
Izraeli, qëllimi i të cilit është të sigurojë mbijetesën e tij si shtet dhe të popullit hebre, ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrën për t’u kundërpërgjigjur në një mënyrë shkatërruese ndaj regjimit iranian. Ndaj ai meriton mbështetjen e plotë dhe të pakursyer të Perëndimit...
Nëse dëshironi paqen, atëherë në fillim do të jetë e nevojshme një luftë kundër Iranit. Nëse doni shmangien e një Apokalipsi bërthamor, atëherë duhet të zhduket programi bërthamor i Iranit. Dhe në rast se dëshironi një botë më të mirë dhe më të arsyeshme, duhet të largohen nga pushteti teokratët e neveritshëm të Teheranit.
Izraeli duhet të lejohet që ta sulmojë regjimin mizor të Iranit, dhe Perëndimi duhet ta mbështesë atë. Regjimi iranian është në fakt Shteti Islamik origjinal ekstremist. Ai është burimi i thuajse të gjitha problemeve në Lindjen e Mesme, eksportuesi kryesor i terrorizmit, një aleat i Rusisë, një mik i Kinës, një kancer që rrezikon fatin e përbashkët të njerëzimit.
Ky regjim e ka shtypur popullin e tij të mrekullueshëm dhe paqedashës për 45 vjet me radhë, shpeshherë në mënyrat më të egra, duke persekutuar pa mëshirë gratë dhe pakicat. I ndikuar nga vetë-dyshimet, padija, egoizmi dhe frika, Perëndimit ka qenë me dashje i verbër ndaj lutjeve të tyre për çlirim.
Pra ne jemi përpjekur që të zbutim raportet me Mullahët, të relativizojmë apo normalizojmë makinacionet e tyre gjenocidale, të nënshkruajmë marrëveshje me ta, të mbrojmë tregun e tyre të naftës, dhe të blejmë pafundësisht kohë. Kjo qasje nuk ka funksionuar, ndaj tani po troket Dita e Gjykimit.
Ka ardhur koha që Izraeli ta shpëtojë Perëndimin nga vetvetja, të kryejë punën e pistë dhe të rrezikshme, të cilën vendet shumë më të mëdha, më të pasura dhe më të fuqishme janë shumë të dobësuara për ta kryer vetë. Dhe kjo nuk do të ishte hera e parë.
Izraeli i bëri botës një favor historik kur bombardoi reaktorin Osirak të Irakut në vitin 1981 dhe kur në vitin 2007 shkatërroi centralin bërthamor që po ndërtohej në Al-Kibar të Sirisë. Një lëvizje e ngjashme, që synon shumë objekte të tilla të Iranit, nuk është më e pamundshme.
Nëse Izraeli nuk ka pajisjet për ta bërë vetë këtë gjë, atëherë Joe Biden dhe Kamala Harris duhet të dërgojnë bombat e tyre që të shkatërrojnë bunkerët iranianë. Unë nuk po bëj thirrje për ndonjë lloj pushtimi tokësor, apo që edhe Britania e Madhe të përfshihet drejtpërdrejt në këtë luftë.
Por ne duhet të jemi të sinqertë: ndryshimi i regjimit në Iran, duhet të jetë një prioritet kryesor i politikës së jashtme për çdo demokraci në botë. Pse Britania e Madhe nuk ka vendosur ende sanksione ndaj Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC)? Sulmi i të martës ndaj Izraelit, ishte një akt me pasoja fatale për Iranin.
Ai dështoi të vriste ndonjë izraelit apo të dëmtonte ndjeshëm infrastrukturën civile dhe ushtarake. Irani e ka harxhuar tashmë 10 për qind stokut të tij prej 3.000 raketash balistike (siç është vlerësuar nga një gjeneral amerikan vitin e kaluar) pa asnjë dobi për të.
Përkundrazi, ai sulm ka treguar papërshtatshmërinë e tij ushtarake dhe teknologjike, nuk e ka konfirmuar dot mekanizmin e parandalimit, dhe ka sjellë një forcim të madh të pozicionit të Amerikës kundër tij. Po ashtu, i pengoi idiotët e dobishëm të Evropës që të bënin thirrje për një armëpushim në Liban, dhe ka krijuar për herë të parë hapësirë që Izraeli t’i japë Teheranit një goditje shumë të fortë ushtarake.
Sikur Irani të mos kishte bërë asgjë, do të ishte poshtëruar publikisht si pasojë e vrasjes së shumë prej aleatëve të tij. Megjithatë, ai e shmangu pozicionimin direkt në vijën e zjarrit. Duke vepruar në një mënyrë kaq të vrullshme por kaq të padobishme, ai e ka dobësuar pozicionin e tij.
E ka ekspozuar veten në skenën ndërkombëtare si një ngacmues i keq, fanatik, por mjaftueshëm të brishtë për t’u rrëzuar. Irani e keqkuptoi sërish Amerikën. Ai vlerësoi gabim oreksin e Izraelit për të ndërmarrë veprime të rrezikshme dhe për të duruar edhe humbje.
