SHBA dhe Irani dërgojnë sinjale kontradiktore. Paqartësi për takimet në Pakistan, ndërsa përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut vazhdojnë pavarësisht armëpushimit…
Shtetet e Bashkuara dhe Irani vijojnë të japin sinjale të ndryshme lidhur me mundësinë e zhvillimit të negociatave këtë fundjavë, ndërsa Izraeli dhe Hezbollahu vazhdojnë shkëmbimet e sulmeve pavarësisht zgjatjes së armëpushimit.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të udhëtojnë drejt Pakistanit të shtunën për të marrë pjesë në bisedime të drejtpërdrejta paqeje me Iranin. Zëvendëspresidenti JD Vance pritet të qëndrojë në gatishmëri për t’u bashkuar nëse bisedimet shënojnë përparim. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë deklaroi se Uashingtoni ka vërejtur “disa përparime” nga pala iraniane.
Megjithatë, presidenti Donald Trump nuk ka ofruar një afat të qartë për përfundimin e konfliktit. Ai deklaroi të premten se Irani pritet të paraqesë një ofertë ndaj SHBA-së, pa dhënë detaje, ndërsa një ditë më parë kishte theksuar se pasiguritë rreth udhëheqjes iraniane po e ndërlikojnë procesin negociues.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi mbërriti në Pakistan për takime me ndërmjetësues, por Ministria e Jashtme e Iranit mohoi se është planifikuar një takim i drejtpërdrejtë me përfaqësues amerikanë. Mediat gjysmëzyrtare iraniane raportuan se “nuk ka negociata me amerikanët në axhendë”, qëndrim i përsëritur edhe nga agjenci të lidhura me strukturat e sigurisë kombëtare iraniane.
Kjo paqartësi mbi statusin e negociatave nuk është e re. Në fund të marsit, pati raportime kontradiktore për kontakte mes dy vendeve. Presidenti Trump foli për “bisedime produktive”, ndërsa Teherani i mohoi ato. Megjithatë, burime iraniane pranuan se kishte pasur komunikime të tërthorta dhe shprehën gatishmëri për të shqyrtuar propozime “të përshtatshme”.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Shtetet e Bashkuara njoftuan se armëpushimi në Liban është zgjatur me tre javë, por përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut vazhdojnë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi Hezbollahun për përpjekje për të penguar procesin e paqes dhe theksoi se Izraeli do të godasë çdo kërcënim në territorin libanez.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se goditën objektiva të Hezbollahut në zonën e Deir Aames në jug të Libanit, pas një shkeljeje të armëpushimit nga grupi një ditë më parë. IDF raportoi gjithashtu se vrau gjashtë anëtarë të Hezbollahut në Bint Jbeil gjatë përplasjeve të së premtes.
Një analizë e CNN mbi imazhet satelitore tregon shkallën e dëmeve në jug të Libanit, ku qindra ndërtesa, kryesisht banesa, janë shkatërruar ose janë bërë të pabanueshme që nga fillimi i konfliktit.
Komuniteti ndërkombëtar ndjek nga afër zhvillimet në Islamabad, në një situatë ku qëllimet diplomatike mbeten të paqarta. Mungesa e një kalendari zyrtar pengon pritshmëritë për përparim konkret, ndërsa delegacionet e SHBA-së dhe Iranit kanë mbërritur në Pakistan pa një takim të konfirmuar zyrtarisht.
Kërcënime në sfond
Në sfondin e bisedimeve diplomatike, prania ushtarake mbetet e theksuar. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmon se tre aeroplanmbajtëse amerikane, USS Abraham Lincoln, USS Gerald R. Ford dhe USS George H.W. Bush, operojnë njëkohësisht në Lindjen e Mesme. Ky zhvillim konsiderohet një demonstrim force i rrallë që nga viti 2003. Më shumë se 200 avionë patrullojnë rajonin, ndërsa ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaron se vendi është i gatshëm të rifillojë operacionet ushtarake.
Kjo situatë reflektohet edhe në tregjet e energjisë, veçanërisht pas publikimit nga agjencia iraniane Tasnim të një harte që synon kabllot nënujore në Ngushticën e Hormuzit, duke ngritur shqetësime për rrjedhën e të dhënave mes Evropës dhe Azisë.
Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) ka zgjatur paralajmërimin për shmangien e hapësirës ajrore të Lindjes së Mesme deri më 1 maj. Sipas EASA-s, rreziqet për aviacionin civil mbeten të larta, ndërsa zbatimi i marrëveshjeve të armëpushimit konsiderohet i pasigurt.
Në planin diplomatik, Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kërkojnë rifillimin e negociatave. Ministri rus i Jashtëm, Sergei Lavrov, thekson nevojën për një zgjidhje që merr parasysh interesat e të gjitha palëve. Ndërkohë, përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut vazhdojnë, duke treguar se situata mbetet e brishtë.
Sipas CNN, CENTCOM publikoi pamje të një anijeje luftarake amerikane që ndalon një anije me flamur iranian në Ngushticën e Hormuzit.
“Anija luftarake USS Rafael Peralta (DDG 115) zbaton bllokadën amerikane ndaj porteve iraniane kundër një anijeje që tenton të hyjë në një port iranian më 24 prill”, njoftoi CENTCOM.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit, Reza Talaei-Nik, deklaron se vendi prodhon mbi 1.000 lloje armësh, përfshirë raketa, dronë dhe sisteme ushtarake. Ai thekson se kjo kapacitet është rezultat i investimeve mbi 25-vjeçare dhe se rreth 9.000 kompani mbështesin industrinë e mbrojtjes, e shpërndarë në të gjithë territorin për të siguruar vazhdimësinë e prodhimit.
Bllokada detare si pengesë kryesore
Bllokada amerikane ndaj porteve iraniane pritet të mbetet një pikë kryesore mosmarrëveshjeje në negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit, sipas raportimeve të korrespondentes Cordelia Lynch.
Ekzistojnë gjithashtu sinjale për një raund të ri bisedimesh që mund të zhvillohet së shpejti në Pakistan. Qëllimi i tyre është përfundimi i konfliktit, i cili, sipas raportimeve, ka nisur më 28 shkurt si një operacion i përbashkët i SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Sipas Reuters, ministri rus Sergei Lavrov dhe homologu i tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed, kërkojnë rifillimin e negociatave për zgjidhjen e krizës. Ata theksojnë nevojën që bisedimet të marrin parasysh interesat legjitime të të gjitha vendeve të rajonit. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje