Bllokada i paraqet Iranit një dilemë të re strategjike. Opsionet për përshkallëzim janë të rrezikshme, pasi mund të çojnë në rifillim të luftimeve dhe prishje të armëpushimit me SHBA-në dhe Izraelin.
Kalimi i Presidentit Donald Trump nga lufta ushtarake në atë ekonomike, përmes bllokadës së anijeve dhe porteve iraniane, përfaqëson një përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit pa një ofensivë të re ushtarake SHBA-Izrael.
Logjika e operacionit është se, nëse Irani nuk arrin të eksportojë naftë dhe të importojë mallra jetike, ai do të përballet me pasoja të rënda financiare dhe humanitare, duke mos pasur alternativë tjetër veçse të pranojë kushtet amerikane për përfundimin e luftës.
Ky vlerësim mund të rezultojë i saktë. Një ekonomi tashmë e goditur nga sanksionet mund të përballet shpejt me mungesa kritike ushqimore, hiperinflacion dhe krizë bankare. Një zgjidhje e tillë do të ishte efikase nëse Trump do t’i përgjigjej përpjekjes së Iranit për të bllokuar ekonominë globale përmes kufizimit të pjesshëm të Ngushticës së Hormuzit me një manovër të vendosur detare.
Megjithatë, optimizmi në rritje mes zyrtarëve amerikanë, mediave konservatore dhe analistëve se bllokada mund ta gjunjëzojë Iranin, mbështetet në një supozim që shpesh e ka çuar gabim SHBA-në në Lindjen e Mesme.
Strategjia supozon se Irani do të reagojë ndaj presionit në mënyrë “racionale” sipas perceptimit të Uashingtonit. Por historia e fundit tregon se kundërshtarët e SHBA-së, si Iraku, Afganistani, Rusia dhe Libia shpesh nuk veprojnë sipas kalkulimeve perëndimore për interesat e tyre kombëtare.
Shpresa është që udhëheqësit iranianë të bëjnë lëshime për të zbutur pasojat ekstreme të bllokadës. Plani lë të nënkuptohet gjithashtu se përkeqësimi ekonomik mund të nxisë pakënaqësi të brendshme politike dhe të sfidojë kontrollin e regjimit. Në planin afatgjatë, ai lidhet edhe me nevojën e dukshme të Iranit për rritje ekonomike pas një fushate intensive bombardimesh nga SHBA dhe Izraeli.
Por ideja që udhëheqësit iranianë do ta shohin situatën në këtë mënyrë mund të jetë një supozim i pasigurt.
Autoritetet revolucionare kanë treguar më parë indiferencë ndaj vuajtjeve të popullsisë, përmes goditjeve të njëpasnjëshme politike që, sipas organizatave të të drejtave të njeriut, kanë shkaktuar mijëra viktima. Mbijetesa e regjimit, pavarësisht vrasjes së shumë drejtuesve të lartë gjatë luftës, tregon një tolerancë të lartë ndaj kostove.
Ekziston mundësia që SHBA të nënvlerësojë sërish qëndrueshmërinë e Iranit në një konflikt që udhëheqësit e tij e konsiderojnë ekzistencial. Sipas raportimeve të CNN dhe mediave të tjera, Trump kishte besuar se ofensiva SHBA-Izrael do ta përfundonte luftën shpejt – përpara se Irani të ndërmerrte masa si mbyllja e ngushticës.
Për këtë arsye, rezultati i bllokadës mund të varet nga koha.
A do të rritet presioni mbi Iranin dhe do të ndryshojë sjelljen e tij përpara se bllokada amerikane të përkeqësojë dëmet në ekonominë globale, të shkaktuara tashmë nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, e cila ka reduktuar ndjeshëm furnizimin botëror me naftë dhe gaz?
Nëse jo, strategjia e re e Trump mund të kthehet në një kurth politik dhe të thellojë pasojat negative të luftës, e cila tashmë kërcënon edhe perspektivat elektorale të republikanëve.
Si mund të godasë bllokada ekonominë iraniane
Ashtu si shumë vendime të tjera të Trump gjatë luftës, bllokada duket e improvizuar dhe e paqartë në komunikim me publikun amerikan. Megjithatë, nga pikëpamja ushtarake, ajo është e realizueshme. Marina amerikane ka kapacitetet e nevojshme në rajon dhe përvojë të gjatë në zbatimin e bllokadave, përfshirë në ish-Jugosllavi, Haiti dhe së fundmi kundër tankerëve të naftës në Venezuelë.
Një analizë e “Foundation for Defense of Democracies”, e cituar gjerësisht në Uashington, argumenton se bllokada e mbajtur nga anijet amerikane jashtë Ngushticës së Hormuzit dhe e mbështetur nga aviacioni dhe trupat mund të jetë efektive.
