Rasti Pretti zbulon çarjet brenda Partisë Republikane dhe kufijtë realë të pushtetit presidencial
Vdekja e Alex Prettit në Minneapolis ka hapur një plagë të re në politikën amerikane, por mbi të gjitha ka rikthyer një debat themelor që shpesh keqkuptohet nga jashtë: Amerika nuk është Donald Trump. Reagimi presidencial, i ashpër dhe polarizues, është vetëm një pjesë e mozaikut amerikan, jo vetë mozaiku. Dhe zhvillimet e ditëve të fundit e provojnë këtë më qartë se kurrë.
Ndërsa Donald Trump ka zgjedhur të mbrojë pa ekuivok operacionin federal dhe të sulmojë autoritetet lokale të Minneapolis-it, brenda vetë establishmentit politik amerikan po shfaqet një çarje domethënëse. Sipas raportimeve të CNN, një grup në rritje senatorësh republikanë, jo demokratë, por nga partia e vetë presidentit, kanë nisur të kërkojnë hetim të pavarur dhe transparent për rrethanat e vdekjes së Prettit. Ky fakt, në vetvete, rrëzon tezën se Amerika lëviz si një trup i vetëm nën urdhrat e Shtëpisë së Bardhë.
Këta senatorë republikanë nuk po e sfidojnë Trump-in nga pozita ideologjike liberale, por nga një shqetësim institucional: frika se përdorimi i pakontrolluar i forcës nga agjencitë federale dhe mungesa e transparencës mund të dëmtojnë vetë legjitimitetin e shtetit federal. Në gjuhën e Uashingtonit, kjo është një sinjal alarmi serioz. Kur senatorë të së njëjtës parti me presidentin kërkojnë hetim, nuk kemi më të bëjmë me opozitë politike, por me rezistencë institucionale.
Rasti Pretti, në këtë kuptim, ka kapërcyer dimensionin e një tragjedie individuale. Ai është kthyer në test për kufijtë e pushtetit presidencial dhe për funksionimin real të demokracisë amerikane. Ndryshe nga regjimet ku një lider përcakton gjithçka, në SHBA një president mund të flasë fort, por nuk mund të heshtë Senatin, gjykatat, mediat dhe as opinionin publik. Pikërisht këtu qëndron dallimi mes Trump-it si figurë politike dhe Amerikës si sistem.
Për publikun ndërkombëtar dhe veçanërisht për vende të vogla si Shqipëria që e shohin SHBA-në si aleat strategjik; ky dallim është thelbësor. Politikat e një administrate mund të jenë të ashpra, kontradiktore apo edhe destabilizuese, por amerika institucionale ka mekanizma vetërregullues që shpesh aktivizohen pikërisht në momente krize. Kërkesa e senatorëve republikanë për hetim në rastin Pretti është një nga këta mekanizma.
Në fund, ironia politike është kjo: ndërsa Trump përpiqet ta paraqesë Amerikën si një shtet të fortë që vepron pa hezitim, realiteti tregon një vend që debaton me veten, përplaset, kundërshton dhe kërkon llogari. Dhe pikërisht kjo e bën Amerikën atë që është, një demokraci të tensionuar, të papërsosur, por ende funksionale./Pamfleti
À ka, te pakten nje emer senatori qe te behet me i besueshem.