TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Shkurt 2026, 17:13

Bisedimet trepalëshe në Gjenevë/ Ukraina, Rusia dhe SHBA ulen në tryezë; diskutohen kushtet e paqes

Shkruar nga Pamfleti

Bisedimet trepalëshe në Gjenevë/ Ukraina, Rusia dhe SHBA ulen

Bisedimet trepalëshe për paqe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Russisë kanë nisur sot në Gjenevë të Zvicrës, në një përpjekje të re të ndërmjetësuar nga Uashingtoni për t'i dhënë fund luftës që po zgjat prej gati katër vitesh.

Kreu i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov (sekretar i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare), konfirmoi fillimin e takimeve dhe ndau në platformën X fotografi nga salla e negociatave, ku tre delegacionet janë ulur në një tavolinë në formë patkoi.

“Ekipi ukrainas ka një mandat të qartë. Në axhendë janë çështjet e sigurisë dhe humanitare. Po punojmë në mënyrë konstruktive, të fokusuar dhe pa pritje të tepërta. Detyra jonë është të çojmë përpara maksimalisht ato zgjidhje që mund të sjellin më afër paqen e qëndrueshme”, shkroi Umerov.

Agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti po ashtu raportoi se bisedimet kanë filluar në hotelin Intercontinental në Gjenevë.  Kjo është raundi i tretë i negociatave të këtij formati pas dy raundeve të mëparshme në Abu Dhabi.

Ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, mirëpriti palët dhe theksoi rolin e Zvicrës si platformë neutrale për dialog.

“Zvicra mirëpret SHBA-në, Rusinë dhe Ukrainën në Gjenevë për bisedime trepalëshe të përqendruara në paqe dhe stabilitet. Ne ofrojmë një platformë për dialog dhe ulje të tensioneve në mbështetje të paqes. Mirë se vini në Zvicër, bienvenue à Genève”, shkroi ai teksa ndau gjithashtu një imazh nga dhoma e takimit.

Jashtë ndërtesës së OKB-së dhe hotelit të negociatave, janë mbledhur dhjetëra protestues pro-ukrainas, të cilët mbajnë flamuj ukrainas dhe banderola me mbishkrime “Paqe në Ukrainë”, duke kërkuar një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Bisedimet trepalëshe në Gjenevë/ Ukraina, Rusia dhe SHBA ulen

Pritshmëritë për një përparim të madh mbeten të ulëta: palët vazhdojnë të mbajnë pozicione të largëta sidomos në çështjen e territorit (tokat e pushtuara nga Rusia), garancitë e sigurisë dhe rolin e forcave perëndimore pas një marrëveshjeje të mundshme.

Bisedimet trepalëshe në Gjenevë/ Ukraina, Rusia dhe SHBA ulen

SHBA-ja, nën administratën Trump, ka vendosur një afat qershori për arritjen e një marrëveshjeje, duke ushtruar presion mbi Kievin për të qenë fleksibël. Bisedimet pritet të zgjasin dy ditë (17–18 shkurt).

Ndërkohë, luftimet në terren vazhdojnë: Rusia ka nisur sulme masive me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase edhe gjatë natës para takimit.Ky raund vjen pak përpara përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë rus (24 shkurt 2022) dhe shihet si një mundësi e fundit për de-përshkallëzim para se presioni të rritet edhe më tej.

rusia shba ukraina

Lini një Përgjigje