
Vdekja e papritur e Ebrahim Raisit ishte një tronditje për të gjithë sistemin politik të Iranit. Sipas Kushtetutës, presidenti është një figurë lehtësisht e zëvendësueshme, pasi ndryshimi i mbajtësit të këtij posti nuk ndikon në thelb tek regjimi i Ayatollahëve. Sepse kreu real i shtetit është Udhëheqësi Suprem (rahbar) - aktualisht Ayatollah Ali Khamenei - i cili e udhëheq vendin që nga viti 1989.
Presidenti, që luan rolin e imazhit të kombit, ka pak ndikim të vërtetë mbi politikën aktuale të shtetit, zgjidhet çdo 4 vjet, dhe zakonisht shërben për 2 mandate. Ndërsa ka sigurisht rëndësi personaliteti, retorika dhe aftësitë drejtuese të presidentit, vendimet e tij nuk devijojnë nga kursi i përshkruar nga Udhëheqësi Suprem.
Po ashtu, aktivitetet e tij monitorohen nga afër nga organe me shumë ndikim si parlamenti, Asambleja e Ekspertëve dhe Këshilli i Gardës Revolucionare. Por aktualisht Irani është në mesin e një faze të ndërlikuar, e cila mund të bëjë që zyra e presidentit të ushtrojë më shumë ndikim se zakonisht.
Sistemi politik iranian është një mekanizëm kompleks me shumë leva për kontrolle dhe ekuilibra, i projektuar me synimin përfundimtar ruajtjen e pushtetit të Ayatollahëve. Në rrethana të tilla, Ebrahim Raisi ishte presidenti ideal - një besnik dhe një teknokrat në dukje jo-ambicioz, që u përshtatej shumë mirë grupeve të ndryshme brenda elitës politike të vendit.
Dikur Ali Khamenei dukej se ishte po aq i përshtatshëm për të gjithë, dhe nuk është rastësi që Raisi shpesh përmendej si pasardhës i mundshëm i liderit suprem. Tani ai ka vdekur, askush nuk e di saktësisht se si do të zgjidhet Lideri i ardhshëm Suprem i Iranit, por meqë Khamenei mbushi 85 vjeç në prill, në Teheran nuk është sekret që çështja e pasardhësit të tij po diskutohet prej vitesh.
I vetmi precedent për një tranzicion të tillë pushteti ndodhi në vitin 1989, pas vdekjes së Ayatollah Ruhollah Khomeini, babai i Revolucionit Islamik në Iran. Duke pasur parasysh moshën e tij të madhe, 93-vjeç kryetari i Asamblesë së Ekspertëve, Mohammad-Ali Movahedi Kermani, nuk ka gjasa të kandidojë.
Por siç e tregoi incidenti i Raisit, nuk ka asnjë garanci. Khamenei i ka mbijetuar prej kohësh shumë prej atyre që janë shpallur si pasardhës të tij, dhe Raisi ishte vetëm një nga kandidatët në një listë të gjatë. Një tjetër emër i përmendur shpesh në qarqet politike iraniane si një Udhëheqës Suprem i mundshëm është ai i Mojtaba Khameneit, djalit të liderit aktual.
Vdekja e Raisit i ka përmirësuar shanset e Khameneit të ri, por ka një problem:si Imam Khomeini, themeluesi i Republikës Islamike, ashtu edhe Ayatollah Khamenei që e pasoi në detyrë, e kundërshtuan vazhdimisht parimin e trashëgimisë, sepse u përpoqën të shmangnin çdo krahasim me dinastinë Pahlavi, që u përmbys nga Revolucioni Islamik në vitin 1979.
Megjithatë, zërat se Mojtaba mund të bëhet Udhëheqësi Suprem, nuk janë hedhur poshtë nga ata që janë aktualisht në pushtet. Dhe nëse ai vendos të mos kandidojë për postin e babait, mund të përpiqet të promovojë një kandidat të zgjedhur prej tij. Një emër tjetër që përmendet pas vdekjes së Raisit është Alireza Arafi, 67 vjeç, i cili më 21 maj u zgjodh nënkryetar i Asamblesë së Ekspertëve.
Arafi shihet gjerësisht si i aftë për ta rivalizuar Mojtaba Khamenein. Si anëtar i Këshillit Mbrojtës, Arafi kryen lutjet e së Premtes në Qum, qytet i shenjtë në Islamin Shi’it, dhe drejton Seminaret Islamike të Iranit. Ai shihet si një politikan shujmë progresist, dhe e njeh rëndësinë e teknologjisë, ndryshe nga brezi i vjetër i Ayatollahëve.
Gjithsesi, Arafi nuk duhet të ngatërrohet me një reformator. Organizatat perëndimore e kanë akuzuar atë për rekrutimin e studentëve myslimanë të huaj në Gardën Revolucionare (IRGC) dhe mbajtjen e lidhjeve të ngushta me lëvizjen Hezbollah të Libanit. Profili politik i Arafit e bën atë një kandidat interesant si për IRGC-në ashtu edhe për klerin. Ai mund të përpiqet ta vendosë veten në një trajektore drejt postit të liderit suprem duke hyrë në garën e afërt presidenciale. Zgjedhjet e parakohshme për postin e presidentit do të mbahen më 28 qershor. Aplikimet kandidatëve do të pranohen nga 30 maji deri më 3 qershor, pas së cilës Këshilli i Kujdestarisë do të zgjedhë listën e kandidatëve të kualifikuar. Fushata e shkurtër zgjedhore - 2 javë, nga 12-27 qershor - e bën pothuajse të pamundur që të fitojnë mbështetës kandidatët e padëshirueshëm nga pushteti.
