
Deutsche Welle i ka kushtuar një analizë konfliktit Izrael-Iran, teksa është ndalur dhe te faktet historike. Sipas shërbimit gjerman, Izraeli dhe Irani kanë qenë dy vende mike, por që kur erdhën në pushtet Ajtollahët, situata ndryshoi.
Armiqësia mes Iranit dhe Izraelit po përshkallëzohet rrezikshëm, por këto dy vende nuk kanë qenë gjithmonë kundërshtarë.
Para Revolucionit Islamik në vitin 1979, këto vende ishin të lidhura ngushtë dhe se Irani ishte ndër vendet e para që njohu shtetin e Izraelit në vitin 1948.
Brenda konfliktit në Lindjen e Mesme, Izraeli e konsideronte Iranin një aleat kundër shteteve arabe, ndërsa Izraeli, i cili kishte mbështetjen e Uashingtonit, ishte për Teheranin një kundërpeshë e dobishme politike për fqinjët e tij arabë.
Pas fitores së Revolucionit Islamik në vitin 1979, Irani anuloi të gjitha marrëveshjet me Izraelin dhe Ajatollah Khomeini kritikoi ashpër Izraelin për pushtimin e territoreve palestineze dhe nis sulmet kundër Izraelit për të fituar mbështetjen e shteteve arabe dhe popullatës në ato vende.
Udhëheqësi aktual fetar i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka vazhduar këtë politikë, duke vënë në pikëpyetje rregullisht faktet historike të Holokaustit, ndërsa Irani mbështet Hezbollahun në Liban, Hamasin në Gaza, si dhe grupe të tjera në të gjithë rajonin, duke përfshirë Huthit në Jemen.
Deutsche Welle vlerëson se Izraeli nga ana tjetër nuk ka bërë shumë për të ulur tensionet. Kryeministri Benjamin Netanyahu e ka krahasuar vazhdimisht Republikën Islamike me Gjermaninë naziste dhe ka kritikuar ashpër marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Edhe pse ka individë në të dyja vendet që mbrojnë pajtimin, marrëdhëniet politike janë më të tensionuara se kurrë më parë, veçanërisht pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe operacionit ushtarak izraelit në Rripin e Gazës. Sipas OKB-së, më shumë se 41,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, u vranë në luftën në Rripin e Gazës, dhe sulmet me raketa të Hezbollahut dhe bombardimet e Izraelit në Libanin jugor detyruan qindra mijëra njerëz të iknin në Liban dhe Izrael.
Të martën në mbrëmje, Irani sulmoi drejtpërdrejt Izraelin me raketa - për herë të dytë që nga lëshimi i qindra dronëve dhe raketave në prill. Sipas Forcave të Sigurisë izraelite (IDF), edhe kësaj radhe janë kapur një “numër i madh” raketash iraniane, ndërkohë që kërcënimi nga Irani “aktualisht” është neutralizuar, por u njoftua se do të pasonte një përgjigje e ashpër izraelite.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken e quajti sulmin me raketa të Iranit ndaj Izraelit "krejt të papranueshëm" dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë provuar edhe një herë "angazhimin e tyre për mbrojtjen e Izraelit".
Nga ana tjetër, u raportua se menjëherë pas sulmit, ministri i Jashtëm iranian Abbas Aragchi ka biseduar në telefon me kolegët evropianë, ndër të tjera me ministren e Jashtme gjermane Annale Berbock, si dhe me kolegë në Britaninë e Madhe, Francë e të tjerë.
Aragchi tha se operacioni raketor tani ka përfunduar dhe se nëse Izraeli hakmerret, përgjigja e Iranit do të ishte më e ashpër. “Teherani nuk dëshiron përshkallëzim, por nuk ka frikë nga lufta”, tha Aragchi. /Pamfleti
Lini një Përgjigje