
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka cilësuar marrëveshjen për armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit si një zhvillim të rëndësishëm për paqen globale, duke e përshkruar atë si një “ditë të madhe për paqen botërore”.
Në një reagim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se marrëveshja mund të shënojë fillimin e një periudhe të re stabiliteti në Lindjen e Mesme.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara do të kontribuojnë në rritjen e trafikut në Ngushticën e Hormuzit, një nyje kyçe për tregtinë ndërkombëtare të energjisë, duke e konsideruar këtë si një hap me ndikim në ekonominë dhe sigurinë globale.
“Një ditë e madhe për paqen botërore! Irani dëshiron që kjo të ndodhë… Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në rritjen e trafikut në Ngushticën e Hormuzit. Do të ketë shumë veprime pozitive dhe shumë para”, shkroi Trump, duke shtuar se Irani mund të nisë një proces rindërtimi.
Presidenti amerikan u shpreh optimist për funksionimin e marrëveshjes, duke theksuar se SHBA do të monitorojë nga afër zhvillimet për të garantuar zbatimin e saj. Trump cilësoi këtë moment si fillimin e një “Epoke të Artë të Lindjes së Mesme”.
Ndërkohë, në një deklaratë për agjencinë AFP, Trump u shpreh se Kina mund të ketë luajtur një rol në nxitjen e Iranit për të hyrë në negociata. Sipas tij, ndikimi i Pekinit mund të ketë qenë faktor në vendimin e Teheranit për të pranuar marrëveshjen e armëpushimit.
“Kjo është ajo që dua të them”, deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se ndikimi i Kinës ka qenë i rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Lini një Përgjigje