
Situata në Lindjen e Mesme vijon të jetë e tensionuar, ndërsa Libani pret ende një reagim nga Hezbollahu lidhur me marrëveshjen e armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Zyrtarët izraelitë kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se nuk e konsiderojnë të lidhur drejtpërdrejt frontin libanez me atë iranian, duke bërë të ditur se pas përfundimit të përballjes me Iranin, vëmendja e tyre do të përqendrohet në Liban.
Nga ana tjetër, në Liban mbizotëron një nivel i lartë mosbesimi ndaj qëllimeve të Izraelit. Deri tani, Hezbollahu nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar, ndërsa pritet edhe një reagim nga Irani, i cili që në nisje të konfliktit ka këmbëngulur që çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë të gjithë rajonin.
Më herët, reagimi ndaj planit të paqes të propozuar nga Donald Trump ka përfshirë kërkesën për ndalimin e sulmeve ndaj Libanit, duke shtuar pasigurinë mbi të ardhmen e përplasjes mes Izraelit dhe Hezbollahut. Një nga çështjet kryesore që mbetet ende e paqartë është nëse ky front do të bëhet pjesë e negociatave gjatë periudhës dyjavore të armëpushimit.
Analistët politikë e konsiderojnë situatën komplekse, duke theksuar se përfshirja e Hezbollahut në konflikt i ka mundësuar Iranit të zgjerojë ndikimin e tij, ndërsa njëkohësisht ka vendosur Izraelin përballë disa fronteve paralelisht. Nga ana tjetër, vetë Hezbollahu e sheh pjesëmarrjen në konflikt si një mënyrë për të rritur peshën e tij politike në negociata.
Ndërkohë, grupi i armatosur Hezbollah ka kritikuar autoritetet libaneze për dështimin në arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm me Izraelin, duke thelluar ndasitë politike të brendshme në vend.
Në ditët në vijim pritet të qartësohet nëse marrëveshja SHBA–Iran do të ndikojë në uljen e tensioneve në Liban, apo nëse rajoni do të vijojë të mbetet në prag të një përshkallëzimi të ri.
Lini një Përgjigje