TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Dhjetor 2023, 22:26

Konfirmon King-Smith: Emigrantët e paligjshëm shqiptarë do të dërgohen në Ruanda

Shkruar nga Pamfleti

Konfirmon King-Smith: Emigrantët e paligjshëm shqiptarë do

"Brenda një viti emigracioni i paligjshëm nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe është ulur ndjeshëm, me rreth 90%, por Londra nuk do të tërhiqet nga masat shtrënguese", tha ambasadori i Mbretërisë së bashkuar në Tiranë Alastair King-Smith.

Në një intervistë për RTSH, ambasadori vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë për zvogëlimin e numrit të emigrantëve të paligjshëm nga 12 mijë vitin e shkuar në më pak se 1 mijë këtë vit, por kohët e arta për shqiptarët me qëndrim të paligjshëm në ishull duket se kanë përfunduar me miratimin këtë javë të asaj që njihet si ligji Ruanda apo skema e Ruandës.

“Nuk do të ketë dallime nga kombësia. Çdo kombësi mund të përfundojë duke shkuar në Ruandë, nëse i plotëson kriteret për atë skemë, kështu që mund të përfshihen edhe shqiptarët në të", tha ambasadori.

Sipas ligjit që ka kaluar së fundmi vetëm Dhomën e Komuneve, emigrantët e paligjshëm që kërkojnë azil në Britani do të dërgohen në Ruanda, ku do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes.

Përpara se të hyjë në fuqi, ligji duhet të marrë miratimin edhe nga Dhoma e Lordëve, që konsiderohet një pengesë për kryeministrin Sunak në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi përpara zgjedhjeve.

Ambasadori foli edhe për çështjen e vizave. Ai nuk pohoi se ka një politikë për lehtësimin e vizave, por hodhi poshtë me shifra zyrtare pretendimet e refuzimit në masë të aplikimeve për viza të ndryshme nga Shqipëria.

INTERVISTA 

Elona Meço: Le ta nisim intervistën tonë me çështjen që ka shqetësuar më shumë Londrën gjatë 2-3 viteve të fundit, emigrimin e paligjshëm. Këtë javë u mbush një vit nga marrëveshja mes kryeministrave Rama dhe Sunak për ndalimin e këtij trafiku dhe rezultatet janë surprizë. Trafiku ka rënë me 90%. Në analizën tuaj, si u reduktua numri nga 10-12 mijë emigrantë gomonesh në më pak se 1 mijë në vit?

Ambasadori britanik King-Smith: Elona ke absolutisht të drejtë që kemi parë një kthesë vërtet të rëndësishme dhe mbresëlënëse për këtë çështje. Nëse shikoni verën e vitit të kaluar, ne përballeshim me numra vërtet të lartë të shqiptarëve që shkonin në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe, mbi 12.000. Këtë vit, siç sapo thatë, 90% rënie, nën 1000. Kjo është vërtet e rëndësishme sepse ne duam, nëse njerëzit shkojnë drejt MBs-ë, ta bëjnë këtë ligjërisht, jo duke u vendosur kundër ligjit, dhe në fakt ky është rezultat i një sërë gjërash. Së pari, njerëzit e kanë kuptuar se imazhet që kanë parë në Tik-Tok e kështu me radhë ishin false. Këto nuk janë situata të lehta dhe nëse arrin të shkosh, ngecesh, detyrohesh në punë të shfrytëzuar dhe, në fakt, jetët e njerëzve shkatërrohen. Pra, mesazhi im për të rinjtë dhe familjet është: Mos e bëni këtë! Por ne përmendëm edhe Komunikatën e Përbashkët që u nënshkrua, dhe në fakt ishte pikërisht këtë javë, një vit më parë që dy kryeministrat e nënshkruan atë, dhe në fakt në vetëm një vit ne kemi parë rezultate vërtet mbresëlënëse. Jo vetëm për migracionin e paligjshëm, ne vërtet po bëjmë përparim, shumë bashkëpunime pozitive, por edhe me shtrirje të gjerë në të gjitha fushat. Në arsim, kemi nisur partneritetet me universitetet; në mbrojtje, marrëdhënia jonë e mbrojtjes po rritet si në planin dypalësh ashtu edhe në NATO dhe gjithashtu në tregti, kulturë dhe fusha të tjera. Ndaj, jam i kënaqur që kemi parë arritje të jashtëzakonshme këtë vit në marrëdhëniet dypalëshe, të cilat realisht e kanë kthyer në drejtim tjetër atë situatë dhe tani Shqipëria është një nga partnerët tanë më të mirë, duke sjellë një ndryshim të vërtetë në botë.

