Udhëheqësi serb i Bosnjës dhe presidenti i Republika Srpska vazhdon të sfidojë Marrëveshjen e Dejtonit, me mbështetjen e Putinit dhe Orbanit. Serbia e përdor krizën për ta shkëputur vëmendjen nga protestat e brendshme, ndërsa Perëndimi është i sigurt për qëdrimin që duhet të mbajë.
Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, ka marrë një urdhër arresti nga gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës. Akuza është ajo e sulmit ndaj rendit kushtetues, dhe vjen pas një sërë ligjesh nga parlamenti i RS, të cilat kufizojnë ndjeshëm aftësinë vepruese të organeve federale në Sarajevë.
Urdhri i arrestit, që erdhi pas refuzimit të Dodik për të shkuar në prokurori disa javë më parë, dhe përfshin gjithashtu edhe kryeministrin Radovan Vishkoviç dhe kryetarin e Kuvendit Kombëtar Nenad Stevandiç. Republika Srpska është një nga dy entitetet autonome në Bosnje, të banuara kryesisht nga serbët.
Ajo zë afërsisht 49 për qind të territorit të Bosnje Hercegovinës, dhe në të banojnë 33 përqind e popullsisë. Republika Srpska gëzon një autonomi të madhe administrative: ka parlamentin e saj, një këshill popullor, president, një qeveri, polici dhe simbole kombëtare.
Raportet midis RS dhe Bosnjë-Hercegovinës rregullohen nga Marrëveshja e Dejtonit, e cila përcaktoi strukturën e re institucionale të vendit pas shpërbërjes së Jugosllavisë, duke parashikuar krijimin e dy entiteteve (i dyti është ai kroato-musliman) brenda një kuadri kombëtar dhe unitar.
Gjatë 20 viteve të fundit, Dodik ka qenë pothuajse gjithmonë në krye të Republikës dhe veprimtaria e tij politike, sidomos kohët e fundit, është fokusuar në shkëputjen e RS nga shteti qendror. Ne i kërkuam Giorgio Fruscione,studiues në ISPI (Instituti për Studime Politike Ndërkombëtare), që ka vite që merret me Ballkanin, të na shpjegonte në mënyrë të përmbledhur sesi u arrit në këtë pikë: “Urdhër arresti vjen në kulmin e një përplasjeje të fortë që ka vazhduar të paktën që nga viti 2021, midis liderit të serbëve të Bosnjës dhe qeverisë qendrore.
Institucionet e parandalojnë shkëputjen, por fakti është se politika e Dodik po shpërfill autoritetin e këtyre institucioneve. Është një përplasje që shkon në favor të liderit serb të Bosnjës, nacionalizmi i të cilit i ka shërbyer prej vitesh pushtetit të tij.
Po ashtu, Dodik ka kundërshtuar institucionet qendrore në Sarajevë, nga të cilat është përpjekur të heqë disa nga pushtetet e pakta ekskluzive në favor të entitetit me shumicë serbe të Bosnjës”-thekson eksperti.
Edhe pse sistemi institucional boshnjak, ka demonstruar zyrtarisht se ka “antitrupa” për t’iu kundërvënë synimeve separatiste të njërës prej entiteteve të tij, në realitet situata mbetet shumë e brishtë dhe paradoksalisht problemet gjyqësore të Dodik mund ta forcojnë pozitën e tij.
Sipas Frusciones, boshllëku institucional i viteve të fundit mund të zgjatet më tej, edhe nëse ekziston rreziku që këtë herë pasojat të jenë më serioze: “Në 30 vjet, Bosnja ka funksionuar pak si një shtet koheziv, duke garantuar autonomi të gjerë për dy entitetet, që nga ana e tyre kanë qeveri dhe administrata krejtësisht të ndryshme. Pasoja më e mundshme është se shteti qendror do të pushojë së funksionuari në 49 për qind të territorit, dhe rikthimi nga një skenar i tillë do të ishte e vështirë”.