Studiuesi i lartë i FDD-së, Miad Maleki, vlerëson se bllokada mund të dëmtojë shpejt ekonominë iraniane, të ndërpresë shumicën e tregtisë, të ndalojë eksportet e naftës dhe të shkaktojë inflacion dhe presion mbi monedhën brenda pak ditësh. Sipas analizës, Irani është veçanërisht i cenueshëm sepse mbi 90% e tregtisë së tij vjetore prej 109.7 miliardë dollarësh kalon përmes kësaj ngushtice. Për më tepër, vendi mund të detyrohet të ndalojë prodhimin e naftës brenda disa javësh, pasi nuk do të ketë ku ta depozitojë.
Kjo nënkupton se plani mund të kufizojë opsionet e Iranit në mënyra që sulmet ajrore nuk arritën ta bëjnë.
“Iranin e kemi goditur fort nga pikëpamja ushtarake, por nuk ia kemi mbyllur ekonominë. Kjo është arsyeja pse ata besojnë se kanë ende karta në dorë,” tha për CNN ish-komandanti suprem i NATO-s, admirali në pension James Stavridis.
Bllokada i paraqet Iranit një dilemë të re strategjike. Opsionet për përshkallëzim janë të rrezikshme, pasi mund të çojnë në rifillim të luftimeve dhe prishje të armëpushimit me SHBA-në dhe Izraelin. Forcat e Gardës Revolucionare mund të reagojnë duke rinisur sulmet ndaj aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik.
Një alternativë tjetër do të ishte që rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, të bllokojnë një rrugë alternative të transportit të naftës përmes Detit të Kuq. Një veprim i tillë do të kishte pasoja të rënda për ekonominë globale dhe do të shtonte presionin politik mbi Trump.
Bllokada paraqet gjithashtu rreziqe për SHBA-në. Një nga objektivat e saj është të ushtrojë presion mbi vendet që blejnë naftë iraniane, si Kina dhe India. Por nëse forcat amerikane ndalojnë një anije kineze, kjo mund të shkaktojë incident diplomatik, veçanërisht në prag të një takimi të planifikuar mes Trump dhe presidentit Xi Jinping në Pekin.
Optimizëm për negociata, por me paqartësi
Shtëpia e Bardhë shfaq optimizëm se bllokada mund të çojë në një raund të ri negociatash me Iranin, pas dështimit të një takimi të mëparshëm në Pakistan.
“Asgjë nuk është zyrtare derisa të komunikohet nga Shtëpia e Bardhë,” deklaroi zëdhënësja Karoline Leavitt. “Por ndihemi mirë për perspektivën e një marrëveshjeje.”
Megjithatë, analiza vëren se administrata ka paraqitur për javë të tëra Iranin si të dëshpëruar për një marrëveshje, pavarësisht mungesës së provave bindëse. Qasja e Trump, që çdo krizë mund të zgjidhet përmes një marrëveshjeje, ka rezultuar sipërfaqësore përballë sfidave komplekse gjeopolitike.
Në raportet me Ukrainën, Korenë e Veriut dhe Iranin, administrata ka theksuar shpesh përfitimet ekonomike, pa vlerësuar mjaftueshëm faktorët kulturorë, historikë dhe nacionalistë të kundërshtarëve.
Takimet në Pakistan treguan se qëndrimet e SHBA-së dhe Iranit mbeten thelbësisht të papajtueshme. Uashingtoni kërkon të ndalojë përfundimisht Iranin nga zotërimi i armës bërthamore, të kufizojë kapacitetet raketore dhe të ndërpresë mbështetjen për grupet aleate si Hezbollah dhe Hamas. Irani kërkon kompensim për luftën dhe synon të ruajë arsenalin raketor dhe të drejtën teorike për pasurimin e uraniumit.
Megjithatë, ekzistojnë disa mundësi kompromisi. Një zyrtar amerikan i tha CNN se SHBA ka propozuar pezullimin e pasurimit të uraniumit për 20 vjet, ndërsa Irani kërkon vetëm pesë. Një zgjidhje e ndërmjetme mbetet e mundshme.
Arritja e paqes kërkon që të dyja palët të krijojnë një hapësirë të përbashkët interesi, ku objektivat mund të paraqiten si fitore për publikun e brendshëm. Ky proces pritet të zgjasë muaj dhe të përfshijë negociata të thella teknike, përfshirë çështje të fizikës bërthamore.
Në këtë kuadër, pyetja kryesore për bllokadën e re amerikane ndaj Iranit nuk është vetëm çfarë ndodh nëse dështon, por edhe çfarë pason nëse ajo funksionon./ Përshtatur nga CNN
Lini një Përgjigje