Megjithatë, iranianët janë tradicionalisht politikisht aktivë nëse u jepet mundësia e një zgjedhje reale. Zgjedhjet presidenciale të 2021-it u shoqëruan me një pjesëmarrje të ulët në nivel rekord, vetëm 48.8 për qind, ku Raisi mori 17.9 milionë vota (rreth 62 për qind të pjesëmarrësve).
Në provincën e Teheranit, votoi vetëm çereku i banorëve. Sa për krahasim, presidenti Hassan Rouhani i fitoi zgjedhjet e vitit 2017 me 23.6 milionë vota dhe një pjesëmarrje prej 73.3 për qind. Duke mos u paraqitur në votime, iranianët ua kanë bërë të qartë autoriteteve se nuk e konsiderojnë legjitim as presidentin dhe as parlamentin.
Reformatorët nuk u lejuan të merrnin pjesë në zgjedhjet e vitit 2021, dhe blloku radikal konservator i përdori zgjedhjet e atij viti për të siguruar kontrollin e tij në të gjitha degët e qeverisë iraniane. Për pasojë, lufta kryesore për presidencën - dhe në të ardhmen, për postin e Udhëheqësit Suprem - pritet të zhvillohet midis konservatorëve.
Megjithatë, Khamenei mund të vendosë ta lejojë pjesën e zhgënjyer të shoqërisë që të marrë pjesë në procesin e ardhshëm zgjedhor, që të mos rrezikojë të përballet me ta në rrugë. Nuk do të ishte hera e parë që Khamenei do të dekretonte kthimin në garë të kandidatëve reformistë, edhe pasi janë refuzuar nga Këshilli i Gardës.
Nëse Udhëheqësi Suprem vendos që presidentit të ri dhe pasardhësit të tij të mundshëm duhet t’i jepet legjitimitet shtesë, ai do ta bëjë më konkurruese fushatën zgjedhore. Në listën e gjatë të kandidatëve të mundshëm, bien në sy disa emra. Kompetencat e Raisit po ushtrohen përkohësisht nga zv/presidenti i parë, 68-vjeçari Mohammad Mokhber.
Mokhber mund të zgjedhë të garojë për president, edhe pse deri më tani ka preferuar të qëndrojë në hije, duke drejtuar ose ndihmuar në drejtimin e fondacioneve të kontrolluara nga Ayatollah Khamenei. Po ashtu ai gjithashtu menaxhoi zhvillimin dhe promovimin e vaksinës iraniane kundër Covid-19, Barekat.
Qarqet e opozitës, janë të bindur se ai mund të jetë përgjegjës për vdekjen e mijëra iranianëve gjatë pandemisë, pasi kufizoi enkas importin e vaksinave të huaja për përdorimin e vaksinës së tij. Kandidati i dytë është kryetari i parlamentit, 62-vjeçari Mohammad Bagher Ghalibaf.
Ai e mori këtë post në vitin 2020 pasi ka qenë kreu i policisë iraniane, komandant i Forcave Ajrore të Gardës dhe së fundi kryebashkiak i Teheranit (2005-2017). Nëse vendos të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme, kjo do të jetë përpjekja e tij e katërt. Edhe pse konsiderohet konservator, disa ekspertë priren ta kategorizojnë Ghalibaf si një kandidat kompromisi.
Një kandidat tjetër, që mund të prodhojë kompromis midis konservatorëve dhe reformistëve është 65-vjeçari Ali Larijani, një politikan i moderuar që më parë ka mbajtur postet e kryetarit të parlamentit, komandantit të Gardës dhe sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare.
Në vitin 2021, Këshilli i Gardës nuk e lejoi të garonte, nga frika se do të ishte shumë konkurrues për Raisin. Por figura më e lakmuar për reformatorët, është ish-ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif , 64 vjeç, i cili njihet kryesisht për nënshkrimin e “marrëveshjes bërthamore” historike të vitit 2015.
Ai traktat vendosi kufizime të detyrueshme për programin bërthamor të Iranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve. Zarif është një diplomat që gëzon respektin e shumë liderëve botërorë, përfshirë disa në Perëndim. Më parë ka pasur marrëdhënie të shkëlqyera me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov. Por pas dorëheqjes nga detyra, ai nisi të fajësonte Moskën për sabotimin e marrëveshjes bërthamore. Po ashtu ka dënuar ndërhyrjen e Gardës në politikën e jashtme të Iranit.
Në krye të listës së pretendentëve është 58-vjeçari Saeed Jalili, krye-negociator për programin bërthamor të Iranit për 6 vite, duke fituar imazhin e një kundërshtari të linjës së ashpër.
Ndër kandidatët më pak të spikatur, por ende të rëndësishëm, janë kreu i gjyqësorit të Iranit, Gholam-Hossein Mohseni-Eje; Ali Shamkhani, sekretari aktual i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare ; kryebashkiaku i Teheranit Alireza Zakani; ish-presidenti Mahmoud Ahmadinejad ish-zëvendëspresidenti Eshaq Jahangiri dhe Ministri i Jashtëm në detyrë Ali Bagheri Kani./Përshtati Pamfleti nga “The Insider”
Lini një Përgjigje