TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Shkurt 2026, 12:20

“Aristo-populistët” mund të jenë shkaku i shkatërrimit të MAGA-s

Shkruar nga Adrian Wooldridge
“Aristo-populistët” mund të jenë shkaku i
JD Vance

Lëvizja MAGA po pëson një transformim të thellë, duke u udhëhequr nga një elitë e re intelektuale që synon përmbysjen e rendit liberal. Ky gërshetim i elitizmit akademik me zemërimin popullor, mund të jetë paradoksi që do të çojë në shpërbërjen e saj…

Diçka e çuditshme po ndodh në Botën Populiste, ndërsa po rritet nga dita në ditë: lëvizja po tërheq dhe po gjeneron elita. Pra njerëz që kanë kredenciale akademike të klasit të parë nga universitete elitare, që preferojnë librat ndaj mundjes dhe sushin ndaj McDonald’s, dhe që duan të përdorin zemërimin popullor për të arritur qëllime shpesh ezoterike: kthimin e sundimit të virtytit ose rrëzimin e shtetit laik.

Mirë se vini në epokën e aristo-populizmit! Fraza “aristo-populizëm” u shpik nga Patrick Deneen, një profesor i teorisë politike në Universitetin e Notre Dame, në librin e tij të vitit 2023 “Ndryshimi i regjimit: Drejt një të ardhmeje postliberale”.

Deneen beson se elitat liberale po e shkatërrojnë shoqërinë nga brenda, dhe se e vetmja mënyrë për të kundërshtuar ndikimin e tyre dhe për të shpëtuar Republikën, është të prodhohen elita konservatore, të trajnuara në kulturë të lartë dhe të përkushtuara për të rivendosur vlerat tradicionale.

Christopher Buskirk, gjeniu prapa Rrjetit Rockbridge, ndoshta grupi më me ndikim i financuesve dhe ndikuesve të MAGA-s, është më tepër një biznesmen sesa një filozof. Por ai është po aq i dhënë pas idesë së aristokracisë.

Në librin e tij të vitit 2023, “Amerika dhe Arti i të Mundshmes”, ai argumenton se progresi drejtohet nga një elitë krijuese biznesmenësh dhe shkencëtarësh. Ajo që përcakton shëndetin e shoqërisë, është nëse elita është shfrytëzuese apo krijuese: një oligarki apo një aristokraci.

Detyra e Trumpizmit është të zëvendësojë oligarkinë liberale shfrytëzuese me një aristokraci krijuese të MAGA-s. Ai e sheh rolin e tij si koordinues, duke bashkuar elementët e formulës fituese, “tru + para + baza e mbështetësve”.

Kumbari i “aristo-populizmit” është Leo Strauss, një intelektual gjerman që iku nga Gjermania naziste dhe dha mësim teorinë politike në Universitetin e Çikagos nga viti 1949 deri në vitin 1968. Strauss shqetësohej se demokracia mund të shndërrohej lehtësisht në tirani, falë varësisë së saj nga sensacionalizmi dhe fama.

Ai mendonte se mënyra më e mirë për ta parandaluar këtë ishte të prodhohej një aristokraci intelektuale e trajnuar në veprat e mëdha të traditës perëndimore, veçanërisht në veprat e grekëve të lashtë.

Strauss ushtroi një ndikim përcaktues mbi neokonservatorët si Paul Wolfowitz dhe Bill Kristol. Tani ai po ushtron një ndikim po aq vendimtar mbi intelektualët e MAGA-s që mbështesin politikën e jashtme jashtë kursit tradicional.

Selia e “MAGA Straussians” ndodhet në Institutin Claremont në Kaliforninë Jugore. Claremont u ofron akademikëve konservatorë jo vetëm një strehë nga akademia liberale, por edhe bursa për konservatorët e rinj që kalojnë muaj duke lexuar tekste të lashta si përgatitje për të punuar në Uashington. Ka pasur kaq shumë ish-studentë të Claremont në administratë, nga figura të larta si Michael Anton deri te mbi 70 përfitues të bursave të Claremont, saqë ata kanë nofkën e tyre, Claremonsters. Charlie Kirk ishte gjithashtu një bursist i Claremont.

Laura Field, autorja e librit “Mendje të tërbuara: Shndërrimi i MAGA-s në të djathtën e re”, identifikon tre grupe intelektualësh të MAGA-s, përveç Claremonsters, të cilët ndajnë të njëjtin pasion me Strauss-in për një aristokraci intelektuale, por që i çojnë bindjet e tyre konservatore edhe më tej.

Post-liberalët besojnë se themeluesit e Amerikës u ndikuan shumë nga idetë e Iluminizmit në lidhje me të drejtat individuale. Ata duan ta rindërtojnë vendin bazuar në bindje më tradicionale. Deneen, udhëheqësi i këtij grupi, argumenton se kjo do të kërkojë përdorimin e “mjeteve makiaveliane për të arritur qëllimet aristoteliane”.

Integralistët duan të dobësojnë vijën ndarëse midis Kishës dhe shtetit. Adrian Vermeule, një studiues kushtetues në Shkollën e Drejtësisë të Harvardit dhe mbështetës kryesor i “qeverisë unitare”, argumenton se “qëllimi qendror i rendit kushtetues është të promovojë sundimin e mirë, jo të mbrojë lirinë si qëllim në vete”.

