Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, njoftoi se do të zhvillojë bisedime me zyrtarët danezë javën e ardhshme, lidhur me atë se kujt do t’I përkasë ishulli i Groenlandës. Trump është shprehur për të marrë nën kontroll territorin autonom danez të Groenlandës .
Deklarata e Rubios për gazetarët, pas një takimi të mbyllur me anëtarët e Senatit, vjen një ditë pasi Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti i SHBA-së Donald Trump po shqyrton mundësitë, përfshirë përdorimin e forcës ushtarake, për të blerë Groenlandën.
Shqetësimet për të ardhmen e Groenlandës janë rikthyer pas operacionit të njëanshëm ushtarak amerikan në Venezuelë të shtunën, i cili arrestoi presidentin e vendit Nicolas Maduro dhe ngjalli frikë se diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe me Groenlandën.
Administrata Trump argumenton se Groenlanda është kritike për sigurinë e SHBA-së, ndërsa Danimarka përgjigjet se çdo sulm do të nënkuptonte fundin e aleancës ushtarake të NATO-s, së cilës i përkasin të dy vendet.
Rubio tha se “nëse presidenti identifikon një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, çdo president ruan mundësinë për ta adresuar atë me mjete ushtarake”. Megjithatë, ai shtoi se si diplomat, ai preferon t’i zgjidhë çështje të tilla në mënyra të tjera.
Më parë, ministri i Jashtëm Francez Jean-Noël Barrot tha se Rubio pati një bisedë telefonike me të, në të cilën ai përjashtoi mundësinë e një pushtimi të Grenlandës.
Udhëheqësit evropianë kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët duke argumentuar se “Grenlanda i përket popullit të saj dhe vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre”, duke përsëritur mbështetjen për sovranitetin e rajonit.
Lini një Përgjigje