Në nivelin ndërkombëtar, presidenti serb i Bosnjës ka marrëdhënie shumë të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë serb Aleksandar Vuçiç. Qëkur Rusia pushtoi Ukrainën, për Vuçiç është bërë e papërshtatshme që ai të shihet shumë pranë Moskës, ndaj Dodik është bërë i dërguari i serbëve në Kremlin.
Sigurisht, Republika Srpska mund të mbështetet edhe tek udhëheqësi i Hungarisë Viktor Orbán. Ndërkohë, vendet e mëdha evropiane reaguan ndaj urdhër-arrestit duke mbajtur anën e Bosnje Hercegovinës dhe duke iu referuar Marrëveshjes e Dejtonit.
Po ashtu, Evropa ka forcuar misionin EUFOR në Bosnje, duke dërguar trupa shtesë. Megjithatë, kjo situatë rrezikon të kthehet në një problem tjetër për Brukselin, i cili mund të përballet me tensione të reja vetëm pak kilometra larg kufirit. Sidomos nëse qëndrimi i Uashingtonit, do të afrohet akoma më shumë me atë të Moskës.
Për momentin, administrata amerikane, ka dënuar nëpërmjet Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio sjelljen “e rrezikshme dhe destabilizuese” të Dodik. Në realitet, interesi i SHBA-së në rajon është shumë i vogël, dhe kjo nuk do të ndihmojë në stabilizimin e marrëdhënieve në Ballkan.
“Amerika e Trumpit do të fokusohet pak në rajon - vazhdon Fruscione - dhe mënyra e veprimit e presidentit amerikan, pritet të normalizojë anarkinë në marrëdhënie, duke mos respektuar ligjin ndërkombëtar, që në fakt e garanton mbijetesën e Bosnjes.
Dodik shpreson që Shtetet e Bashkuara të heqin disa sanksione kundër tij dhe të mos pengojnë lëvizjet e tij, duke përqafuar statuskuonë e re të Bosnjës. Aspirata maksimale, do të ishte rreshtimi në një linjë me Rusinë në lidhje me refuzimin e Përfaqësuesit të Lartë, pra garantuesit të Marrëveshjes së Dejtonit.
Në atë moment presidenti i RS-së do të kishte një aleat në Moskë dhe një tjetër në Uashington. Ai do të përpiqet të përfitojë nga destabiliteti në Bosnje Hercegovinë është serbi Vuçiç, që ka shprehur tashmë mbështetjen e tij për Dodik.
Për muaj të tërë, mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Beogradit (të dielën e kaluar ishin mbi 100 mijë) për të protestuar kundër korrupsionit qeveritar, dhe çështja boshnjake mund të kthehet në një mundësi të madhe për ta shpërqendruar opinionin publik nga presionet e brendshme.
Si palë nënshkruese e Marrëveshjes së Dejtonit, Serbia duhet të jetë një nga vendet garantuese të integritetit territorial të Bosnjës. Por për momentin, stabiliteti i rajonit nuk është ndër prioritetet e Vuçiç.
“Në nivel lokal, Serbia u fryn ndarjeve për qëllime të brendshme politike. Dodik dhe Vuçiç janë aleatë të ngushtë në atë kontekst rajonal të cilin autoritetet në Beograd e quajnë “bota serbe”, një version i përditësuar i Serbisë së Madhe dhe që frymëzohet nga bota ruse e Putinit”- thekson Fruscione.
Moska luan një rol të tërthortë në këtë situatë, dhe është tashmë gati të korrë përfitimet e paqëndrueshmërisë së madhe, e cila po e pengon procesin e integrimit euroatlantik të vendit ballkanik.
Autokratit rus i pëlqen ideja e tensioneve të reja, që mund t’i shpërqendrojnë evropianët. Për këtë arsye, ai do të vazhdojë ta mbështesë Dodikun në përpjekjen e tij për të destabilizuar rajonin. I mbështetur nga aleatët e tij besnikë në Beograd dhe Budapest./Përshtati "Pamfleti", nga “Linkiesta”
Lini një Përgjigje