjigje