Kabineti i luftës i Izraelit është përfshirë në një debat të nxehtë rreth asaj se si dhe kur t’i përgjigjet sulmit të Iranit ndaj vendit të tyre, thonë për CNN dy zyrtarë izraelitë.
Kabineti i luftës mbetet i vendosur t’i përgjigjet sulmit të Iranit, por anëtarët e tij vazhdojnë të debatojnë për kohën dhe shtrirjen e një përgjigjeje të tillë, thanë zyrtarët. Përveç një reagimi të mundshëm ushtarak, kabineti i luftës po shqyrton gjithashtu opsionet diplomatike për të izoluar më tej Iranin në skenën botërore.
Benny Gantz, një anëtar kyç i kabinetit të luftës, ka kërkuar një përgjigje më të shpejtë ndaj sulmit të Iranit, thanë dy zyrtarë izraelitë.
Kryeministri Benjamin Netanyahu deri më tani ka frenuar marrjen e një vendimi. Gantz beson se sa më gjatë që Izraeli të vonojë përgjigjen e tij ndaj sulmit të Iranit, aq më e vështirë do të jetë të fitojë mbështetje ndërkombëtare për një sulm të tillë, tha një nga burimet. Shumë vende tashmë po paralajmërojnë Izraelin kundër përshkallëzimit të situatës më tej me një përgjigje ushtarake.
Qeveria e Izraelit është e vetëdijshme se vendi aktualisht po gëzon mbështetje ndërkombëtare dhe vullnet të mirë nga aleatët e tij dhe nuk dëshiron ta shpërdorojë atë. Në të njëjtën kohë, qeveria pranon se nuk mund të lejojë që sulmi i parë i Iranit në tokën izraelite të mbetet pa përgjigje.
Ndër opsionet ushtarake që po shqyrtohen, kabineti i luftës po shqyrton një sulm ndaj një objekti iranian që do të dërgonte një mesazh, por do të shmangte shkaktimin e viktimave, tha një zyrtar izraelit.
Kjo ngjarje të hapë “kutinë e Pandorës për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme, shprehen ekspertët.
Dr Sanam Vakil, drejtor i programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Chatham House, tha për Sky Neës se topi tani është "në fushën e Izraelit".
Ajo u shpreh se zyrtarët izraelitë do të peshojnë nëse do të nisin një kundërsulm apo do të ndalojnë për të reflektuar mbi hapat e ardhshëm.
“Izraeli po ashtu ka një mundësi tani për të përfituar mbështetjen ndërkombëtare”, tha Dr Vakil.
Deborah Haynes shprehet se situata është tepër serioze"dhe nëse Izraeli hakmerret kundër Iranit, do të ketë ndarje të mëdha.
“Të gjithë në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA shpresojnë se Izraeli nuk do të hakmerret, por ka zëra brenda Izraelit që dëshirojnë një hakmarrje të fortë. Por nëse e bëjnë, ka degëzime të mëdha. Ka shqetësime të mëdha për shkaktimin e një lufte rajonale, potencialisht edhe të një lufte botërore. Kjo është një kohë kur nuk ka konflikt vetëm në Lindjen e Mesme,"- u shpreh ajo.
Po ashtu ekspertja paralajmëroi se kjo është një shashkë për të ndezur luftën në Evropë.
Si mund të hakmerret Izraeli?
Përgjigja mund të jetë një sulm ajror në vetë Iranin, thotë analisti Clarke.
Po ashtu sipas tij ata mund të përpiqen të godasin interesat iraniane në Irak dhe Siri.
"Ose ata mund të zgjedhin mënyrën diplomatike dhe të vazhdojnë të shkojnë në OKB dhe organizatat ndërkombëtare dhe të thonë se duan më shumë sanksione. Nuk mendoj se do ta bëjnë këtë sepse kjo nuk është në ADN-në e kësaj qeverie izraelite."-shtoi më tej analisti.
Lini një Përgjigje