Elona Meço: Do t’ju kërkoj pak më vonë detaje për këtë, por a mund të shpjegoni, çfarë arsyesh japin shqiptarët për të marrë azilin, pasiguri Politike, ekonomike, sociale? Shqipëria konsiderohet një vend i sigurtë, por më shumë se gjysmës së aplikantëve u pranohet kërkesa për azil.

Ambasadori britanik King-Smith: Pra, një nga arsyet e rënies së migracionit të paligjshëm është se të gjithë e dinë që ne kemi marrë masa të forta për ta goditur shfrytëzimin e sistemit të azilit. Njerëzit e dinë që nëse tani po përpiqen të gjejnë një punë duhet ta bëjnë ligjërisht, nuk mund të shkosh dhe të kërkosh azil vetëm për arsye ekonomike. Kjo është pjesë e fokusit të Aktit të Migracionit të Paligjshëm që ka miratuar Parlamenti. Por, sigurisht që ka ndoshta disa shqiptarë që kanë një frikë të vërtetë nga persekutimi dhe ata do të trajtohen si çdo kombësi tjetër dhe sigurisht nëse kanë një frikë të vërtetë nga persekutimi për çfarëdo arsye të jetë, do të trajtohen ashtu si të tjerët, në mënyrë të përshtatshme, sipas sistemit tonë normal ligjor.

Elona Meço: A mund të vështirësohet situata tani në Britaninë e Madhe tani që ka një ashpërsim të gjuhës politike mes partisë në pushtet dhe debateve që po ndodhin brenda Partisë Konservatore, për shkak të asaj që njihet si ligji i Ruandës?

Ambasadori britanik King-Smith: Ne po shikojmë mjetet që të mund të sigurohemi mirë që nëse njerëzit shkojnë drejt MB-së dhe aplikojnë për azil, rastet e tyre të mund të trajtohen në mënyrë efektive, por gjithashtu duhet të sinjalizojmë se nuk mund të vini nëse arsyeja juaj për të ardhur nuk është e vërtetë. Kjo është arsyeja pse skema e Ruandës është një pjesë e rëndësishme e parandalimit.

Elona Meço: I prek shqiptarët ligji i Ruandës?

Ambasadori britanik King-Smith: Kjo do të jetë sipas sistemit ligjor, pasi ajo skemë të jetë plotësisht funksionale. Ju dhe mund të keni parë që qeveria sapo nënshkroi një traktat me Ruandën për të siguruar bazën ligjore për funksionimin e asaj skeme. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që mundemi dhe mendojmë se nevojiten zgjidhje krijuese dhe inovative për këto çështje të migracionit që sfidojnë të gjitha vendet tona. Ne jemi të lumtur të punojmë në partneritet me Ruandën, Shqipërinë, Italinë dhe vende të tjera.

Elona Meço: E kuptoj, por dua të sigurohem, nëse ligji i Ruandës hyn në fuqi, shqiptarët që kapen në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe kërkojnë azil, do të dërgohen në Ruanda apo do të kthehen në Shqipëri?

Ambasadori britanik King-Smith: Nuk do të ketë dallime nga kombësia. Çdo kombësi mund të përfundojë duke shkuar në Ruandë nëse i plotëson kriteret për atë skemë, kështu që mund të përfshihen edhe shqiptarët në të.