Asnjë qeveri në Jerusalem, nuk mund të tolerojë sulme të përsëritura me raketa nga një shtet i lashtë, që është haptazi i përkushtuar për shkatërrimin e tij. Madje edhe aparatçikët më naivë të Departamentit të Shtetit në SHBA, e pranojnë tani se një Iran bërthamor do të na çonte drejt Luftës së Tretë Botërore.
I gjithë Perëndimi e toleroi Iranin për vite me radhë, duke filluar me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, i mbështetur në Britani nga kryeministri i kohës David Cameron. Por ajo marrëveshje dështoi me turp. Joe Biden u dhuroi mullahëve rreth 6 miliardë dollarë vitin e kaluar për të liruar 5 pengje amerikanë, duke i lejuar ata të kenë qasje tek fondet që më parë ishin ngrirë për shkak të sanksioneve.
Po ashtu, ai firmosi në korrik të këtij viti një anulim tjetër 120-ditor të sanksioneve, duke e lejuar Iranin që t’i shesë Irakut energji elektrike. Ndërkaq SHBA-ja e ka lejuar Iranin që të rrisë në masë të madhe prodhimin e naftës së papërpunuar. Në gusht, prodhimi iranian arriti pikun më të lartë në 6 vitet e fundit, duke ia shitur Kinës një pjesë të madhe të saj.
Në këto kushte, sanksionet e vendosura dikur nga Donald Trump, tani janë shndërruar në një shaka të pakuptimtë. Edhe zbutja e qasjes ushtarake ka qenë po aq e gabuar. Biden i tha Izraelit t’i “gëzohej fitores“ në prill, kur Irani lëshoi 170 dronë, rreth 30 raketa rrëshqitëse dhe mbi 120 raketa balistike në sulmin e tij të parë të drejtpërdrejtë kundër shtetit hebre.
Nuk pati viktima apo dëme domethënëse, dhe shumë raketa dhe dronë u rrëzuan nga një koalicion ndërkombëtar, gjë që Biden e quajti një fitore. Kundërsulmi i Izraelit, ishte kryesisht simbolik, duke goditur një sistem radarësh në një central bërthamor iranian.
Por amerikanët e kishin gabim:regjimi, që kupton vetëm forcën brutale, nxori mësimin e gabuar. Ai u trimërua, duke supozuar se “linjat e kuqe” të vjetra nuk ekzistonin më, se SHBA-ja do t’i frenonte gjithmonë izraelitët, dhe se tashmë regjimi mund të përfshihej në akte të hapura lufte duke mos u ndëshkuar thuajse fare.
Kjo qasje i hapi rrugën sulmeve më të sofistikuar të kësaj jave. Por Mullahët i bënë sërish llogaritë gabim, pjesërisht sepse perandoria për të cilën ata shpenzuan kaq shumë kohë dhe para për ta ndërtuar po shpërbëhet, dhe ata nuk po mendojnë më në një mënyrë të arsyeshme.
Është e vërtetë, që iranianët arritën një fitore të madhe propagandistike kundër Izraelit që nga masakrat e 7 tetorit 2023, duke i portretizuar në mënyrë të rreme terroristët si viktima, duke gënjyer pa mëshirë, duke përhapur teori konspirative në mediat sociale, dhe duke ndihmuar në nxitjen e urrejtjes anti-hebreje në Britani, Evropë dhe Amerikë.
Por kur flitet për realitetin në terren, në krahasim me atë që kanë në mendje klasat perëndimore llafazane, boshti i së keqes i përfaqësuar nga Irani, ka pësuar një sërë disfatash katastrofike. Hamasi është një hije e vetvetes së tij të dikurshme, duke qenë thuajse i paaftë për të lëshuar raketa drejt Izraelit, dhe duke u dëmtuar rëndë nga vdekja e 17.000-18.000 luftëtarëve të tij terroristë.
Hezbollahu ka humbur liderin e tij psikopat Hassan Nasrallah, të gjithë strukturën e tij drejtuese, dhe një mori komandantësh të nivelit të dytë dhe të tretë. Një pjesë e madhe bazave ku ishin stivuar mbi 150.000 raketa janë shkatërruar tashmë.
Sigurisht, ai është ende në gjendje t’i shkaktojë humbje trupave izraelite, që së fundmi kanë hyrë Liban, por nuk mund të shërbejë më si një mburojë e gjithëfuqishme e Iranit. Ekziston rreziku që duke qenë gjithnjë e më shumë në panik, regjimi i Teheranit t’i shtojë gabimet e tij duke synuar të nxitojë drejt pajisjes sa më shpejt me armë bërthamore.
Kjo nuk mund të lejohet të ndodhë. Izraeli, qëllimi i të cilit është të sigurojë mbijetesën e tij si shtet dhe të popullit hebre, ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrën për t’u kundërpërgjigjur në një mënyrë shkatërruese ndaj regjimit iranian. Ndaj ai meriton mbështetjen e plotë dhe të pakursyer të Perëndimit./Përshtati Pamfleti nga “Daily Telegraph”
Lini një Përgjigje