Tërmeti politik pas katastrofës zgjedhore të javës së kaluar ka çuar në dorëheqjen e katër zëvendësministrave, por aktualisht asnjë ministër nuk është larguar. Kështu, kryeministri britanik, duke iu referuar procedurave partiake, shmang dorëheqjen. Autoriteti i tij duket i lëkundur, por pasiguria në arenën ndërkombëtare mund t’i bëjë rebelët të pres.
"Ejani të më rrëzoni, nëse jeni të aftë"- ky është, në thelb, mesazhi sfidues që kryeministri britanik Keir Starmer u ka dërguar kritikëve dhe atyre që synojnë ta largojnë nga pushteti.
Në një mbledhje të qeverisë të zhvilluar paraditen e sotme në Downing Street, Starmer kujtoi se “Partia Laburiste ka një procedurë për të sfiduar liderin dhe kjo procedurë nuk është aktivizuar. Vendi pret që ne të vazhdojmë të qeverisim: dhe kjo është ajo që po bëj”.
Pra, nuk ka dorëheqje, pavarësisht katastrofës në zgjedhjet vendore të javës së kaluar: si avokat që është, Starmer i referohet procedurës, e cila kërkon të paktën 81 firma deputetësh laburistë në mbështetje të një kandidature alternative, pas së cilës do të zhvillohej një votim mes të gjithë anëtarëve të partisë.
Por mbi të gjitha, ai mbështetet te përçarjet mes kundërshtarëve të tij: sepse, edhe pse tashmë afro njëqind deputetë kanë kërkuar largimin e tij, nuk ka marrëveshje për një kandidat të përbashkët. Nga ana tjetër, dje mbi njëqind deputetë firmosën një apel në mbështetje të tij.
Megjithatë, autoriteti i kryeministrit po zbehet nga ora në orë. Të martën dhanë dorëheqjen katër zëvendësministra njëri pas tjetrit, ndërsa një natë më parë ishte radha e një vale ndihmësish ministrorë. Sidoqoftë, ende asnjë ministër nuk ka thyer radhët, është një valë e ngadaltë dorëheqjesh, por jemi ende shumë larg krizës që përmbysi Boris Johnson katër vite më parë kur gjysma e qeverisë dha dorëheqjen, duke e bërë të paqëndrueshme pozitën e kryeministrit konservator të asaj kohe.
Situata po ndryshon nga ora në orë dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë Wes Streeting, ministri i Shëndetësisë që synon të zëvendësojë Starmerin. A do ta nisë zyrtarisht sfidën? Ajo që u pa paraditen e sotme, në fund të mbledhjes së qeverisë, ishte një skenë e pazakontë. Ministrat më të afërt me Starmerin dilnin njëri pas tjetrit nga porta e Downing Street dhe afroheshin spontanisht te gazetarët për të shprehur mbështetjen ndaj kryeministrit.
Sipas tyre, atmosfera në mbledhjen e kabinetit ishte unanime dhe askush nuk ngriti zërin kundër Starmerit. Arsyetimi që duket se ka mbizotëruar është se, në këtë moment të pasigurisë së rëndë ndërkombëtare, do të ishte destabilizuese ta zhyste vendin në një krizë të re politike pa drejtim të qartë. Në këtë kuadër duhen parë edhe reagimet e tregjeve financiare, të cilat pasi panë rendimentet e obligacioneve shtetërore të ngjiteshin në nivelet më të larta që nga kriza financiare e vitit 2008 për shkak të klimës së pasigurisë, u qetësuan disi përballë vendosmërisë së Starmerit për të mos dhënë dorëheqjen.
Edhe opinioni publik, përballë të cilit kryeministri gëzon nivele të paprecedentë jopopullariteti, vështirë se do ta kuptonte një tjetër krizë politike, pas rotacionit të shpejtë të kryeministrave konservatorë në vitet e fundit. “Më kanë zgjedhur me një shumicë të madhe”, mendon Starmer, “prandaj është detyra ime të vazhdoj”. Të paktën për aq kohë sa do ta lejojnë./ Pështati “Pamfleti” nga “Corriere”.
Lini një Përgjigje