
Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, ka vënë në pikëpyetje strategjinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, duke deklaruar se bombardimet ajrore, të vetme, nuk do ta detyrojnë Teheranin të ndryshojë kurs.
Në një intervistë për "Financial Times", Esper tha se administrata e presidentit Donald Trump duhet të fokusohet te një strategji më e gjerë presioni ekonomik, përmes sanksioneve të koordinuara me aleatët, në vend që të mbështetet te përshkallëzimi i operacioneve ushtarake.
"Nuk jam i bindur se intensifikimi i bombardimeve do të sillte një ndryshim të madh në sjelljen e Iranit", u shpreh ai.
Deklaratat e ish-shefit të Pentagonit vijnë në një moment kur presidenti Donald Trump ka paralajmëruar zgjerimin e operacioneve ushtarake kundër Iranit, ndërsa forcat amerikane kanë kryer sulme të reja gjatë kësaj jave. Sipas Trump, objektivi është rikthimi i Teheranit në tryezën e negociatave dhe garantimi i lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Esper argumenton se mënyra më efektive për të ushtruar presion ndaj Iranit është izolimi ekonomik, përmes një regjimi të fortë sanksionesh ndërkombëtare. Ai pranoi se një qasje e tillë kërkon kohë për të dhënë rezultate dhe mund të sjellë pasoja ekonomike, përfshirë rritjen e çmimeve të karburanteve.
Ish-zyrtari amerikan paralajmëroi gjithashtu se një konflikt i zgjatur do të konsumonte rezervat ushtarake të SHBA-së dhe do të kufizonte aftësinë e Uashingtonit për t'iu përgjigjur sfidave të tjera strategjike, veçanërisht përballë Kinës.
Lini një Përgjigje