Pas Viktor Orbanit, liderët e BE-së nuk kanë më kujt t’ia atribuojnë problemet
Me largimin e “kokës së turkut”, Evropa detyrohet më në fund të jetë e sinqertë me veten. Jeta pas Viktor Orbanit do të thotë se, në të ardhmen, liderët nuk do të kenë më kë të fajësojnë përveç vetes.
Kur liderët e BE-së mbërritën në Qipro për dy ditë bisedimesh, atmosfera ishte po aq e ndritshme sa ishulli mesdhetar. Mungesa e kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili e bojkotoi samitin pasi humbi zgjedhjet, për 16 vjet një figurë problematike për homologët e tij, e garantoi këtë klimë.
Megjithatë, pas diskutimeve intensive mbi klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë, politikën energjetike dhe buxhetin shtatëvjeçar prej 1.8 trilionë eurosh, krerët e shteteve dhe qeverive të Evropës u detyruan të pranojnë se problemet e tyre, dhe dallimet mes tyre, janë shumë më të mëdha se një njeri i vetëm.
“Në disa aspekte, Orbán ishte ndoshta personi mbi të cilin të gjithë ia hidhnin fajin”, tha kryeministri estonez Kristen Michal në një intervistë për Politico në margjinat e samitit. Në të ardhmen, liderët do të duhet “të shprehen hapur dhe me ndershmëri për qëllimet e tyre.”
Gjatë dy ditëve të takimit, kjo ndershmëri filloi të dalë në pah.
Përçarjet e para u shfaqën lidhur me Ukrainën. Ndërsa disa liderë mbështetën anëtarësimin e shpejtë të Kievit në BE, të tjerë u treguan të kujdesshëm. Kryeministri kroat Andrej Plenković i dha presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i pranishëm ditën e parë në Ayia Napa, një vlerësim realist, duke u shprehur se anëtarësimi i Ukrainës në një afat të afërt nuk është “realist”, duke iu referuar përvojës së gjatë të Kroacisë për t’u bërë pjesë e BE-së.
Një tjetër pikë ishte energjia. Liderët diskutuan “masa afatshkurtra” për të përballuar goditjen globale energjetike të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, por në fund vendosën t’i shtyjnë vendimet. Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, tha se ministrat e financave do të ngarkohen të paraqesin “propozime shumë konkrete” brenda rreth një muaji.
“Shpresojmë të arrijmë një marrëveshje të përgjithshme deri në qershor,” shtoi ai.
Megjithatë, kontinenti tashmë përballet me mungesa të karburantit të avionëve. Komisioneri për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, paralajmëroi se vendet mund të detyrohen të ndajnë rezervat e tyre emergjente.
“Negociata jashtëzakonisht të vështira”
Kjo ishte vetëm dita e parë. Nëse dita e parë u fokusua te siguria, energjia dhe zgjerimi i BE-së, dita e dytë iu kushtua buxhetit. Edhe pse në dukje një temë më e butë, ajo rezultoi po aq përçarëse.
Kryeministri holandez Rob Jetten deklaroi se buxheti afatgjatë i BE-së ka nevojë për “modernizim” dhe se madhësia e tij duhet të “ulet ndjeshëm”. Ai u mbështet nga Gjermania.
Kjo i vë ata përballë vendeve të tjera, si Polonia, që kërkojnë rritjen e fondeve, si dhe përballë Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila mbrojti fuqishëm një buxhet të madh.

“Ose rriten kontributet kombëtare, ose ulet kapaciteti i shpenzimeve. Këto janë opsionet e vetme,” tha ajo. Sipas saj, ulja e kapacitetit do të thoshte “më pak Evropë pikërisht kur nevojitet më shumë Evropë.”
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e përmblodhi situatën duke e quajtur buxhetin një “negociatë jashtëzakonisht të vështirë”.
Një zyrtar i BE-së, që foli në kushte anonimiteti, tha për Politico se kishte gjithashtu mosmarrëveshje për kohën kur duhet të nisë shlyerja e Fondit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (RRF), pjesa kryesore e planit pas pandemisë.
Dhe për këtë nuk nevojitej Orbán.
Fund i “muajit të mjaltit”
Kjo nuk do të thotë se nuk pati pika dakordësie. Disa liderë shprehën optimizëm për arritjen e konsensusit pa kryeministrin hungarez.
“Për herë të parë pas vitesh nuk ka rusë në sallë,” shkroi kryeministri polak Donald Tusk në rrjetet sociale, duke iu referuar afërsisë së Orbánit me presidentin rus Vladimir Putin. “Lehtësim i madh.”
Kryeministri estonez Michal tha se pa Orbánin, liderët po kalojnë një periudhë “muaji mjalti”.
“Mund të ndjesh energjinë pozitive,” tha ai, duke shtuar se “Viktor Orbán ishte një symbol, asgjë personale, por simboli ishte që ai ishte brenda BE-së, përfitonte nga ajo, por në të njëjtën kohë luftonte kundër saj. Tani që kjo trashëgimi është jashtë dhomës, po, mund ta ndjesh. Të gjithë po diskutojnë se çfarë do të ndodhë më pas në Evropë”
Ajo që do të ndodhë më pas varet nga aftësia e liderëve për të kapërcyer dallimet, nga anëtarësimi i Ukrainës deri te financat e bllokut. Takimi në Qipro ishte informal dhe nuk pritej të prodhonte vendime të mëdha.
Vendimet priten në samitin formal më 18 qershor në Bruksel.
Deri atëherë, efekti i largimit të Orbánit do të zbehet dhe liderët evropianë do të duhet të tregojnë më shumë ndershmëri se kurrë. /Përshtati Pamfleti/
Nuk ka ekzistuar kurrë realisht një union politik Europian.E mbante gjallë frika nga Bashkimi sovjetik,pas tij e mbajti gjallë Amerika. Tani që amerikanët u hoqën mënjanë del zbuluar ky fakt : europianët janë gati t'i shpallin luftë njëri tjetrit por nuk kanë mundësi dhe kanë frikë. As që mund të imagjinohet më një union europian