TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Prill 2025, 11:02

Amerika po harron dy leksionet kryesore nga Lufta e Dytë Botërore

Shkruar nga Tim Bouverie
Amerika po harron dy leksionet kryesore nga Lufta e Dytë Botërore
Donald Trump

Në raport me Rusinë, Perëndimi është shumë më i fortë në vitin 2025 se sa në vitin 1945. E megjithatë është Perëndimi ai që po tërhiqet dhe Putini që po fiton nga përmbysja e politikës së jashtme të SHBA nga Donald Trump.

Gjatë luftës, Winston Churchill-it i pëlqente të thoshte: “Vetëm një gjë është më e keqe se të luftosh me aleatët, dhe ajo është të luftosh pa ta!”. Sado e jashtëzakonshme që mund të duket, ky është skenari që shtetet evropiane po detyrohen të mendojnë tani: të rezistojnë ndaj një Rusie revanshiste pa ndihmën e aleatit të tyre kryesor dhe mburojës tradicionale, SHBA-së.

Dhe ç’është më shqetësuese, demokracitë perëndimore janë të detyruara - ndonëse me të drejtë - të marrin përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen e tyre, në një kohë që sulmohen, verbalisht dhe ekonomikisht nga Shtëpia e Bardhë.

Nëse dikush dyshon për këtë, duhet të kujtojë ngjarjet e 24 shkurtit, kur Shtetet e Bashkuara morën anën e Rusisë, Bjellorusisë dhe Koresë së Veriut për të kundërshtuar një projekt-rezolutë evropiane në Kombet e Bashkuara që dënonte pushtimin rus të Ukrainës.

Unë i kam kaluar 5 vitet e fundit duke hulumtuar dhe shkruar mbi aleancat që përmes gjakut, mundit, lotëve dhe djersës - por edhe mosmarrëveshjeve të panumërta - arritën ta çlironin botën nga nazizmi. Kur e nisa këtë projekt, ishte thjesht për shkak të profesionit si historian.

Por muajt e fundit jam alarmuar nga disa paralele por edhe kontrastet midis viteve 1940 dhe sot. Ndërsa i afrohemi 80-vjetorit të Ditës së Fitores, është më e rëndësishme se kurrë të mësojmë leksionet e viteve 1939-1945 dhe koalicionin që triumfoi mbi fashizmin. Siç e kuptoi edhe Churchill, Britania nuk mund ta kishte fituar Luftën e Dytë Botërore pa aleatët.

Edhe pse të mbështetur nga perandoria e tyre, britanikët ishin në gjendje të rezistonin gjatë muajve kritikë të viteve 1940-1941, duke ia mohuar fitoren Hitlerit, atyre u mungonte fuqia njerëzore dhe burimet për të triumfuar. “Anglezët”, komentoi atasheu ushtarak amerikan në Londër, “mund të jenë në gjendje t’i frenojnë gjermanët, por nuk mund t’i mposhtin ata pa një aleat. Dhe ai duhet të jetë ose Zoti i Plotfuqishëm ... ose Shtetet e Bashkuara”.

Sado e çuditshme që mund të duket tani në retrospektivë, britanikët nuk kërkuan ndihmë nga SHBA-së që nga fillimi i luftës. E sigurt në aftësinë e saj për ta asfiksuar ekonominë gjermane me anë të bllokadës detare dhe e mbrojtur nga ushtria franceze, qeveria Chamberlain mendoi se përfshirja e SHBA-së nuk kishte gjasa të vinte pa një çmim shumë të lartë.

“Unë nuk dua që amerikanët të luftojnë për ne. Sepse pastaj do të na duhet të paguajmë shumë shtrenjtë për këtë, nëse ata do kenë të drejtë të diktojnë kushtet e paqes”- shkroi Chamberlain në janar 1940. Por kapitullimi i Francës ndryshoi gjithçka. Siç e vuri në dukje Ministri i Jashtëm, Lord Halifax, ishte zhdukur “guri i fortë” mbi të cilin ishte bazuar strategjia britanike.

Aftësia e Britanisë për ta vazhduar luftën, shkruanin shefat e shtabit në një memorandum në maj 1940, varej nga “mbështetja e plotë ekonomike dhe financiare e Shteteve të Bashkuara...”. Por kjo ishte më e lehtë për t’u pranuar sesa për t’u arritur. Fushata për ta futur Amerikën në luftë ishte e gjatë, e mundimshme.

Gradualisht, ndërsa administrata Roosevelt u bind për vendosmërinë dhe aftësinë e Britanisë për të mbijetuar, u rrit edhe sasia e ndihmës amerikane përmes Atlantikut. Por ndihma erdhi me një çmim të lartë. Kështu, për të marrë 50 luftanije të vjetra, britanikët duhej t’u jepnin amerikanëve për një periudhë 99-vjeçare bazat ajrore dhe detare në kolonitë e tyre në Karaibe dhe Atlantikun e Veriut.

Dhe deri në marsin e vitit 1941, kur Kongresi ra dakord t’i “huazonte” perandorisë së rrethuar mjetet në mos “për të mbaruar punën”, së paku për të mbetur në luftë, britanikët u detyruan të paguanin në dollarë ose ar për të gjitha blerjet.

Më 10 janar 1941, një kryqëzor amerikan shkoi në Afrikën e Jugut për të marrë rezervat e fundit të arit të Britanisë së Madhe me vlerë 42 milionë paund. “Kam frikë se ata mund ta keqpërdorin forcën e tyre”- shkroi diplomati britanik Roger Makins, duke u ankuar për tendencën “e rrezikshme të SHBA-së për të “na zhveshur deri në kockë”.

