TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Tetor 2024, 22:06

Aromë lufte bërthamore? NATO nis përgatitjet për më të keqen!

Shkruar nga Pamfleti

Aromë lufte bërthamore? NATO nis përgatitjet për më

Duke pasur parasysh përshkallëzimin si në Europë ashtu dhe në Lindje të Mesme, lufta nukleare mbetet çështje “kumari”; po të kemi fat mjaftueshëm do arrijmë ta shmangim atë, në të kundërt, do humbasim gjithçka!

Që nga nisja e pushtimi rus të Ukrainës, një luftë bërthamore ka qenë skenari të cilit i është trembur më shumë Perëndimi. Kërcënimet e Moskës për nisjen e një lufte bërthamore kanë qenë konsistente, kohët e fundit ato kanë qenë më serioze dhe të drejtpërdrejta.

Vetëm pak muaj më parë presidenti rus ndërmori një hap të frikshëm, duke miratuar ndryshime në taktikën e saj bërthamore, gjë që do t’i lejonte Kremlinit t’i përgjigjeme armë nukleare cilitdo shtet që kërcënon Rusinë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi, në këtë rast duke armatosur me armë me rreze të gjatë Ukrainën dhe duke i dhënë asaj leje për të sulmuar Rusinë.

Këto deklarata dhe lëvizje të Moskës, kanë detyruar aleancën më të madhe ushtarake, NATO-n që të nisë përgatitjet për më të keqen. Aleanca ka nisur të stërvitet për përgjigje ushtarake në rast të një lufte bërthamore.

NATO filloi të hënën stërvitjet e saj vjetore ushtarake "Steadfast Noon" në Evropën veriore me pjesëmarrjen e 2,000 ushtarakëve nga 13 vende të NATO-s dhe 60 avionëve ushtarakë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se stërvitjet do të zhvillohen kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar, në Detin e Veriut dhe në Belgjikë dhe Holandë. Ai tha se stërvitjet synojnë të dërgojnë një mesazh të qartë për kundërshtarët se NATO është e përgatitur të mbrojë veten.

Stërvitjet janë planifikuar dhe përgatitur për më shumë se një vit dhe asnjë municion i vërtetë nuk do të përdoret në stërvitje”, tha NATO.

Manovrat do të zgjasin dy javë. Tetë baza ajrore do të përfshihen dhe avionë të aftë për të mbajtur armë bërthamore, bombardues dhe avionë zbulimi dhe lufte elektronike do të marrin pjesë në stërvitje.

Shërbimi i shtypit i NATO-s tha se Aleanca po merr hapa për të siguruar besueshmërinë dhe efektivitetin e forcave të saj të parandalimit bërthamor.

Në vitin 2024, luftëtarët e rinj holandezë F35A u njohën si të përshtatshëm për t'u përdorur në misionet e parandalimit bërthamor.

Deklarata e Samitit të Uashingtonit të NATO-s e ka bërë të qartë se qëllimi themelor i aftësisë bërthamore të NATO-s është ruajtja e paqes, parandalimi i detyrimit dhe frenimi i agresionit, teksa shton se për sa kohë që ekzistojnë armët bërthamore, NATO do të mbetet një aleancë bërthamore.

Me luftën tashmë jo vetëm në Ukrainë por dhe në Lindje të Mesme, nisja e një lufte bërthamore duket më pranë se kurrë. Përveç Rusisë, edhe Irani e Koreja e Veriut të cilat dyshohet se mund të kenë  zhvilluar aftësitë e tyre bërthamore janë një kërcënim që mund të nisnin një luftë nukleare.

Duke pasur parasysh përshkallëzimin si në Europë ashtu dhe në Lindje të Mesme, lufta nukleare mbetet çështje “kumari”; po të kemi fat mjaftueshëm do arrijmë ta shmangim atë, në të kundërt, do humbasim gjithçka!/Pamfleti 

nato

Lini një Përgjigje