TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Mars 2024, 12:32

Al Aksa, “kërthiza” e botës që shpjegon konfliktin e pakompromis midis izraelitëve dhe palestinezëve

Shkruar nga Emanuel Pietrobon
Al Aksa, “kërthiza” e botës që shpjegon konfliktin e
Al Aksa /

Legjenda thotë se udhëheqësi trim arab Saladini iu përgjigjej me një “Gjithçka dhe asgjë”, të gjithë atyre që e pyesnin se sa vlente Jeruzalemi. Domethënia e këtyre fjalëve ishte e dukshme në sytë e të gjithëve, por pakkush ishte aq i kthjellët sa ta kuptonte: Jeruzalemi ishte gjithçka për një besimtar, dhe nuk vlente asgjë për një ateist.

Një qytet i shenjtë apo një sakrilegj, në varësi të këndvështrimit tuaj, i aftë për t’i çuar njerëzit drejt ekstazës apo çmendurive të ndryshme, Jeruzalemi ka qenë gjithmonë “damari” i ekspozuar dhe lehtësisht i dëmtueshëm i Lindjes së Mesme. Perandori Titus kishte pasur mundësinë ta vinte re këtë shumë kohë përpara Saladinit.

Ai u përpoq t’i jepte fund luftës hebraike, duke e bërë shkrumb e hi atë që ai e kishte identifikuar si origjinën e trazirave: Tempullin e Solomonit. Sot, ngjashëm me vitet 70, 1099 dhe 1187, ka ende një luftë për kontrollin e Jerusalemit. Një qytet i shenjtë por i ndarë. “Berlini” i Lindjes së Mesme gjatë 2 luftërave të ftohta, të djeshmes dhe të sotmes. Fundi i ardhshëm i çështjes post-palestineze do të dalë nga lufta e nisur më 7 tetor 2023.

Jeruzalemi sipas Judaizmit

Jeruzalemi ka qenë qendra e jetës dhe historisë së popullit hebre që nga kohërat e lashta. Kryeqyteti i Mbretërisë së Davidit, gjatë së cilës u ndërtua Tempulli i Solomonit, Jeruzalemi është vendndodhja e vendeve më të shenjta në judaizëm: Muri i Vajtimit, një mbetje e Tempullit të zhdukur të Solomonit; Mali Moriah, vendi i sakrifikimit të Isakut; Shkëmbi i Themelit, nga i cili besohet se Zoti filloi të krijonte botën; dhe Pusi i Shpirtrave, që besohet se ishte vendi ku ndodhej “sanctum sanctorum” i Tempullit të Solomonit (Shenjti i të Shenjtëve, vendi ku prania e Zotit u shfaq midis popullit të tij, por vetëm nëpërmjet zërit të tij ose lavdisë së tij. Në dallim nga tempujt paganë, nuk përmbante asnjë statujë apo imazh të Zotit, por vetëm objekte simbolike).

Populli hebre nuk mund të ekzistojë pa Jeruzalemin. Një qytet që gjatë shekujve të migrimit të detyruar në Evropë nuk e ka harruar kurrë, të cilin e ka ruajtur me xhelozi gjithmonë me zemër, dhe në drejtim të të cilit kthente kokën në çastin e lutjes, dhe të cilit i kushtoi poezi dhe këngë prekëse dhe shpresëdhënëse.

Ashtu si Hatikvah që më vonë u bë himni kombëtar i Izraelit të pavarur. Jeruzalemi është thelbi i Judaizmit, profetët e të cilit kanë predikuar historikisht durimin: çdo pushtim i huaj ishte i përkohshëm, dhe se herët a vonë hebrenjtë do të riktheheshin në tokat e të parëve. Dhe kur kjo gjë u bë realitet në vitin 1948, shumë jobesimtarë filluan të kishin besim në premtimet mesianike të Sionizmit fetar.

