Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të zgjasin armëpushimin 14-ditor përtej afatit të së mërkurës, duke theksuar rëndësinë e diplomacisë në zgjidhjen e krizës.
Gjatë një takimi me të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Islamabad, Natalie Baker, Dar deklaroi se palët duhet “t’i japin një mundësi dialogut dhe diplomacisë”.
Sipas Ministrisë së Jashtme pakistaneze, Pakistani ka bërë thirrje të vazhdueshme për dialogun si “rruga e vetme e zbatueshme” për arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Kryediplomati pakistanez theksoi gjithashtu nevojën për angazhim të drejtpërdrejtë mes Washingtonit dhe Teheranit, duke kërkuar zgjatjen e armëpushimit aktual.
"I kërkoj Uashingtonit dhe Teheranit të zgjasin armëpushimin dhe të ndjekin rrugën diplomatike si mjeti i vetëm i qëndrueshëm për të adresuar sfidat dhe për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm rajonal", u shpreh Ishaq Dar.
Nga ana tjetër, diplomatja amerikane Natalie Baker përcolli “vlerësimin e Washingtonit për rolin konstruktiv dhe pozitiv të Pakistanit në promovimin e paqes rajonale dhe lehtësimin e dialogut”.
Tensionet në rajon u rritën ndjeshëm pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, të cilave Teherani iu përgjigj me sulme hakmarrëse ndaj objektivave në rajon.
Pakistani ka ndërmjetësuar një armëpushim 14-ditor më 8 prill dhe ka pritur bisedime mes palëve më 11-12 prill. Megjithatë, ndërsa afati i marrëveshjes po afron, pasiguria mbetet për vijimin e saj.
Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur skeptik për një zgjatje të mundshme, duke deklaruar se është “shumë e pamundur” dhe duke paralajmëruar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e bllokuar deri në arritjen e një marrëveshjeje.
Përpjekjet diplomatike për një raund të ri negociatash janë në zhvillim, ndërsa presioni ndërkombëtar për të shmangur përshkallëzimin vijon të rritet. Roli i Pakistanit si ndërmjetës mbetet kyç, por qëndrimet e forta të palëve e bëjnë të pasigurt zgjatjen e armëpushimit.
Lini një Përgjigje