
Ukraina pretendon se zotëron rezervat e 22 nga 34 mineralet e klasifikuara si shumë të rëndësishme, me vlerë 11.5 trilion dollarë. Por i vetmi mineral që shfrytëzohet aktualisht është titani. Për pjesën tjetër, flitet për rezerva potenciale, por rruga për t’i nxjerrë ato është shumë e gjatë...
Javët e fundit, interesat ndërkombëtare të Donald Trump janë zhvendosur nga Kanadaja në Grenlandë, dhe së fundmi në Ukrainë. Faktori i përbashkët në këtë fokus, është qasja tek mineralet e rralla.
Por midis deklaratave hiperbolike, një interesi të ripërtërirë ndaj kufizimeve tregtare, si tarifat dhe strategjitë diplomatike jo tradicionale, duke kulmuar për shembull në përplasjen e fortë Trump-Zelenksy në Shtëpinë e Bardhë, e ardhmja duket më e pasigurt se kurrë.
Dhe në një kontekst jashtëzakonisht të paqëndrueshëm, është thelbësore të sqarohet se cila është e vërteta. Sot, Shtetet e Bashkuara prodhojnë pak minerale kritike. Megjithëse Akti i Reduktimit të Inflacionit, u përpoq të stimulonte prodhimin vendas, vendi mbetet ende importues i tyre.
Por teksa ka një kërkesë në rritje për bateri dhe gjysmëpërçues për telefona, makina elektrike, teknologji të rinovueshme etj, kjo çështje po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Strategjitë për ta adresuar këtë sfidë nga vendet importuese neto si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, bazohen më së pari tek ulja e ulja e kërkesës nëpërmjet riciklimit, së bashku me kërkimin e materialeve alternative.
Së dyti, tek rritja e ofertës duke e zhvilluar industrinë vendase, dhe inkurajuar aty ku është e mundur, nxjerrjen dhe përpunimin në vend. Së treti, tek diversifikimi i importeve, duke lidhur marrëveshje me shumë vende për të shmangur varësinë nga disa lojtarë dominues.
Falë edhe Aktit të Reduktimit të Inflacionit, administrata Biden po lëvizte tashmë në këtë drejtim. Por për Trumpin, kjo çështje ka marrë edhe më shumë rëndësi, duke pasur parasysh ambiciet e forta autarkike të qeverisë së re, dhe konkretisht synimin për ta bërë SHBA-në të vetë-mjaftueshme.
Përpjekja për të fituar qasje tek burimet minerale të Ukrainës, si kompensim për ndihmën ushtarake të ofruar 3 vitet e fundit, është një strategji në përputhje me këtë qasje. Megjithatë, problemi është diku tjetër: A mund të plotësojë Ukraina nevojat e Shteteve të Bashkuara për lëndë të para?
Sipas autoriteteve të Kievit, Ukraina ka rezerva të 22 nga 34 mineralet e klasifikuara si kritike nga Bashkimi Evropian, përfshirë disa minerale shumë të rralla. Ky vend vlerësohet se ka rreth 5 për qind të rezervave botërore të mineraleve kritike, me vlerë deri në 11.5 trilion dollarë.
Por i vetmi mineral që po shfrytëzohet aktualisht është titani, një metal thelbësor për sektorët e hapësirës ajrore, ushtarake, teknologjike, mjekësore dhe bërthamore. Në vitin 2019, pra para luftës, Ukraina zinte 8.3 për qind të eksporteve globale të titanit. Ndërkohë për mineralet e tjera, po flitet më shumë për rezerva potenciale, sesa për prodhim të mundshëm.
Për shembull, ky vend ka 3 për qind të rezervave botërore të litiumit, por minierat janë ende larg zhvillimit. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të sqarohet dallimi midis rezervave dhe burimeve minerale. Të parat, janë depozita që janë identifikuar dhe shfrytëzuar me teknologjitë aktuale duke pasur leverdi ekonomike.
Nga ana tjetër, të dytat janë depozita potencialisht të pranishme, por shfrytëzimi i tyre nuk është i vlefshëm ekonomikisht, ose kjo nuk është konfirmuar me siguri. Në rastin e Ukrainës, është më e saktë të flasim për burimet. Para së gjithash, vlerësimet e sasisë dhe cilësisë aktuale të mineraleve të pranishme në nëntokën e Ukrainës, datojnë që nga hartat e përpiluara në kohën e Bashkimit Sovjetik.
