TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Prill 2026, 07:44

Përballje e hapur në Hormuz/ SHBA dhe Irani sfidojnë njëri-tjetrin, bllokada çahet (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Përballje e hapur në Hormuz/ SHBA dhe Irani sfidojnë
Anije në Hormuz

Edhe pse të dyja palët pretendojnë kontroll të fortë, të dhënat tregojnë se bllokada detare nuk është plotësisht efektive

Videoja që Rojet Revolucionare iraniane publikuan të mërkurën është realizuar si një film hollivudian. Nga pamja ajrore shihet se si një mjet i shpejtë i afrohet një anijeje kontejnerësh dhe ankorohet pranë saj. Më pas, disa burra të maskuar dhe të armatosur me pushkë automatike, të veshur me uniforma ushtarake, ngjiten në bord përmes një shkalle litari dhe hyjnë në anije nga një hapje në trupin e saj. Skena të tjera tregojnë ushtarët duke lëvizur nëpër anije me armë në gatishmëri dhe në fund duke marrë urën komanduese. E gjithë videoja shoqërohet me muzikë dramatike.

Pamjet tregojnë sekuestrimin e dy anijeve kontejnerësh, “MSC Francesca” dhe “Epaminondas”, nga Rojet Revolucionare iraniane në Ngushticën e Hormuzit. Videoja propagandistike synon të projektojë fuqinë e Iranit dhe të tregojë se ai kontrollon këtë rrugë detare strategjike.


Nuk është për t’u habitur që vetëm një ditë më vonë Departamenti amerikan i Mbrojtjes publikoi një video të ngjashme në rrjetet sociale. Në të, dy helikopterë luftarakë i afrohen cisternës së naftës “Majestic X” në Oqeanin Indian, përpara se dhjetëra ushtarë të zbresin në kuvertë me litarë. Sipas Pentagonit, anija e vendosur nën sanksione nga SHBA  transportonte naftë iraniane. Edhe SHBA po zbaton prej afro dy javësh një bllokadë detare. Por a është kjo vërtet një “sukses i madh”, siç pretendon Donald Trump?

Sipas të dhënave zyrtare të ushtrisë amerikane, bllokada është hermetike. Komanda Qendrore (Centcom), përgjegjëse për Lindjen e Mesme, njoftoi se deri tani janë detyruar të kthehen gjithsej 33 anije. Megjithatë, raportime mediatike dhe të dhëna nga kompani që monitorojnë trafikun detar vënë në dyshim efektivitetin e saj. Kompania Vortexa, e cituar nga “Financial Times”, thotë se që nga 12 prilli të paktën 34 anije të lidhura me Iranin e kanë shmangur bllokadën amerikane.

Sipas Vortexa-s, të paktën gjashtë prej këtyre anijeve transportonin naftë, gjithsej rreth 10.7 milionë fuçi. Duke qenë se Irani e shet naftën e tij me çmime më të ulëta për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, të ardhurat e vlerësuara arrijnë rreth 910 milionë dollar, para që përfundojnë në arkën iraniane.

Edhe ofrues të tjerë informacioni si Kpler dhe Lloyd’s List konfirmojnë se disa anije kanë kaluar bllokadën, megjithëse shifrat ndryshojnë. Mbledhja e të dhënave të sakta është e vështirë, pasi shumë anije fikin transponderët ose falsifikojnë pozicionet e tyre. Në disa raste, nafta transferohet në det të hapur në anije të tjera për të fshehur origjinën.

“Bllokada nuk është aspak 100 për qind e mbyllur”, thotë Christian Bueger, ekspert i sigurisë detare dhe profesor në Universitetin e Kopenhagës. Sipas tij, kjo nuk është thelbësore: “Gjithmonë do të ketë anije që kalojnë. Qëllimi kryesor është sinjali dhe efekti parandalues. Për Trump-in, kjo ishte mënyra e fundit për të krijuar një levë në negociatat me Teheranin.”

Minat e reja në Ngushticën e Hormuzit

Sipas Bueger, Irani ka avantazh në këtë lojë “mace-miu”: ai vazhdon të ketë kontroll mbi ngushticën, edhe për shkak të pozicionit gjeografik. Irani operon nga një vijë bregdetare mbi 1500 kilometra dhe, pavarësisht humbjeve, ka ende qindra mjete të vogla që mund të sulmojnë dhe ndalojnë anije tregtare. Raportime të medias “Axios” sugjerojnë se Irani ka vendosur sërish mina detare në këtë zonë gjatë javës.

Të enjten, Donald Trump njoftoi se kishte urdhëruar Marinën amerikane të fundosë pa hezitim çdo mjet që vendos mina. Ai shtoi se përpjekjet për pastrimin e minave do të trefishohen. Megjithatë, anijet amerikane duket se nuk janë futur thellë në Gjirin Persik, ku do të ishin më të ekspozuara. Në vend të kësaj, SHBA ka përqendruar praninë në Gjirin e Omanit, duke krijuar një zonë mbrojtëse. Aktualisht, në rajon ndodhen më shumë se 17 anije luftarake dhe rreth 100 helikopterë e avionë.

Një shembull i ndërhyrjeve është rasti i së dielës së kaluar, kur anija kontejnerike “MV Touska” u ndalua në Gjirin e Omanit pasi kishte injoruar paralajmërimet për disa orë. Shkatërruesi amerikan “USS Spruance” qëlloi në dhomën e motorit, duke e bërë anijen të palëvizshme. Më pas, ushtarët zbarkuan nga helikopterët dhe morën kontrollin.

Megjithatë, përballë forcave amerikane qëndron një flotë e madhe iraniane me anije tregtare dhe cisterna, vetëm në listën e sanksioneve të SHBA ndodhen 440 anije të lidhura me Iranin. Kjo e bën praktikisht të pamundur ndalimin e çdo mjeti.

Së fundmi, SHBA ka filluar të ndalojë anije të lidhura me Iranin edhe jashtë rajonit, si rasti i “Majestic X” në Oqeanin Indian. Sipas ekspertëve, kjo përbën një zgjerim të rëndësishëm të konfliktit.

Në fund, vendimtare do të jetë se cila palë mund të përballojë më gjatë pasojat e kësaj bllokade të dyfishtë. Irani përballet jo vetëm me presion ekonomik, por edhe me kufizime në kapacitetet e magazinimit të naftës. Tankeri “Nasha”, i nxjerrë nga përdorimi, po lëviz drejt ishullit Kharg për të depozituar tepricën e naftës.

Sipas ekspertëve, deri në fund të prillit kapacitetet e magazinimit mund të mbushen plotësisht. Në këtë rast, Irani do të detyrohej të mbyllte disa puse nafte – një veprim që mund të ketë pasoja afatgjata për prodhimin. /Përshtatur nga NZZ/

 

hormuzi shba irani

Lini një Përgjigje