Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka përshëndetur arritjen e armëpushimit dyjavor mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e cilësuar si një zhvillim pozitiv për stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë zyrtare, Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt që të respektojnë detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar dhe të zbatojnë kushtet e armëpushimit. Ai theksoi se vetëm përmes zbatimit të plotë të marrëveshjes mund të krijohen kushtet për një paqe të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Kreu i OKB-së shprehu gjithashtu vlerësim për përpjekjet diplomatike që çuan në këtë marrëveshje, duke veçuar rolin e Pakistanit dhe vendeve të tjera që kontribuuan në lehtësimin e negociatave.
“Ai u bën thirrje të gjitha palëve në konfliktin aktual në Lindjen e Mesme që të përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe t’u përmbahen kushteve të armëpushimit në mënyrë që të hapet rruga drejt një paqeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në rajon”, thuhet në deklaratë.
Mbeten të paqarta detajet konkrete të zbatimit të armëpushimit dhe nëse kjo marrëveshje do të shërbejë si bazë për negociata më të gjera mes palëve.
Lini një Përgjigje