
Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një takim të jashtëzakonshëm të dielën pasdite për të adresuar sulmet ushtarake të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore të Iranit, një veprim që ka ndezur një debat të ashpër ndërkombëtar dhe ka përshkallëzuar tensionet në Lindjen e Mesme. Përfaqësues të shteteve të ndryshme shprehën qëndrime të forta, me dënime dhe mbrojtje të sulmeve, ndërsa thirrjet për armëpushim dhe dialog u bënë qendrore në diskutime.
I dërguari i Kinës në OKB, ambasadori Fu Cong, dënoi ashpër sulmet e SHBA-së, duke i cilësuar si shkelje të Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare.
“Kina, Rusia dhe Pakistani kanë propozuar një projekt-rezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte, mbrojtjen e civilëve, respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe angazhimin në dialog dhe negociata", tha Fu Cong.
Ai akuzoi SHBA-në për “përkeqësimin e tensioneve në Lindjen e Mesme” dhe për dhënien e një goditje të rëndë regjimit ndërkombëtar të mospërhapjes së armëve bërthamore. Ai shtoi:
“Palët në konflikt, veçanërisht Izraeli, duhet të arrijnë një armëpushim të menjëhershëm për të parandaluar një përshkallëzim spirale dhe për të shmangur me vendosmëri përhapjen e luftës”, përfundoi ai.
Edhe ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, shprehu një qëndrim të ashpër, duke i quajtur sulmet ajrore amerikane “të papërgjegjshme, të rrezikshme dhe provokuese”.
Ai paralajmëroi se SHBA-ja ka hapur kutinë e Pandorës dhe se askush nuk e di se çfarë katastrofash të reja do të sjellë.
“SHBA-të qartësisht nuk janë të interesuara për diplomacinë”, shtoi diplomati rus.
Nga ana tjetër, ambasadorja në detyrë e SHBA-së në OKB, Dorothy Shea, mbrojti sulmet ushtarake, duke i cilësuar ato si një reagim të nevojshëm, teksa akuzoi Iranin për një “kërcënim të vazhdueshëm” ndaj paqes globale
“Më në fund erdhi koha që Shtetet e Bashkuara, në mbrojtje të aleatit të tyre dhe në mbrojtje të qytetarëve dhe interesave tona, të veprojnë me vendosmëri. Për 40 vjet, qeveria iraniane ka bërë thirrje për vdekjen e Amerikës dhe vdekjen e Izraelit dhe ka paraqitur një kërcënim të vazhdueshëm për paqen dhe sigurinë e fqinjëve të saj, Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë botës”, tha ajo.
Shea paralajmëroi Iranin të mos përshkallëzojë situatën dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të kërkojë nga Irani t’i japë fund përpjekjeve të tij 47-vjeçare për të zhdukur shtetin e Izraelit, të ndërpresë përpjekjet e tij për armë bërthamore.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, kërkoi dënimin e SHBA-së“në termat më të ashpra të mundshme për sulmet ndaj objekteve bërthamore.
“Qeveria amerikane duhet të mbahet përgjegjëse për këtë sulm kriminal. Bota po vëzhgon; mosveprimi jo vetëm që do ta përkeqësojë këtë krizë, por edhe do ta dëmtojë më tej sigurinë globale”, tha Araghchi, duke shtuar se Këshilli i Sigurimit pritet të lëshojë një dënim të qartë, të vendosur dhe pa mëdyshje të Shteteve të Bashkuara si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit.
Përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Barbara Woodward, theksoi se ky është një “moment vendimtar” për Lindjen e Mesme dhe sqaroi se vendi i saj nuk ka marrë pjesë në sulmet e SHBA-së apo të Izraelit ndaj Iranit.
“Kryeministri im ka qenë i qartë. Ne i bëjmë thirrje Iranit tani të tregojë përmbajtje dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve të kthehen në tryezën e negociatave dhe të gjejnë një zgjidhje diplomatike, e cila ndalon përshkallëzimin e mëtejshëm dhe i jep fund kësaj krize”, tha ajo, teksa i bëri thirrje Teheranit të “bashkëpunojë plotësisht” me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në hetimet e saj.
Lini një Përgjigje