TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Shkurt 2026, 21:10

Uashingtoni i jep peshë Athinës në rajon, Rubio pret ministrin Gerapetritis

Shkruar nga Pamfleti
Uashingtoni i jep peshë Athinës në rajon, Rubio pret ministrin
Rubio me George Gerapetritis

Në një moment kur dinamika gjeopolitike në Mesdheun Lindor dhe Ballkan po merr formë të re, Shtetet e Bashkuara duket se po i japin një rol të theksuar Greqisë si partner kyç në rajon. Kjo u reflektua edhe në takimin 50-minutësh mes Ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis, dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në Shtëpinë e Bardhë, ku u vulos thellimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Sipas burimeve diplomatike greke, në fokus të bisedimeve ishte Raundi i 6-të i Dialogut Strategjik Greqi–SHBA, që do të mbahet në Athinë në vitin 2026, forcimi i diplomacisë ekonomike, si dhe bashkëpunimi në fusha si energjia, transporti detar, inteligjenca artificiale dhe teknologjia e lartë.

Një tjetër pikë kyçe ishte promovimi i Korridorit Ekonomik IMEEC si një rrugë alternative tregtare me rëndësi strategjike, ndërsa u theksua edhe roli aktiv i Greqisë në proceset e rindërtimit në Gaza. Uashingtoni, sipas të njëjtave burime, e konsideron Athinën një qendër të qëndrueshme dhe strategjike në Mesdheun Lindor, duke vlerësuar bashkëpunimin dypalësh dhe trepalësh të saj me vendet e rajonit.

Takimi vjen në një kohë kur SHBA duket se po rishikon balancat dhe po forcon marrëdhëniet me aleatë që i konsideron më të qëndrueshëm dhe me peshë rajonale. Në kontrast, vizita e fundit e kryeministrit Edi Rama në SHBA kaloi pa takime të nivelit të lartë, duke ngritur pikëpyetje mbi intensitetin aktual të marrëdhënieve Tiranë–Uashington.

Lini një Përgjigje