Qeveria pakistaneze shpalli luftë të hapur ndaj autoriteteve 'de facto' talebane pas një sulmi afgan në kufi.
Pakistani ka sulmuar në orët e para të mëngjesit Kabulin dhe qendra të tjera urbane në Afganistan,, vetëm disa orë pasi qeveria talebane njoftoi se kishte goditur instalimet ushtarake pakistaneze në kufirin midis dy vendeve në hakmarrje për bombardimet vdekjeprurëse pakistaneze gjatë fundjavës.
Sipas Ministrit të Informacionit të Pakistanit, Ataullah Tarar, pozicionet mbrojtëse të “regjimit taleban afgan” në Kabul, si dhe në provincat Paktia dhe Kandahar, ishin në shënjestër. Ai e bëri njoftimin nëpërmjet platformës X.
Ministri Tarar foli për të paktën 133 të vdekur dhe mbi 200 të plagosur midis talebanëve afganë.
E njëjta deklaratë u dha gjithashtu nëpërmjet X nga Mosharraf Zaidi, zëdhënës i kryeministrit pakistanez Shahbaz Sharif.
Pakistan has released video footage of airstrikes on Kabul, saying they targeted Taliban facilities in response to what it called “unprovoked aggression.”
— Visegrád 24 (@visegrad24) February 26, 2026
Meanwhile, the Taliban have threatened to retaliate for the strikes on Kabul by bombing Pakistani cities. pic.twitter.com/WjAW5bObTy
Mediat vendase në kryeqytetin afgan raportuan se shpërthime të shumta të fuqishme tronditën Kabulin në orët e para të mëngjesit. Shpërthimet u dëgjuan në të gjithë qytetin që nga ora 1:50 e mëngjesit sipas kohës lokale, ndërsa motorët e avionëve luftarakë u dëgjuan sipër kokës, raportoi ekipi i AFP-së.
Shpërthimet u pasuan nga breshëri të shtënash me mitraloz, të cilat u dëgjuan nga gazetarët në qendër të qytetit afërsisht në orën 02:30 sipas orës lokale.
Kombet e Bashkuara shprehën gjithashtu shqetësimin e tyre për zhvillimet.
“Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së po ndjek me shqetësim raportet e përleshjeve ndërkufitare midis forcave de facto të sigurisë në Afganistan dhe forcave pakistaneze”, tha zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm, Stephane Dujarric, në një deklaratë.
“Ai u bën thirrje palëve të përfshira të përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë ligjin ndërkombëtar humanitar, dhe të sigurojnë mbrojtjen e civilëve”, shtoi ai.
Dujarric vuri në dukje gjithashtu se “Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së përgëzon përpjekjet e ndërmjetësimit të bëra nga disa Shtete Anëtare në muajt e fundit dhe u bën thirrje palëve të vazhdojnë të kërkojnë një zgjidhje diplomatike për çdo mosmarrëveshje”.
⚡️ New war? Clashes erupt on the Afghanistan-Pakistan border
— NEXTA (@nexta_tv) February 26, 2026
Taliban representatives have announced that they have launched attacks on Pakistani positions along the border in response to Pakistan's airstrikes last week. pic.twitter.com/nI3mva4aWq
Si krahasohen forcat ushtarake?
Pakistani ka epërsi të theksuar ushtarake ndaj Afganistanit, sipas “Military Balance 2025” të IISS
Sipas raportit “Military Balance 2025” të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), dallimi mes forcave ushtarake të Pakistanit dhe Afganistanit është i madh.
Ushtria mbetet institucioni më i fuqishëm në Pakistan. Ajo ka konsoliduar dominimin e saj gjatë historisë së vendit përmes grushtesh shteti dhe ndryshimesh kushtetuese.
Si fuqi bërthamore, Pakistani zotëron një aparat të avancuar mbrojtjeje që përfshin ushtrinë tokësore, marinën, forcën ajrore dhe trupat detare. Sipas IISS, këto struktura përbëhen nga rreth 660 mijë ushtarë aktivë, të mbështetur nga afro 300 mijë anëtarë të forcave paramilitare dhe policisë ushtarake.
Forca konvencionale e Pakistanit mbështetet në një arsenal modern, që përfshin avionë luftarakë F-16 të prodhuar në SHBA, avionë Mirage francezë dhe modelin JF-17, i prodhuar bashkë me Kinën, partnerin kryesor të mbrojtjes së Islamabadit.
Në anën tjetër, Afganistani ka një forcë të vetme të unifikuar: talibanët.
Numri i tyre vlerësohet në më pak se 200 mijë persona. Struktura e tyre ushtarake nuk ka një forcë ajrore funksionale. Ata mbështeten në disa helikopterë sulmues dhe avionë transporti të epokës sovjetike, të mbetur pas tërheqjes së SHBA-së, si dhe në dronë të vegjël komercialë.
Talibanët nuk disponojnë armatim të rëndë të krahasueshëm me fqinjët e tyre. Identiteti i tyre ushtarak karakterizohet nga taktikat guerile, të formësuara nga dekada lufte asimetrike.
Sa mund të përshkallëzohet situata?
Analistët paralajmërojnë për rrezikun e destabilizimit të mëtejshëm.
Përplasjet e mëparshme janë shuar pas disa ditësh luftime dhe ndërmjetësimit nga vende të tjera, përfshirë Arabinë Saudite dhe Turqinë.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se një përshkallëzim i ri mund të rrisë paqëndrueshmërinë në rajon.
“Pakistani e ka bërë të qartë se do të veprojë sërish nëse talibanët afganë nuk ndërmarrin hapa kundër drejtuesve dhe luftëtarëve të TTP-së në territorin afgan,” deklaroi Samina Ahmed, drejtoreshë e lartë për Azinë Jugore dhe këshilltare për Azinë në organizatën Crisis Group.
Ajo shtoi se Islamabadi dhe Kabuli duhet të rifillojnë urgjentisht negociatat, me ndërmjetësimin e partnerëve të besuar si Turqia, Katari dhe Arabia Saudite.
Lini një Përgjigje