
Kreu i grupit mercenar rus, Wagner, tha se grupi i tij ka humbur mbi 20.000 luftëtarë në betejën për kontrollin e qytetit lindor ukrainas të Bahmutit.
Shifra e të vrarëve, e paraqitur nga Yevgeny Prigozhin, përbën 20 për qind të 50.000 të dënuarve rusë që ai rekrutoi për luftën në Ukrainë. Ky numër i luftëtarëve të vrarë vetëm në betejën për Bahmutin është shumë i lartë krahasuar me numrin e ushtarëve që Rusia pretendon se i janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë, përkatësisht Moska pretendon se që nga nisja e pushtimit në shkurtin e kaluar, i janë vrarë mbi 6.000 ushtarë.
Prigozhin, gjatë një interviste të publikuar të martën mbrëma të realizuar nga Konstandin Dolgov, një politolog pro-Kremlinit, tha se qëllimi i Rusisë për “çmilitarizimin” e Ukrainës ka dështuar, sepse ushtria ukrainase është bërë më e fortë pas furnizimeve me armë dhe trajnimeve nga aleatët e saj perëndimorë.
Gjatë intervistës, ai po ashtu tha se ka shumë të ngjarë që kundërofensiva e Kievit, që pritet të nisë në javët në vijim, mund të largojë trupat ruse nga jugu dhe lindja e Ukrainës, por edhe nga Krimeja e aneksuar, duke marrë parasysh mbështetjen e vazhdueshme që ka Kievi nga Perëndimi.
“Skenari pesimist: ukrainasve u jepen raketa, ata përgatisin trupat, sigurisht ata do ta vazhdojnë ofensivën e tyre, duke tentuar të kryejnë një kundërofensivë. Ata do ta sulmojnë Krimenë, do të tentojnë ta shkatërrojnë urën e Krimesë [që e lidh këtë gadishull të aneksuar ukrainas me territorin e Rusisë], të ndërpresin linjat e furnizimit. Prandaj, ne duhet të përgatitemi për luftë të ashpër”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje