TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Gusht 2024, 22:25

“Baronët” e teknologjisë jo më të paprekshëm, pas Durov priten telashe edhe për Elon Musk

Shkruar nga Keiran Southern

“Baronët” e teknologjisë jo më të

Musk e zemëroi jo pak kryeministrin e ri të vendit, Keir Starmer, kur shkroi se lufta civile në Britaninë e Madhe është “e pashmangshme”, dhe i krahasoi përpjekjet për të kufizuar shprehjen e lirë pas ngjarjes së rëndë me ato të regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik.

Drejtuesit e gjigantëve të mediave sociale si Meta dhe Google, kanë qenë në përgjithësi të paprekshëm, edhe pse platformat e tyre kanë një kontroll gjithnjë e më të madh në jetën e miliarda përdoruesve.

Pavarësisht nga skandalet e njëpasnjëshme - nga Instagrami që akuzohet për shkatërrimin e qëllimshëm të shëndetit mendor të vajzave të reja, e deri tek Google që pretendohet se drejton një monopol - krerët ekzekutivë të kompanive të mëdha të teknologjisë, kanë arritur të shmangin kryesisht pasojat serioze.

Por situata mund të ndryshojë me arrestimin e Pavel Durov, themeluesit të Telegram, i cili u akuzua të mërkurën për ndihmë dhe nxitje për krime, përfshirë abuzimin e fëmijëve, trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.

Kritikët janë ankuar prej kohësh se platformat kryesore online, nuk po bëjnë mjaftueshëm për të kontrolluar përmbajtjen që lejojnë të postohet dhe të përhapet në internet. Megjithatë, fakti që një drejtues i këtyre platformave po del para gjyqit pse ka dështuar të moderojë faqen e tij të mesazheve të koduara, përbën një ndryshim të jashtëzakonshëm.

Platforma Telegram ka qenë e lidhur me organizata kriminale dhe të dhunshme, nga terroristët e Shtetit Islamik, deri tek trafikantët e drogës dhe organizatorët e trazirave të kësaj vere në Britaninë e Madhe. Edhe pse ka qenë një platformë kyçe komunikimi për ata që nuk mund të flasin lirshëm - për shembull, njerëzit që jetojnë në regjime autoritare - aplikacioni është gjithashtu një mjet komunikimi i preferuar për makinerinë ruse të luftës.

Si e tillë, prokurorët francezë pretendojnë se kriptimi i Telegram dhe mungesa e modelimit, e bëjnë atë një bashkëpunëtore në krime të rënda. Megjithatë, avokatët e Durov argumentojnë se të presësh që ai t’i parandalojë këto aktivitete, është po aq e paarsyeshme sa të cilësosh presidentin Macron përgjegjës për çdo krim që ndodh në Francë.

Ndër titanët e tjerë të botës së teknologjisë, Elon Musk duket të jetë më shumë i alarmuar nga arrestimi i Durov. Pronari i platformës X pretendon se është një emblemë globale e fjalës së lirë, dhe javët e fundit ka qenë i zëshëm në kritikat e tij ndaj qeverisë britanike për reagimin e saj ndaj trazirave të shkaktuara nga vrasja e 3 vajzave të vogla në Southport.

Musk e zemëroi jo pak kryeministrin e ri të vendit, Keir Starmer, kur shkroi se lufta civile në Britaninë e Madhe është “e pashmangshme”, dhe i krahasoi përpjekjet për të kufizuar shprehjen e lirë pas ngjarjes së rëndë me ato të regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik.

“Moderimi është një fjalë propagandistike që nënkupton censurën”- u shpreh Musk, duke shpjeguar pse i kundërshton përpjekjet për të kontrolluar përmbajtjen në platformën e tij. Pasi arrestimit të Durov, 39 vjeç, Musk postoi “POV” (pikëpamjen) e tij në X:“Është viti 2030 në Evropë, dhe njerëzit ekzekutohen me vdekje vetëm sepse pëlqejnë një meme!”.

Edhe pse postimi i tij mund të ketë qenë një shaka e ekzagjeruar, Musk me siguri po pyet edhe sa kohë mund të ruajë qasjen e tij “laissez-faire” (Na lini të qetë) për moderimin e përmbajtjes në rrjetet sociale, përpara se edhe ai të vendoset nën hetim nga një shtet.

Në fakt, disa kërkuan që Musk, 53 vjeç, sot njeriu më i pasur në botë, të arrestohej pas tragjedisë që ndodhi në Southport të Britanisë së Madhe. Në rast se Musk nis të mendohet dy herë përpara se të udhëtojë drejt Evropës, ai nuk do të ishte i vetmi drejtues i sektorit të teknologjisë që do ta bënte këtë.

Chris Pavlovski është drejtues i Rumble, një platformë e videove, shumë e preferuar nga konservatorët për shkak të angazhimit të saj ndaj fjalës së lirë. Duke reaguar ndaj arrestimit të Durov, Pavlovski njoftoi se është larguar nga Evropa, dhe bëri thirrje për një bojkot të Francës. Rumble pushoi së funksionuari në këtë vend në vitin 2022, pasi refuzoi kërkesat për të hequr nga platforma llogaritë e mediave shtetërore ruse. “Kjo ngjarje duhet të thotë diçka, në emër të lirisë së shprehjes. Rumble është mbyllur tashmë në Francë, dhe tani unë personalisht nuk do të prek më asnjë produkt francez. Portofoli im, do të jetë zëri im!”- deklaroi Pavlovski në fillim të kësaj jave.

Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duket se po ndjekin rrugë të ndryshme në lidhje me lirinë e fjalës. Këtë javë Mark Zuckerberg, themeluesi dhe kreu ekzekutiv i Meta-s, e pranoi se i vjen keq që pranoi të censuronte informacionin për Covid-19 gjatë pandemisë, nën presionin e administratës së Joe Biden.

Pranimi u bë në një letër drejtuar një republikani të njohur në Kongres. Liria e shprehjes është një çështje e nxehtë politike në SHBA. Konservatorët ndihen të shënjestruar nga gjigantët e teknologjisë që janë kundër censurës. Ata që janë në të njëjtën linjë me demokratët, argumentojnë se një botë online kaotike, përfaqëson një rrezik për të mirën e përbashkët.

Konservatorët amerikanë mbrohen nga Amendamenti i Parë, i cili garanton të drejtën e lirisë së fjalës. Evropianët nuk kanë një ligj të tillë, dhe Bashkimi Evropian ka mbajtur një qëndrim të ashpër për të moderuar përmbajtjen në internet.

Megjithëse Durov u arrestua dhe është nën akuzë sipas ligjit francez, Akti i Shërbimeve Dixhitale të BE-së është një tjetër përpjekje për të gjunjëzuar dhe vënë nën kontroll gjigantët e mediave sociale. Ndjekja penale e miliarderit rus, vetëm sa do të inkurajojë përpjekje të tilla, sidomos nëse ai shpallet fajtor dhe dënohet në gjyq./Përshtati "Pamfleti", nga “The Synday Times”

“baronët” e teknologjisë durov elon musk telashe

Lini një Përgjigje