Objektivat e propagandës, të kombinuara me teknologjitë e kohës, i bëjnë shumë të pasigurta këto vlerësime. Një parametër kryesor, i referohet cilësisë së një depozite, që përcaktohet nga përqendrimi i mineraleve në shkëmbinj. Ajo përcakton edhe fitimin nga vetë procesi i nxjerrjes. Pra minerali duhet të jetë i pranishëm në një përqindje që e justifikon nxjerrjen dhe përpunimin e tij. Dhe që të dyja këto karakterizohen nga kosto shumë të larta. Përveç pasigurisë për sasinë dhe cilësinë e mineraleve të disponueshme, ekziston edhe problemi kompleks i përcaktimit të një vlere ekonomike për burimet minerale, duke pasur parasysh luhatshmërinë e lartë të çmimeve të lëndëve të para.
Kjo e bën kërkesën e Trump për 500 miliardë dollarë fitime të vështirë për t’u vlerësuar, dhe jo në përpjesëtim me ndihmën e dërguar nga SHBA deri më tani. Një element tjetër që duhet marrë parasysh, është vendndodhja e burimeve të Ukrainës.
Në fakt, disa nga depozitat minerale më premtuese, pavarësisht pasigurisë së eksplorimeve të mëparshme, ndodhen në rajonet Luhansk, Donetsk dhe Zaporizhia, aktualisht nën kontrollin rus. Në nivelin industrial, hapja e një miniere të re kërkon investime të mëdha.
Për shembull, një minierë mesatare bakri, kërkon një investim fillestar që varion nga 500 milionë deri në 1 miliardë dollarë, përveç kohës shumë të gjatë dhe të paqartë të ndërtimit të saj. Në fakt, mesatarisht duhen 17 vjet për të kaluar nga zbulimi i një depozite në prodhim për qëllime tregtare.
Dhe duke pasur parasysh faktin që puna në Ukrainë duhet të nisë nga studimet reale të fizibilitetit, atëherë rruga drejt fillimit të prodhimit është jashtëzakonisht e gjatë. Panoramën e ndërlikon më tej situata aktuale në Ukrainë. Vendi është në luftë prej 3 vjetësh.
Një pjesë e madhe të infrastrukturës së tij është shkatërruar, sistemi i tij energjetik është i rrezikuar, dhe këto të dyja janë vendimtare për sektorin e minierave, i cili kërkon shumë energji dhe është i varur nga aktivitete të shumta ndihmëse.
Pa një sistem të qëndrueshëm socio-ekonomik, nxjerrja e mineraleve në fjalë do të bëhet edhe më e ngadaltë, në mos e pamundur. Së fundi, një vështirësi tjetër është se çdo marrëveshje për nxjerrjen e mineraleve në Ukrainë, do të duhet të përfshijë domosdoshmërisht sektorin privat, për të financuar investimet e mëdha fillestare.
Megjithatë, konteksti aktual e bën situatën aspak tërheqëse për kompanitë minerare. Stabiliteti politik dhe ekonomik, është në fakt një faktor përcaktues për investimet afatgjata, siç janë ato që lidhen me nxjerrjen e pasurive të nëntokës.
Pa garanci dhe stimujt e duhur, është e vështirë të imagjinohet që kompanitë private të vendosin të përfshihen në një mjedis kaq të paqëndrueshëm. Si përfundim, potenciali minerar ukrainas mund të duket si një kundërpërgjigje ideale ndaj kërkesës në rritje të SHBA-së, marrëdhëniet e të cilës me aleatët e tjerë si Kanadaja dhe Danimarka po ndërlikohen ndjeshëm.
Megjithatë, për shkak të luftës së vazhdueshme, paqëndrueshmërisë ekonomike dhe gjeopolitike që e shoqëron, por edhe faktorëve thjesht gjeologjikë, thesari i Ukrainës mbetet të paktën tani për tani, i fshehur mirë nën tokë. E ardhmja e sigurisë industriale dhe e tranzicionit energjetik, dhe jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, varet më shumë nga zgjedhjet strategjike dhe largpamëse se sa nga bastet e rrezikshme si ky i Donald Trump./Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje