
Emiratet e Bashkuara Arabe po financojnë vrasje të motivuara politikisht në Jemen, sipas një hetimi të “BBC”.
Emiratet e Bashkuara Arabe po intensifikojnë konfliktet midis qeverisë në Sana'a dhe grupeve militante në vend që janë kthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të sulmeve të Houthive.
Sipas një informatori që foli për “BBC Arab Investigations”, oficerët e Emirateve në Jemen përdorën ekspertizën kundër terrorizmit që kishin marrë nga mercenarët amerikanë për të trajnuar vendasit që do të vepronin me një profil "më të ulët" duke shkaktuar një rritje të konsiderueshme të vrasjeve politike.
Sipas “BBC”, megjithëse qëllimi i mercenarëve amerikanë ishte neutralizimi i organizatave xhihadiste al-Kaeda dhe ISIS në Jemenin jugor, Emiratet e Bashkuara Arabe përfunduan duke rekrutuar ish-anëtarë të Al-Kaedës për një forcë sigurie për të luftuar Houthis dhe fraksione të tjera të armatosura.
"Vrasja e politikanëve në Jemen, që janë më shumë së 100 në 3 vitet e fundit, është një element i një konflikti të ashpër të vazhdueshëm që vë shumë fuqi ndërkombëtare kundër njëra-tjetrës në vendin më të varfër të Lindjes së Mesme", tha rrjeti shtetëror britanik në raportin e tij.
Isaac Gilmore, një ish marinës amerikan, që tashmë është CEO i Spear, ishte një nga disa amerikanë që pretendojnë se ishin punësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe për të kryer atentate në Jemen.
Sipas tij misioni që i ishte caktuar përfundoi në vitin 2016. Megjithatë, vrasjet në Jemenin jugor vazhduan, madje me frekuencë më të madhe, sipas studiuesve të organizatës për të drejtat e njeriut Reprieve.
160 vrasjet e hetuara nga grupi u regjistruan në Jemen midis 2015 dhe 2018 dhe, sipas hetimit, vetëm 23 nga 160 të vrarët dyshohet se kishin lidhje me terrorizmin. Të gjitha atentatet u kryen duke shpërthyer një mjet shpërthyes të improvizuar si një shpërqendrim dhe më pas duke përdorur zjarr kundër objektivit.
Vrasja më e fundit politike në Jemen, është ajo e një imami që u vra me të njëjtën metodë, muajin e kaluar, sipas avokatit të të drejtave të njeriut Huda al-Sharari.
Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe i ka hedhur poshtë zbulimet e hetimit të “BBC-së” se ka kryer vrasje me shënjestër të njerëzve pa lidhje me terrorizmin dhe i quan raportet si të rreme dhe të pabaza. /Përshtati "Pamfleti" nga "BBC"
Lini një Përgjigje