TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Dhjetor 2024, 17:47

Franca drejt kaosit, Barnier bie brenda javës, Macron s’ka shumë opsione përballë ekstremistëve

Shkruar nga Clea Caulcutt & Giorgio Leali

Franca drejt kaosit, Barnier bie brenda javës, Macron s’ka shumë

A do të ketë zgjedhje të reja në këto kushte? Jo. Topi do të kthehet në fushën e Macron.

Përfundimi i mandatit jashtëzakonisht të shkurtër të Michel Barnier si kryeministër i Francës, duket i pashmangshëm, teksa qeveria e tij përballet këtë javë me një mocion mosbesimi, të cilën parashikohet ta humbasë. Ky votim, mund të shkaktojë edhe një krizë financiare për ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës, dhe të frikësojë gjithë bllokun.

Kryeministri francez, është përpjekur të qetësojë tregjet dhe miratojë një buxhet që do të mbushë një vrimë të zezë në financat franceze. Por këto përpjekje mund të rezultojnë të kota. Të hënën, Barnier, ish-kryenegociatori i BE-së për Brexit, përdori një manovër të diskutueshme kushtetuese për të anashkaluar parlamentin dhe miratuar një projektligj për financimin e sigurimeve shoqërore.

Në kundërpërgjigje, opozita e majtë paraqiti një mocion mosbesimi, që do të hidhet në votim sot ose nesër. Forcat opozitare, përfshirë koalicionin e majtë Fronti i Ri Popullor dhe Tubimin Kombëtar i ekstremit të djathtë, kanë paralajmëruar se do të votojnë për rrëzimin e qeverisë. 

“Mjaft më me keqtrajtimin e francezëve… Ne nuk mund t’i lëmë gjërat ashtu siç janë”- u tha gazetarëve të hënën kryetarja e Tubimit Kombëtar, Marine Le Pen. Nëse parlamenti e rrëzon Barnier, kjo do të ishte hera e parë që një qeveri franceze bie në këtë mënyrë që nga viti 1962.

Udhëheqësi tjetër i ekstremit të djathtë Jordan Bardella, është shprehur se qeveria do të bjerë, përveçse nëse ndodh “një mrekulli e minutës së fundit”. Barnier u emërua nga presidenti Emmanuel Macron në shtator, në një përpjekje të fundit për të gjetur një rrugëdalje nga kriza politike, e cila u nxit nga vetë presidenti francez me thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme pas humbjes në zgjedhjet evropiane.

Por Barnier pati në parlament vetëm mbështetjen e brishtë të koalicionit të Macron dhe konservatorëve. Në kushtet kur Fronti i Ri Popullor, që fitoi më shumë vende në zgjedhjet e parakohshme, u zotua se do ta rrëzonte qeverinë, mbijetesa e Barnier varej nga udhëheqja e ekstremit të djathtë.

Por tani Le Pen është e sigurt se do ta silurojë qeverinë aktuale. A do të ketë zgjedhje të reja në këto kushte? Jo. Topi do të kthehet në fushën e Macron. Presidenti, mandati i të cilit zgjat deri në vitin 2027, mund të rifillojë bisedimet për emërimin e një kryeministri dhe një qeverie të re.

Por edhe sikur të donte, Macron nuk mund të thërrasë zgjedhje të reja parlamentare, pasi ai thirri një palë të tilla në korrik. Sipas kushtetutës franceze, ai nuk mund të thërrasë zgjedhje të reja përpara verës së vitit që vjen. Dhe kjo do të thotë, se pasiguria dhe trazirat politike mund të zgjasin për javë dhe madje edhe për muaj të tërë.

Por gjërat mund të ndryshojnë nëse vetë Macron jep dorëheqjen, gjë që do të sillte mbajtjen e zgjedhjeve të re presidenciale. Ai e ka mohuar me vendosmëri këtë skenar, por gjithnjë e më shumë zëra po bëjnë thirrje për largimin e tij.

“Është një ide që mund të nisë të ketë terren. Marine Le Pen mund të rrëzojë çdo qeveri, derisa Macron të japë dorëheqjen”- thotë Benjamin Morel, politolog në Universitetin Panthéon-Assas në Paris. Nga ana tjetër, emërimi i një kryeministri të ri nuk është aq i thjeshtë.

Sepse Asambleja Kombëtare është e ndarë në 3 blloqe politike: centristët e Macron, Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë dhe koalicioni i krahut të majtë. Ato janë pole të ndryshme në politikë, dhe refuzojnë të punojnë së bashku. Pra kjo nënkupton se çdo qeveri e re mund të rrëzohet brenda disa ditësh.

Macron mund të emërojë një kryeministër tjetër të krahut të djathtë, njëlloj si Barnier, i cili do të kishte mbështetjen e centristëve dhe konservatorëve, dhe që ashtu si Barnier, mund të përpiqet të fitojë mbështetjen e Le Pen. Por do të detyrohet të bëjë lëshime të mëdha për udhëheqësen e ekstremit të djathtë.

A po shkon Franca drejt një krize borxhesh si ajo e Greqisë? Ende jo, por situata mund të përkeqësohet me shpejtësi. Kriza politike është shfaqur në një moment shumë të keq. Franca është dobësuar nga një deficit i jashtëzakonshëm, të cilin Barnier po përpiqet ta frenojë me shkurtime të mëdha të shpenzimeve dhe rritje të taksave.

Rënia e mundshme e qeverisë së tij, po i frikëson tregjet financiare, aq sa të hënën bonot greke kishin një vlerë më të lartë se ato franceze. Javët e fundit, aleatët e Barnier por edhe analistët kanë paralajmëruar vazhdimisht se kriza politike e Francës, mund të kthehet në një krizë të re të eurozonës.

Indeksi në bursa i 40 kompanive më të mëdha të vendit, CAC40, ra me 0.2 për qind të hënën. Gjithsesi investitorët thonë se Franca nuk është ende në pragun e një krize financiare, ose të paktën jo ende. Agjencia e vlerësimit S&P, tha javën e kaluar se “ekonomia e vendit mbetet e qëndrueshme, pavarësisht pasigurisë politike”.

Nëse qeveria Barnier rrëzohet këtë javë, do të anulohen dhe planet e saj buxhetore për vitin 2025. Megjithatë Barnier ose pasardhësi i tij, mund të sigurojnë që Franca të ketë një buxhet për vitin e ardhshëm, falë disa mekanizmave ndalues.

Më kryesori prej tyre, ka të bëjë me nxjerrjen e një “ligji të posaçëm”, që e lejon qeverinë të mbajë buxhetin e vitit të kaluar për disa muaj, derisa të miratohet një buxhet i ri. Ky ligj do të paraqitet nga qeveria e re e Francës ose ajo që po largohet. Por ky skenar, ka të ngjarë të shqetësojë Brukselin dhe tregjet financiare, të cilët duan që Parisi të shkurtojë borxhin e tij./Përshtati "Pamfleti", nga “Politico.eu”.

Lini një Përgjigje