Elona Meço: Ambasada britanike ka marrë një famë jo shumë të mirë përsa i përket politikës së vizave, për shkak të refuzimit të një numri të madh vizash. Do të vazhdojë kjo politikë e ashpër apo Londra ka menduar ta zbusë atë? Pra, mund të ketë një politikë të lehtësimit të marrjes së vizave, duke kontribuar kështu edhe për reduktimin e emigrimit të paligjshëm?

Ambasadori britanik King-Smith: Epo, së pari mund të sqaroj se Ambasada Britanike nuk merret me përpunimin e vizave, çka bëhet në Mbretërinë e Bashkuar, dhe shqiptarët do të trajtohen normalisht sipas proceseve tona të vizave. Dhe mendoj se njerëzit kanë një perceptim të gabuar se është e vështirë të marrësh një vizë. Nëse dëshironi të shkoni dhe udhëtoni në MB, pavarësisht nëse ky udhëtim është për vizita për studim apo punë, aplikoni për vizë sepse tani kemi rrugë në dispozicionin tuaj që vërtet mund të ndihmojnë. Sapo kam mbyllur disa diskutime me qeverinë se si mund ta bëjmë këtë gjë të funksionojë, me të vërtetë shumë pozitivisht. Dhe ju mund ta keni parë që në fakt këtë vit, pjesërisht si rezultat i mënyrës se si shqiptarët tani luajnë një rol vërtet të rëndësishëm, për shembull, në sektorin tonë të ndërtimit, vizat për punëtorët në ndërtim janë tani një profesion prioritet për të cilin njerëzit mund të aplikojnë më lehtë. Kështu që nëse njerëzit e kanë atë interes, unë me të vërtetë i inkurajoj ata të aplikojnë në mënyrë që ata të mund të udhëtojnë ligjërisht. Kjo do të jetë shumë më efektive. Gjithashtu, ne kemi bërë dhe diçka tjetër për ta bërë më të lehtë që njerëzit të aplikojnë. Kështu që, tani ka një qendër aplikimi për viza në veri, në Kukës, ku edhe pse kjo gjë nuk realizohet çdo ditë, por në thelb realizohet rregullisht, që njerëzit, nëse preferojnë, mund të aplikojnë në veri, në vend që të vijnë në Tiranë. Pra, ne duam ta bëjmë më të lehtë procedurën për njerëzit që të shkojnë në mënyrë të ligjshme në MB, sepse ashtu si ju me të drejtë po konstatoni, kjo është një pjesë vërtet e rëndësishme e marrëdhënies sonë. Ne duam të ndërtojmë ato marrëdhënie që ndërtohen mes njerëzve me njëri-tjetrin, dhe gjithashtu duam të ndihmojmë në parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe ndikimin që ai ka.

Elona Meço: Jua bëra pyetjen sepse ka një perceptim që është më e lehtë të marrësh një vizë amerikane sesa një vizë britanike.

Ambasadori britanik King-Smith: Pra, unë në fakt solla shifrat e fundit për ju. Deri në fund të shtatorit të këtij viti, 2023, janë miratuar 77% e të gjitha vizave me qëllime vizite, 96% e vizave studentore dhe 94% e vizave të punës. Kështu që dua të them, me të vërtetë kjo është për të gjitha kombësitë, dhe më pas për shqiptarët, normat janë mjaft të ngjashme, ndaj duhet të sigurohemi që ne të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Dhe vërtet që kemi pasur një rritje të vizave të lëshuara këtë vit në krahasim me vitin e kaluar. Në fakt është rritje me 35% krahasuar me vitin e kaluar, kështu që mendoj se ka shumë keqkuptime. Padyshim që do të ketë raste individuale, por ne duam të sigurohemi që njerëzit të mund të udhëtojnë drejt MB-së nëse dëshirojnë.       

gazment bardhi kulluri

Lini një Përgjigje