
Që nga 7 tetori 2023, dita e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, ka pasur të paktën 8 tentativa për sulme xhihadiste në Evropë...
Edhe para sulmit terrorist në Moskë të premten e kaluar, ISIS Khorasan (ISIS-K), dega afgane e Shtetit Islamik, ishte kërcënimi kryesor islamik në territorin evropian, dhe gati në të gjitha vendet evropiane. Megjithatë sulmi në Crocus Hall, i detyroi autoritetet evropiane që të shtojnë masat e sigurisë kundër sulmeve të mundshme terroriste.
Për Gjermaninë bëhet mbi të gjitha fjalë për garantimin e sigurisë gjatë kampionatit evropian të futbollit, që fillon pas gati 3 muajsh. Ndërsa për Francën për mbarëvajtjen e Lojërave Olimpike Verore të Parisin, që nisin më 26 korrik.
Ndërsa bota ishte në kaos në mesin e pandemisë, luftës në Ukrainës dhe kaosi në Lindjen e Mesme, të gjitha agjencitë kryesore të inteligjencës, nënvizuan se si kërcënimi xhihadist në Evropë nuk ishte zhdukur asnjëherë, përkundrazi.
Gjatë vitit të kaluar, pati 6 sulme që i atribuohen drejtpërdrejt ekstremizmit islamik - dyfish në krahasim me 3 të një viti më herët - nga të cilat 5 në Bashkimin Evropian, dhe një rast në Mbretërinë e Bashkuar. Sulmet ishin më pak të dëmshme, 6 persona u vranë dhe 16 u plagosën gjithsej.
E kombinuar me lajmet ndërkombëtare dhe luftën në pragun e Evropës, ajo bëri që sulmet terroriste të kishin një mbulim më të paktë në media. Por tani analistët evropianë dhe agjencive të inteligjencës druhen se sulmi në Rusi, do të frymëzojë mbështetësit e ISIS-K të sulmojnë sërish kudo, madje edhe në Evropë.
Prej disa kohësh ishte zbuluar një fushatë propagandistike ndërkombëtare, e cila tregonte dëshirën e grupit afgan për të vepruar edhe jashtë kufijve të operacioneve terroriste të kryera deri më tani, të cilat ishin të përqendruara mbi të gjitha në Afganistan, Pakistan, Iran dhe Azinë Qendrore.
Terrorizmi islamik në Evropë, ka pothuajse ekskluzivisht një “konotacion endogjen”. Kjo
do të thotë se xhihadistët e mundshëm banojnë tashmë në vendet evropiane,dhe kanë mundësi të sulmojnë përpara se të ndalohen në kohë nga autoritetet.
Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, deklaroi së fundmi se kërcënimi terrorist
në Gjermani “mbetet akut”, teksa citoi të dhëna nga Europol, agjencia e bashkëpunimit për sigurinë e Bashkimit Evropian, sipas të cilave kërcënimi i ISIS-K nuk është i vetmi.
Që nga 7 tetori 2023, dita e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, ka pasur të paktën 8 tentativa për sulme xhihadiste në Evropë. Po sipas raporteve të Europol-it, Hamasi po e përdor tashmë luftën në Rripin e Gazës për të “fituar shikueshmëri, për të kultivuar kontakte dhe për të rekrutuar gjeneratën e ardhshme të militantëve dhe xhihadistëve në BE”.
Kjo tregohet edhe nga byroja e antiterrorizmit kibernetik, e cila vuri në dukje një rritje eksponenciale të rekrutimeve brenda më pak se 6 muajve nga grupe të tilla si Brigadat Ezzedin Al Qassam, lëvizja Palestineze e Xhihadit Islamik dhe grupe të lidhura me rebelët jemenas Houthi.
Për këtë arsye kanë ndodhur disa arrestime:në dhjetor 2023 autoritetet gjermane arrestuan 4 persona të lidhur me Hamasin, dhe të dyshuar për planifikimin e sulmeve kundër vendeve hebraike. Por arrestime të tjera kanë ndodhur edhe në Belgjikë, Danimarkë dhe Itali.
Pardje kryeministri francez Gabriel Attal, vendosi të ngrejë planin anti-terror “Vigipirate” në të gjithë vendin në nivelin e “sulmit emergjent”, më i larti nga 3 shkallët. Është një hap i detyrueshëm, të cilin Elysee e hedh edhe për shkak të ngjarjeve të mëdha terroriste që janë gjeografikisht afër.
Niveli maksimal i gatishmërisë u shpall edhe më 13 tetor të vitit të kaluar, pasi një çeçen 20- vjeçar goditi me thikë për vdekje një mësues në një shkollë të mesme në Arras në Francën Veriore. Statusi i emergjencës kundër terrorizmit u hoq vetëm më 15 janar të këtij viti.
Edhe Italia ka marrë disa masa kundër terrorizimit. Të hënën në Ministrinë e Brendshme u zhvillua një mbledhje urgjente e Komitetit Kombëtar për Rendin dhe Sigurinë Publike. Sipas ministrit Matteo Piantedosi, 47 persona janë dëbuar “për arsye sigurie” nga 7 tetori 2023 e deri më sot.
Nga takimi, i raportuar tashmë në raportin e fundit të Departamentit të Informacionit për Sigurinë, doli nevoja për të monitoruar vazhdimisht internetin dhe rrjetet sociale me synim identifikimin e sistemeve të rekrutimit dhe kërcënimeve konkrete ndaj territorit kombëtar./Përshtati Pamfleti nga “Il Foglio”
Lini një Përgjigje