
Përmes inteligjencës artificiale dhe furnizimit me lëndë kimike, Pekini po forcon arsenalin e Teheranit përballë SHBA-së. Pesë anije kineze janë gjurmuar duke dërguar në Iran përbërës kritikë për karburantin e raketave.
Një grup hetuesish në rrjetet sociale ka hedhur dritë mbi shkallën e përfshirjes së Kinës në mbështetje të Iranit në përplasjen e vazhdueshme me SHBA-në dhe aleatët e saj në rajon. Sipas një raporti të publikuar më 5 prill nga Washington Post, për javë me radhë në hapësirën online kineze kanë qarkulluar gjithnjë e më shumë postime që zbërthejnë me detaje aktivitetit ushtarak amerikan.
Ato përshkruajnë nga pajisjet në baza, lëvizjet e aeroplanmbajtëseve, e deri te mënyra se si avionët organizoheshin për goditje ndaj Teheranit. Sipas raportit, këto analiza nuk kanë mbetur thjesht në internet, por u janë përcjellë drejtpërdrejt qarqeve ushtarake dhe politike në Iran.
Pas këtij fluksi informacioni qëndron një treg në rritje brenda Kinës. Bëhet fjalë për kompani të specializuara në analizën e të dhënave, shpesh me lidhje me Ushtrinë Çlirimtare Popullore.
Ato mbledhin materiale nga burime të hapura - imazhe satelitore komerciale, të dhëna nga platformat e gjurmimit të fluturimeve dhe transportit detar - dhe i përpunojnë në sisteme të strukturuara. Më pas, mbi këtë bazë, përdorin inteligjencën artificiale për të rindërtuar në kohë reale lëvizjet e forcave amerikane dhe për të parashikuar hapat e tyre të ardhshëm.
Zbulimi i këtij aktiviteti e vendos Kinën në të njëjtën linjë me Rusinë si një nga aktorët kryesorë që po i ofrojnë Iranit inteligjencë të përdorshme në terren, jo vetëm për të ndjekur lëvizjet e forcave amerikane, por edhe për të synuar bazat dhe rrjetet e furnizimit të tyre.
Në fakt, vetëm pak javë më parë u raportua se edhe Moska po i jepte Teheranit të dhëna të ngjashme.
Pse po e bën Kina këtë?
Ekspertët që ndjekin nga afër operacionet e inteligjencës kineze jashtë vendit përmendin disa arsye të mundshme. E para është, siç ndodh shpesh, financiare. Presidenti Xi Jinping ka ndërmarrë prej kohësh fushata kundër korrupsionit në radhët e ushtrisë, duke ndëshkuar zyrtarë të lartë.
Në këtë kontekst, aktivitete të tilla mund të shërbejnë si burime të fshehta përfitimi për individë brenda sistemit, sidomos duke pasur parasysh natyrën e ndërmjetësuar të operacioneve.
Një tjetër arsye lidhet me nevojën për të treguar efektivitet. Shërbimet kineze të inteligjencës janë kritikuar së fundmi për dështime të caktuara, përfshirë edhe një operacion amerikan në Venezuelë që thuhet se i ka zënë në befasi.
Në këtë kuadër, mbështetja për Iranin mund të shihet si një mënyrë për të rikuperuar imazhin dhe për të dëshmuar aftësi operative. Ndërkohë, kompanitë private kineze po përfitojnë nga vala e madhe e zhvillimit të inteligjencës artificiale, duke u futur në një
sektor ku kufijtë mes shtetit dhe privatit janë gjithnjë e më të paqartë.
Kompani “private”, por të lidhura me shtetin
Megjithëse formalisht private, këto kompani veprojnë në një bashkëpunim të ngushtë me strukturat shtetërore kineze. Madje shumë prej tyre operojnë me certifikime ushtarake kombëtare - një tregues i qartë se janë pjesë e ekosistemit të mbrojtjes.
Kjo i jep Pekinit një avantazh të rëndësishëm: mund të përfitojë nga aktiviteti i tyre, por njëkohësisht të ruajë zyrtarisht distancën. Me fjalë të tjera, shteti kinez përfiton, por mund të mohojë përgjegjësinë kur është e nevojshme.
Ndihmë konkrete për programin raketor
Por përfshirja kineze nuk kufizohet vetëm te inteligjenca. Sipas raportimeve më të fundit, ajo po merr edhe formë konkrete në terren. Një analizë e fundit nga Instituti për Luftën dhe Paqen (IWP) tregon se të paktën 5 dërgesa të një përbërësi kimik - që besohet të jetë perklorat natriumi - kanë mbërritur në Iran nga Kina.
Kjo substancë është thelbësore për prodhimin e karburantit të ngurtë për raketa balistike. Rëndësia e këtij zhvillimi është shumë e qartë: furnizime të tilla mund t’i japin mundësi Iranit të rrisë prodhimin e raketave në një kohë shumë të shkurtër.
Sipas burimeve të inteligjencës, kjo nënkupton mbështetje direkte dhe aktive në forcimin e kapaciteteve ushtarake iraniane. Anijet që kanë transportuar këto dërgesa i përkasin kompanisë iraniane IRISL, e cila është nën sanksione amerikane.
Katër prej tyre ndodhen pranë portit të Çabaharit, ndërsa një tjetër në Bandar Abbas. Këto lëvizje duken si përpjekje për të zbutur efektet e sulmeve ajrore amerikane dhe aleate, të cilat kanë synuar pikërisht infrastrukturën e prodhimit të karburantit dhe motorëve raketorë në Iran.
Siç e thekson dhe një ish-zyrtar i inteligjencës amerikane: “Këto kompani po ndihmojnë kundërshtarët e SHBA-së në mënyrë të drejtpërdrejtë. Përse nuk po merret asnjë masë ndaj tyre?”. Një pyetje që mbetet e hapur dhe që është gjithnjë e më shqetësuese. / Përshtati "Pamfleti" Nga "19FortyFive”
Lini një Përgjigje