Titanët e teknologjisë së Amerikës, të cilët i kanë dhënë mbështetjen e tyre Trump-it, ndajnë shumë nga këto paragjykime aristokratike. Kjo pjesërisht sepse industria e tyre i predispozon ata ndaj elitizmit intelektual: nuk mund të prodhosh “alfa” pa punësuar njerëzit më të mirë.

Por kjo ndodh edhe sepse një numër i habitshëm i tyre ndajnë bindjen e Strauss se demokracia degjeneron nëse nuk udhëhiqet nga një elitë vizionare.

Curtis Yarvin, një nga mendimtarët e preferuar të së djathtës teknologjike, thotë se ka ardhur koha që oligarkia liberale t’i lërë vendin një hibridi monark-drejtor ekzekutiv, i cili mund ta drejtojë SHBA-në si një startup dhe të fillojë punën për të “ç’virusuar” sistemin nga oligarkia liberale, veçanërisht gjatë valës së fundit të lëvizjes Woke.

E njëjta aleancë elitë-populiste mund të shihet jashtë SHBA-së. Në pjesën më të madhe të Evropës, filozofi Roger Scruton luan një rol të ngjashëm me Leo Strauss. James Orr, një filozof fetar nga Kembrixhi, i afërt me J.D. Vance dhe i sapoemëruar këshilltar i lartë i Nigel Farage, është një dishepull i Scruton.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili studioi me Scruton në Oksford, ka shpenzuar 1.7 miliardë dollarë për krijimin e një universiteti konservator, Mathias Corvinus Collegium, me qëllim krijimin e një elite konservatore.

Madje Budapesti krenohet me një kafene me emrin “Scruton”. Giorgia Meloni, kryeministrja italiane, i referohet atij në fjalimet e saj, dhe Mattias Karlsson, intelektuali kryesor i Demokratëve të Suedisë, e nderon atë.

Vendet evropiane që janë më pak respektuese ndaj intelektualëve britanikë klasikë kanë shumë aristo-populistë vendas. Benedikt Kaiser, një teoricien politik i lidhur me partinë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), argumenton se rendi liberal i pasluftës po hyn në grahmat e vdekjes.

Në Francë, Ivan Rioufol, një ish-redaktor i Le Figaro, sapo ka botuar një libër, La Revolution des oubliés, duke bërë thirrje që masat të ngrihen kundër elitave. Ndërkohë Nicolas Conquer, një franko-amerikan dhe zëdhënës i Republikanëve Jashtë Shtetit, ëndërron një “Projekt Francez 2027”, bazuar në “Projektin 2025” të Fondacionit Heritage, i cili përcakton axhendën.

Është e vështirë të mos shohësh një element marksist në të gjithë këtë lëvizje. Aristo-populistët tanë po marrin rolin e partisë avangardë të Leninit në ngritjen e vetëdijes së proletariatit dhe në dhënien e një shtytjeje historike në drejtimin e duhur.

Po shihet e njëjta pikëpamje katastrofike e së tashmes, dhe e njëjta gatishmëri për t'u përfshirë në revolucion për të lëvizur gjërat përpara. Disa intelektualë të Claremont iu referuan zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 si një “grusht shteti i Biden” që duhej përmbysur.

Christopher Rufo, një nga intelektualët më të suksesshëm aktivistë të MAGA-s, e pranon borxhin e tij ndaj Leninit dhe Antonio Gramsci-t. Por Lenini i vërtetë i të gjithë kësaj, njeriu që bashkon aftësinë organizative dhe zellin ideologjik me pakënaqësinë e zjarrtë, është J.D. Vance.

Vance kombinon kualifikimet e elitës, si produkt i Shkollës së Drejtësisë Yale, me rrënjët proletare, siç theksohet në librin e tij autobiografik “Hillbilly Elegy”. Po ashtu, ai e pranon se është “i lidhur me shumë nënkultura të çuditshme të krahut të djathtë”, nga Instituti Claremont në Silicon Valley deri te kompleksi i James Orr në Kembrixh, Angli.

Nëse marrja e Partisë Republikane nga Trump ishte nga poshtë-lart, ajo e Vance është nga lart-poshtë. Megjithatë, problemi me marksizmin është se njerëzit e zakonshëm nuk e pëlqejnë shumë.

Ata nuk kanë qejf të dehumanizohen si agjentë të një procesi historik të paracaktuar. Dhe as nuk u pëlqen të trajtohen si kundërsulmues në një luftë midis elitave intelektuale. Virtyti i madh i Trump, nga pikëpamja populiste, është se ai interesohet më shumë për luftën sesa për idetë. Në fakt, ai nuk interesohet fare për idetë.

Kritikët kanë supozuar shpesh se rënia e MAGA-s do të vijë nga vjedhja e saj vulgare e parave. Do të jetë një shembull i jashtëzakonshëm i dinakërisë së arsyes së Hegelit nëse MAGA përfundimisht bie sepse interesohet shumë për idetë që përmbajnë gabime të mëdha./ Përshtati "Pamfleti" nga “Bloomberg”

1 Komente

  1. G
    Gjithmonë me SHBA

    Detyra e Trumpizmit është të zëvendësojë oligarkinë liberale shfrytëzuese me një aristokraci krijuese të MAGA-s. Ai e sheh rolin e tij si koordinues, duke bashkuar elementët e formulës fituese, “tru para baza e mbështetësve”. Njeriu që bashkon aftësinë organizative dhe zellin ideologjik me pakënaqësinë e zjarrtë, është J.D. Vance.

    Lini një Përgjigje