TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Mars 2025, 21:58

Armëpushimi Rusi-Ukrainë në Detin e Zi, kushtet e vendosura nga Kremlini dhe Kievi; çfarë garanton SHBA

Shkruar nga Pamfleti

Armëpushimi Rusi-Ukrainë në Detin e Zi, kushtet e vendosura nga

Rusia dhe Ukraina konfirmuan marrëveshjen e armëpushimit në Detin e Zi, të cilën Shtëpia e Bardhë e shpalli pak kohë më parë.

Shtëpia e Bardhë raportoi më herët se Rusia dhe Ukraina ranë dakord të sigurojnë kalimin e sigurt të anijeve tregtare dhe të ndalojnë sulmet ushtarake në Detin e Zi.

Në njoftime të veçanta, dy palët ndërluftuese, Kremlini nga njëra anë dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nga ana tjetër, konfirmuan, marrëveshjen e cila, nëse respektohet, potencialisht mund të jetë hapi i parë drejt një marrëveshjeje më të gjerë armëpushimi në Ukrainë.

Moska dhe Uashingtoni kanë arritur një marrëveshje për Detin e Zi, njoftoi Kremlini, duke konfirmuar njoftimin e mëparshëm të Shtëpisë së Bardhë.

Siç theksohet në deklaratën e Kremlinit, marrëveshja fokusohet në sigurimin e lundrimit të sigurt dhe ndalimin e përdorimit të anijeve tregtare për qëllime ushtarake.

"Në përputhje me marrëveshjen midis presidentëve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të dyja palët janë të përkushtuara për zbatimin e Iniciativës së Detit të Zi. Kjo nismë përfshin garantimin e lundrimit të sigurt në Detin e Zi, shmangien nga përdorimi i forcës dhe ndalimin e përdorimit të anijeve tregtare për qëllime ushtarake, duke vendosur masat e duhura të kontrollit përmes inspektimeve të këtyre anijeve", thuhet në deklaratë.

Konsultimet ruso-amerikane u mbajtën në Riad më 24 mars dhe zgjatën më shumë se 12 orë. Sipas ndihmësit presidencial rus, Yuri Ushakov, negociatorët u fokusuan në rinisjen e nismës së grurit të Detit të Zi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se vendi i tij synon të "zbatojë" marrëveshjet e shpallura nga Shtëpia e Bardhë, kryesisht në lidhje me armëpushimin në Detin e Zi midis Kievit dhe Moskës, duke i përshkruar ato si "masa të mira".

“Ne do të punojmë për zbatimin e marrëveshjeve të takimit Ukrainë-SHBA”, tha Zelensky gjatë një konference për shtyp. “Ne do të jemi konstruktivë”, shtoi ai.

Zelensky kundërshtoi çdo "dobësim" të sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, me Uashingtonin që deklaroi gatishmërinë e tij për të ndihmuar Moskën të lehtësojë aksesin e produkteve bujqësore dhe plehrave ruse në tregjet botërore.

“Ne e konsiderojmë këtë si një dobësim të pozicionit dhe një dobësim të sanksioneve”, tha Zelensky, duke komentuar këtë propozim amerikan. Kjo mundësi “nuk ishte në axhendën tonë, pala amerikane e ngriti atë” gjatë negociatave në Riad, shtoi ai.

Zelensky tha gjithashtu se deklaratat e fundit të të dërguarit amerikan Steve Witkoff në lidhje me territoret e pretenduara nga Rusia ndjekin linjën e Kremlinit.

Deklaratat e Steve Witkoff "kryesisht përkojnë me mesazhet e Kremlinit", tha Zelensky gjatë konferencës për shtyp.

Duke iu referuar samitit për Ukrainën që do të mbahet të enjten në Paris, Presidenti Zelensky tha se ai do të synojë të përcaktojë se cilat vende do të jenë të gatshme të dërgojnë forcë ushtarake në territorin ukrainas në rast të një armëpushimi me Rusinë.

"Detyra jonë është të kuptojmë se kush është i gatshëm të zbatojë garancitë e sigurisë" në lidhje me vendosjen e forcës ushtarake, theksoi ai.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes bëri thirrje gjithashtu që të organizohen "konsultime të mëtejshme teknike" për të zgjidhur "detajet" e marrëveshjeve të shpallura nga Shtëpia e Bardhë, sipas të cilave Kievi dhe Moska pranuan parimin e një armëpushimi në Detin e Zi.

Më herët, Rusia kërkoi garanci nga SHBA për të nënshkruar një marrëveshje për sigurinë e lundrimit në Detin e Zi.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Moska ishte e gatshme të nënshkruante nëse Shtetet e Bashkuara i jepnin presidentit Volodymyr Zelensky një urdhër për ta respektuar atë, duke thënë se vetëm një urdhër i tillë do të siguronte garancitë e nevojshme për Rusinë.

Lavrov tha gjithashtu se vendi i tij kërkoi gjithashtu heqjen e kufizimeve për eksportet ruse gjatë negociatave, që zgjatën rreth 12 orë, dje në Arabinë Saudite mes rusëve dhe amerikanëve.

“Tani duhet të krijojmë garanci dhe mekanizma sa më të qarta, të prekshme, të besueshme dhe reale”, theksoi ai.

“Ne duam që tregu i drithërave, ne duam që tregu i plehrave të jetë i parashikueshëm, ne duam që askush të mos përpiqet të na përjashtojë nga ky treg.

Ne do të kemi nevojë për garanci të qarta. Dhe duke pasur parasysh përvojën e trishtuar të marrëveshjeve të lidhura vetëm me Kievin, garancitë mund të jenë vetëm rezultat i një urdhri nga Uashingtoni për Zelensky dhe ekipin e tij për të bërë një gjë dhe jo tjetrën", vuri në dukje Lavrov. 

Lini një Përgjigje