Një cisternë e ngarkuar me gaz të lëngshëm nafte (LPG), e sanksionuar nga SHBA-ja, duket se ka kaluar vijën e bllokadës së Marinës Amerikane dhe ka vijuar lundrimin drejt lindjes, në Detin Arabik. Zbulimi është bërë nga BBC Verify, e cila ka analizuar të dhënat e gjurmimit detar.
Sipas të dhënave nga platforma MarineTraffic, nuk është përcaktuar saktësisht se ku e ka marrë ngarkesën anija “G Summer”, ndërsa ndodhej në Gjirin Persik, pranë ujërave të Iranit, Irakut dhe Kuvajtit. Megjithatë, të dhënat tregojnë se ajo ka kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit dhe ka hyrë në Gjirin e Omanit më 19 prill.
"Nuk mund të themi saktësisht se ku e mori ngarkesën G Summer, duke ngritur pikëpyetje mbi itinerarin e saj", thekson "BBC Verify".
Analiza nënvizon gjithashtu kufizimet e sistemeve të gjurmimit detar, pasi “anijet mund t’i çaktivizojnë gjurmuesit e tyre, ose të përpiqen të fshehin vendndodhjen duke transmetuar një pozicion të rremë, i njohur si ‘mashtrim’”.
Njëkohësisht, imazhet satelitore kanë identifikuar një tjetër cisternë që përputhet me karakteristikat e anijes “Felicity”, gjithashtu e sanksionuar nga SHBA-ja, rreth 150 km në perëndim të vijës së bllokadës në Gjirin e Omanit.
Megjithatë, BBC Verify pranon se “nuk është në gjendje të përputhë vendndodhjen e imazhit satelitor me të dhënat e gjurmimit të anijes”, duke sugjeruar një lëvizje të ashtuquajtur “transit i errët”.
Ekspertët e sigurisë detare paralajmërojnë se raste të tilla mund të tregojnë përpjekje për të shmangur sanksionet ndërkombëtare dhe për të fshehur origjinën apo destinacionin e ngarkesave. Zona e Ngushticës së Hormuzit mbetet një nga pikat më të ndjeshme për transportin global të energjisë, ku çdo lëvizje e pazakontë monitorohet nga afër.
Lerini keto lojra se nuk i hane njerezit keto.