Papa Françesku do të mbahet mend si një lider shpirtëror që e drejtoi Kishën Katolike me një vizion të hapur, human dhe të angazhuar për të mirën e përbashkët.
Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires, ka ndërruar jetë ditën e sotme, në moshën 88-vjeçare. Vdekja e tij pasoi një periudhë të gjatë sëmundjeje, duke përfshirë një pneumoni bilaterale që e mbajti të shtruar në spital për disa javë.
Rinia dhe Arsimi
Papa Françesku u lind në një familje italiane imigrante dhe në moshë të re, iu nënshtrua një operacioni për heqjen e një pjese të mushkërive për shkak të një infeksioni të rëndë. Fillimisht, ai ndoqi shkollën teknike duke u diplomuar si teknik kimik. Në vitin 1958, vendosi të hyjë në noviciatin e Shoqërisë së Jezusit (jesuitët) në Villa Devoto të Buenos Airesit. Pas tre vitesh, ai studioi humanitetet në Santiago të Kilit dhe, më pas filozofi në Buenos Aires. Nga viti 1964 deri në 1966, ai dha mësim në lëndët letërsi dhe psikologji në kolegje të ndryshme.
Rruga drejt Shërbesës Kishërore
Në vitin 1969, Bergoglio u shugurua si prift katolik dhe më pas, u angazhua në mësimdhënie dhe formim shpirtëror. Në vitin 1973, ai u emërua Superior Provinciali i jezuitëve në Argjentinë. Më pas, ai shërbeu si rektor i Fakultetit të Filozofisë dhe Teologjisë të San Miguel deri në vitin 1986. Në vitin 1992, u shugurua si peshkop ndihmës i Buenos Airesit, duke u bërë më pas arkepeshkop i qytetit në vitin 1998. Në vitin 2001, Papa Gjon Pali II e emëroi kardinal.
Papa Françesku
Më 13 mars 2013, pas dorëheqjes së Papës Benedikti XVI, Bergoglio u zgjodh Papa, duke marrë emrin Françesku, në nder të Shën Françeskut të Asizit. Ai ishte Papa i parë i lindur jashtë Europës, si dhe i pari jezuit dhe i pari që mori emrin Françesku. Gjatë papatit të tij, ai u dallua për thjeshtësinë, përkushtimin ndaj të varfërve dhe angazhimin për drejtësi sociale. Ai promovoi reforma të brendshme në Vatikan, duke luftuar abuzimet seksuale dhe duke kërkuar më shumë transparencë.
Trashëgimia dhe Vepra
Përmes enciklikës "Laudato si'", Papa Françesku theksoi rëndësinë e kujdesit për mjedisin dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Ai gjithashtu mbështeti të drejtat e emigrantëve dhe të komunitetit LGBTIQ+, duke promovuar bashkëjetesën dhe respektin. Në vitin 2025, ai publikoi autobiografinë "Hope", ku ndau refleksione mbi jetën e tij, papatin dhe sfidat e kohës moderne.
Papa Françesku do të mbahet mend si një lider shpirtëror që e drejtoi Kishën Katolike me një vizion të hapur, human dhe të angazhuar për të mirën e përbashkët.
Lini një Përgjigje