Kur u shfaq më në fund, pas sulmit japonez mbi flotën amerikane në Pearl Harbor, aleanca anglo-amerikane ishte më e sofistikuara, më e integruara dhe më e suksesshmja në histori. Midis nëntorit 1942 dhe majit 1945, ajo u përball me fuqitë e Boshtit nga ujërat e Atlantikut, rërat e Afrikës së Veriut dhe qytetet e Evropës Perëndimore.

Natyrisht, midis britanikëve dhe amerikanëve kishte edhe dallime serioze për një sërë çështjesh, përfshirë strategjinë e madhe (kryesisht mbi kohën e zbarkimit në Francë); imperializmin (dëshirën e amerikanëve për të shpërbërë Perandorinë Britanike); dhe gjithnjë e më shumë mbi qasjen ndaj Stalinit dhe Bashkimit Sovjetik.

Me gjithë paktin e Stalinit me Hitlerin e vitit 1939, Churchill e mirëpriti me entuziazëm BRSS si një aleate në luftën kundër nazizmit. Dhe ndonëse disa shpresonin se demokracitë do ta trajtonin aleancën perëndimore-sovjetike si një “bashkim të përkohshëm interesash”, realitetet e luftës globale u dhanë aleatëve pak alternativa.

Siç vuri në dukje një diplomat britanik në nëntor 1942, vetëm pasi rusët të përmbushnin “rolin e tyre të caktuar për të vrarë gjermanët”, shefat e shtabit të aleatëve besuan se mund të ”inskenonin një sulm të përgjithshëm mbi bishën e rraskapitur”. 75 për qind e të vrarëve dhe të plagosurve nga radhët e ushtrisë gjermane ndodhën në Frontin Lindor.

Por që nga fillimi i aleancës perëndimoro-sovjetike, kishte shenja të mosmarrëveshjeve që do të ndodhnin në të ardhmen. Kështu në dhjetor 1941, edhe pse kishte Wehrmacht-in gjerman vetëm disa kilometra larg Moskës, Stalini kërkoi që britanikët të njihnin aneksimin sovjetik të shteteve baltike dhe me kalimin e kohës edhe të Polonisë Lindore.

Megjithatë, ndërsa Churchill luhatej mes pesimizmit ekstrem dhe optimizmit të rrallë, Roosevelt kishte shumë besim. I bindur se mund ta “përballonte” despotin sovjetik, ai kishte “vetëm një parandjenjë”, siç iu shpreh ish-ambasadorit amerikan në Moskë, William C.Bullitt, se “Stalini … nuk dëshiron asgjë përveç sigurisë për vendin e tij”.

Por pak më vonë Bullitt i dërgoi presidentit një memorandum, duke hedhur poshtë konceptin se Stalini ishte thjesht një nacionalist rus, dhe nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. “Mendimtarët e harrojnë me lehtësi, se shteti nacionalist rus nuk ishte kurrë paqësor. Rusia cariste ishte ashtu siç është sot dhe Bashkimi Sovjetik një grumbull popujsh të pushtuar. Që nga koha e Pjetrit të Madh, rusët e kanë shtrirë sundimin e tyre në mënyrë të pamëshirshme mbi popujt njëri pas tjetrit... Edhe nëse Stalini do të jetë thjesht një nacionalist rus, kjo nuk është garanci për paqen”.

Roosevelt e lexoi tezën e Bullitt, por e hodhi poshtë atë. Në takimin e parë të “treshes së madhe” në Teheran në nëntor 1943, ai shmangu përpjekjet e Churchillit për të harmonizuar strategjinë dhe u rreshtua në anën e Stalinit, duke e detyruar kryeministrin britanik të binte dakord për një datë në pranverë për fillimin e zbarkimit në Francë.

I kënaqur nga përçarja në frontin anglo-amerikan, Stalini qeshi ndërsa Roosevelt e ngacmonte Churchillin për imperializmin e tij. Në Shtëpinë e Bardhë, Roosevelt e përshkroi Stalinin “njëlloj si unë … realist”, dhe shtoi se pas luftës SHBA-ja do të kishte “më shumë probleme me anglezët se sa me rusët”.

Edhe pse me luhatje, ajo qasje vazhdoi deri në fund të luftës. Ndonëse bashkëpunuan në një shkallë të paprecedentë në beteja, duke zbarkuar në plazhet e Normandisë në qershor 1944, aleatët perëndimorë ishin në mosmarrëveshje mbi huamarrjen dhe rendin ekonomik të pasluftës. Për pasojë në shkurtin e vitit 1945, kur tre të mëdhenjtë u mblodhën sërish në Jaltë të Krimesë, fuqitë perëndimore kishin shumë pak mundësi për ta penguar Stalinin të dominonte Evropën Lindore. Ushtria e Kuqe kontrollonte tashmë shtetet baltike, Poloninë, Rumaninë dhe Bullgarinë.

Sot, situata është krejt ndryshe. Ushtria e Putinit nuk po mposht dot një ish-shtet satelit sovjetik, edhe pse ky i fundit mbështetet nga fondet dhe armët perëndimore. Në raport me Rusinë, Perëndimi është shumë më i fortë në vitin 2025 se sa në vitin 1945. E megjithatë është Perëndimi ai që po tërhiqet dhe Putini që po fiton nga përmbysja e politikës së jashtme të SHBA nga Donald Trump.

“E vetmja gjë më e keqe se të luftosh me aleatët, është të luftosh pa ta”, është një e vërtetë që shpresojmë që një ditë ta vlerësojë edhe qeveria amerikane./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Sunday Times”

lufta e dyte boterore shba donald trump

Lini një Përgjigje