Jeruzalemi sipas Islamit

Për myslimanët, Jeruzalemi është sinonim me Malin e Tempullit, kompleksin fetar që përfshin Kupolën e Shkëmbit dhe xhaminë pak më larg, e cila u ndërtuar mbi rrënojat e Tempullit të Solomonit. Është qyteti i tretë i shenjtë i Islamit për nga rëndësia, pas Mekës dhe Medinës, për shkak të rolit qendror që luan në shpalljen e Kuranit.

Myslimanët besojnë se nga Jeruzalemi, Muhamedi u ngjit në parajsë për të takuar Allahun. Është një qytet i shenjtë sepse u prek nga Vula e profetëve gjatë udhëtimit të saj gjatë natës. Është i shenjtë sepse ishte “e para nga dy kiblat “, pra qyteti drejt të cilit myslimanët drejtonin fillimisht kokat e tyre gjatë namazit (faljes).

Destinacioni: Apokalipsi

Çështja palestineze, siç e ka njohur bota që nga Deklarata e Balfourit, vdiq de fakto më 7 tetor 2023. Ajo do të vazhdojë të ekzistojë dhe të mbijetojë në vende të tjera, si kampet e refugjatëve libanezë dhe egjiptianë, dhe në forma të tjera, si lufta civile në Bregun Perëndimor.

Por një epokë mori fund ditën kur Hamasi nisi operacionin “Përmbytja Al-Aqṣā”. Midis izraelitëve dhe palestinezëve, dhe në fakt midis hebrenjve dhe myslimanëve, arritja e paqes do të vazhdojë të jetë një diçka e përzier, me ose pa Gazën.

Sepse fundi i çështjes palestineze, do të shënojë fillimin e një tjetri, shumë më të rrezikshëm se ai i mëparshmi, pasi nuk përfshin dy popuj, por dy fe: çështjen e Jeruzalemit. De jure i ndarë në dysh, por de fakto i kontrolluar nga Izraeli, Jeruzalemi ka pushuar prej kohësh së qeni kryeqyteti i përbashkët i dy shteteve.

Politika e judaizimit të qytetit, veçanërisht e preferuar nga forcat e së djathtës fetare, po çon si në eliminimin e pranisë së të krishterëve ashtu edhe të banorëve myslimanë në nivele kritike. Dhe nuk është rastësi që paralelisht me këtë fenomen, po rriten tensionet rreth Malit të Tempullit.

Jo një vend për palestinezët

Animi djathtas në politikën dhe shoqërinë izraelite, ka rigjallëruar lëvizjet më radikale të sionizmit fetar, duke filluar me kahanistët famëkeq - mbështetës të një shteti teokratik, etno-centrist dhe të ndarë nga kasta - duke bërë të mundur atë që dikur ishte tabu: ndalimet e përkohshme dhe kufizime në qasjen tek ky vend, marshime provokuese për rindërtimin e Tempullit të Solomonit, deklarata publike në favor të prishjes së xhamisë Al Aksa.

Kahanistët, pika e referencës së të cilëve sot është Itamar Ben-Gvir, një figurë me shumë ndikim, besojnë me vendosmëri tek ajo që predikojnë: miratimin e një ligjit të bazuar në ligjet biblike, aneksimin dhe de-arabizimin e Gazës dhe Bregut Perëndimor, zgjerimin në tokat e përmendura në tekstet e shenjta (Erétz Yisra’él), duke përshpejtuar ardhjen e Mesisë.

Kahanistët janë financuesit kryesorë të të gjitha atyre forcave që bëjnë thirrje për rindërtimin e Tempullit të Solomonit, në kurriz të xhamisë Al Aksa, dhe do të jenë përpjekjet e tyre për ta kthyer në realitet këtë ëndërr të fshehur, më shumë se anti-arabizmi i tyre i brendshëm, ato që do të krijojnë kushtet në të ardhmen për shkak të shpërthimit në Lindjen e Mesme të një konfikti me pasoja globale. Sepse Palestina ishte kauza e arabëve, por Jeruzalemi është kauza e Umetit./Përshtati Pamfleti nga “Il Giornale”

al aksa konflikti i pakompromis izraelitë palestinezë

Lini një Përgjigje