Skenat zhvillohen në një zonë që ka pësuar dëme të shumta nga bombardimet e muajve të fundit, teksa rruga është e gjatë dhe e vështirë dhe nuk ka ushqim apo ujë.
Mijëra palestinezë kanë filluar të ecin drejt Gazës veriore, disa orë pasi ushtria izraelite njoftoi se një marrëveshje armëpushimi kishte hyrë në fuqi . Skenat zhvillohen në një zonë që ka pësuar dëme të mëdha nga bombardimet e muajve të fundit.
Përgjatë rrugëve të ngushta bregdetare të dëmtuara, disa valëvitnin flamuj palestinezë dhe bënin shenjën e fitores, sipas BBC-së. "Rruga është e gjatë dhe e vështirë, nuk ka ushqim apo ujë ", tha Alaa Saleh, një mësues që iku nga qyteti i Gazës me gruan dhe gjashtë fëmijët e tij për t'u strehuar në Khan Younis.
"E lashë familjen time pas dhe fillova të ecja drejt veriut. Mijëra njerëz përreth meje po luftojnë.
"Marrja me qira e një makine kushton rreth 4,000 shekel 1,227 dollarë, një shumë e paarritshme për shumicën", theksoi ai.
Fillimi i ofensivës izraelite në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor kishte bërë që rreth një milion palestinezë të largoheshin nga pjesa veriore e rajonit.
Videot që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë zona të gjera shkatërrimi në lagjet Sheikh Radwan, Sabra dhe Zeitoun, ku ndërtesa të tëra apartamentesh janë rrafshuar me tokë. Punonjësit e shpëtimit në Gaza vazhdojnë të nxjerrin trupa nga rrënojat, ndërsa agjencitë e ndihmës paralajmërojnë se mungesa e ushqimit, karburantit dhe ujit të pastër mbetet e tmerrshme.
Me armëpushimin që do të hyjë në fuqi në mesditë, një zëdhënës i IDF postoi në platformën X se "lëvizja nga pjesa jugore në atë veriore të Rripit të Gazës lejohet nëpërmjet rrugëve Al-Rashid dhe Salah al-Din ". Në të njëjtën kohë, SHBA-të konfirmuan se ushtria izraelite ka përfunduar tërheqjen e saj në linjat e reja të vendosjes së dakorduara në Gaza, sipas një deklarate të të dërguarit special të SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, për X.
"Periudha 72-orëshe për lirimin e pengjeve ka filluar", shtoi ai.
Ushtria është tërhequr deri në vijat e përcaktuara në bazë të planit të Donald Trump, por do të vazhdojnë “të neutralizojnë çdo kërcënim të menjëhershëm”.
Hamas ka tani 72 orë kohë për të liruar të gjithë pengjet izraelitë, ndërsa Izraeli do të lirojë qindra të burgosur palestinezë. Ky është hapi i parë në zbatimin e marrëveshjes për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve, të miratuar së fundmi nga qeveria izraelite.
Në kuadër të marrëveshjes, qindra kamionë ndihmash pritet të hyjnë në territorin e Gazës për të dërguar ushqime, ilaçe dhe karburant për rreth dy milionë banorët palestinezë, shumica e të cilëve janë zhvendosur nga luftimet.
Kanë kaluar më pak se 12 orë që kur Izraeli konfirmoi se ka pranuar një plan për armëpushim dhe lirimin e pengjeve, që mund të shënojë fundin e luftës në Rripin e Gazës.
Në ditët në vijim, sfidat më të mëdha mbeten arritja e një marrëveshjeje afatgjatë mes Izraelit dhe Hamasit, përfshirë negociatat për një shtet palestinez dhe rolin e Autoritetit Palestinez në administrimin e Gazë.
Lini një Përgjigje